Xhelal Mziu: Qeveria ka prioritete oligarkët e PPP!

150
Sigal

Qeveria e Rilindjes në shtator të vitit 2015, shpalli aksionin më të madhë kundër informalitetit në ekonomi, me fokus biznesin e vogël. U krijua frikë, terror dhe klima e biznesit u përkeqësua ndjeshëm!Rezultati?Sipërmarrësit e vegjël kontribuonin më pak se 2% të të ardhurave në buxhet, ndonëse përbënin 30% të vetëpunësimit në ekonomi, kjo masë e qeverisë rezultoi një dështim me sukses të plotë! Për rrjedhojë, taksat për bizneset e vogla u hoqën, por sapo ato filluan të merrnin frymë lirisht, erdhi ndërhyrja tjetër në vitin 2018: Ulja e pragut të TVSH-së nga 8 në 2 milionë lekë, po me argumentin e luftës kundër evazionit, e nxitur nga bizneset e mëdha dhe analistët ekonomik pranë tyre e qeverisë!

Eksperimenti, zgjati ca vite, kostot e administrimit të këtij lloj tatimi ishin shumë më të mëdha sesa përfitimet nga ulja e pragut.

Përsëri dështim, qeveria tentoi ta korrektojë rritjen e pragut në 10 milionë lekë, nga 1 janari i vitit 2021, viti elektoral!!

Këtë herë, qeveria shqiptare nuk u kujdes të linte periudhë kohe për frymëmarrjen e biznesit. Regjimi i tatimeve për këtë segment biznesi pritet të ndryshojë përsëri, duke shënjestruar profesionistët e lirë, por jo vetëm ata, që të paguajnë tatim mbi të ardhurat personale deri në 23%!

Qeveria i etiketon si evazionistë fiskalë, duke i përballur me shtrëngesa fiskale duke e shembur kalanë e vetpunësimit! Në Shqipëri, sipas konceptit të qeverisë, i pasur quhesh nëse ke një pagë apo të ardhura më të larta sesa 150 mijë lekë në muaj (tani 200 mijë lekë) dhe shtesa mbi këtë kufi tatohet me 23%, më e larta në rajon, profesionet e lira do të paguajnë deri në 23% tatim për të ardhurat e tyre. Në kontrast, bizneset paguajnë 15% tatim fitimi dhe 8% për dividend. Qeveria nuk nxit investimet tek biznesi, por favorizon shpërndarjen e fitimeve përmes dividendit të ulët !! Qeveria, në vite ka krijuar një rrëmujë fiskale nëpërmjet ndryshimeve të shumta ligjore, nuk ka arritur të kuptojë dy elemente kryesore:

– Së pari, dhuna (verbale) nuk funksionon në një shtet demokratik, sidomos tek sipërmarrjet e vogla dhe vetëpunësimit, duke mos iu bërë barrë qeverisë në politikat e saj sociale, as presion mbi tregun e rrogëtarëve në shtet të tejfryrë!

– Së dyti, në Shqipëri po “ngatërrohet” (qëllimisht) koncepti i të pasurve, sidomos nga kryeministri.  Një pagë prej 150 apo 200 mijë lekë në muaj, nuk të bën të pasur, madje kryeministri premtoi solemnisht se do t’ua bëjë publike pagat një herë në vit, duke shkelur çdo parim dhe ligj për mbrojtjen e të dhënave personale. Në fakt djalli është tjetërkund!!I pasur realisht sot mund të bëhesh shumë shpejt, nëse je i korruptuar, nëse ke lidhje të dukshme e të padukshme me pushtetin (për marrjen e tenderave pa meritë), nëse kanalizon paranë informale, nëse i propozon qeverisë një PPP, fatkeqësisht, këta janë jashtë çdo radari. Sistemi tatimor progresiv, kompleks i fabrikuar në këto 10 vite, ka prodhuar më shumë evazion tatimor dhe varfëri, dhe parajsë fiskale për të pasurit ose kompanitë VIP ! Sistemi ynë tatimor shkel të gjitha parimet, si barazia, parashikueshmëria, neutraliteti, qartësia dhe thjeshtësia për t’u zbatuar, apo dhe raporti i përfitimeve kundrejt kostove të administrimit.Të vegjlit nuk janë problemi, por keqqeverisja dhe keqadministrimi i financave publike nga Qeveria! Qytetarët, kanë nevojë për reforma dhe vende pune, përmirësim të jetesës dhe rritje të mirëqenies dhe jo të varfërohen “kulakët” e shpallur nga kryeministri. Qeveria ka prioritete të tjera, oligarkët e PPP! Përderisa fokusi do të jenë të vegjlit, apo të “pasurit e varfër”, ky është një aksion i destinuar të dështojë.

Kryeministri, po nxit në mënyrë të panevojshme konflikte mes të “varfërve të pasur” dhe të pasurve të vërtetë!

Fokusi në këto momente është:

– Inflacioni me nivelin më të lartë të 20 viteve të fundit!

– Rritjen e konkurrueshmërisë për nxitjen e vendeve të punës!

– Rishikimi i Paketës Fiskale për ta bërë konkuruese me rajonin (taksa progresive është më e larta në rajon)!

– Subvencionimi i bujqësisë si vendet e tjera të rajonit!

– Rritja e nivelit të pagave dhe pensioneve si rajoni!

– Zhvillimi dhe mbështetja e “ekonomisë së zgjuar”, të prodhimit, të teknologjisë dhe të IT-së!

–Emetimi një paketë reale mbështetëse për bizneset dhe qytetarët në nevojë, jo rendja pas taksimit progresiv!