“Të rrethohesh nga shokë dhe miq të vlefshëm, është dhurata më e mirë”

565
Sigal

INTERVISTA/Damian Gjiknuri: “Politika është ajo me të cilën jetoj, por dhe për të cilën punoj” 

Politika jonë, e 21 vjetëve tëdemokracisë, karakterizohet me dy ngjyra. Bardhë e zi. Më shumë në mentalitetin që mbart dhe dukshëm, reflektohet në produktin që prodhon. Një periudhë e stërzgjatur tranzitore, pa asnjë shembull të dytë, jo vetëm në Ballkan, por, tashmë edhe vështirë, edhe e krahasuar me ndryshimet demokratike të ndodhura gjetiu. Po të analizosh shkaqet e këtij fenomeni politik, të pashembullt, që ndodh në Shqipëri, nuk është vështirë, që nga një fakt domethënës, të kuptosh esencialen e problematikës demokratike në Shqipëri. Mungon emancipimi demokratik, mungojnë mbartësit e mentalitetit demokratik. Gjithsesi, është e papranueshme për vetë konceptin dhe veprimin demokratik, që në Shqipëri, personazhet politikë, në të dy kahet politikë, të jenë po të njëjtit, jo vetëm të këtyre 21 vjetëve të demokracisë, por, që kanë ardhur edhe përtej kohës komuniste, thjesht, kanë ndërruar teserën e partisë, duke mbartur mendësitë politike të asaj së kaluare komuniste. E, ajo ngjyrë e bardhë, e politikës, është ngritja dhe afirmimi i një brezi të ri, që u edukuan, u mësuan me mentalitetin demokratik. Një personazh i kësaj plejade politikanësh të rinj është edhe deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, personaliteti i të cilit rritet atje, ku politika është më e “nxehtë”, duke qenë negociatori i PS-së në reformën zgjedhore, të sapomiratuar.

–  Damian, çfarë prirjesh keni pasur, kur ishit fëmijë dhe sa përputhen ato me atë të cilin jeni sot?

– Qysh i vogël  unë kisha një dhunti me tepri në shkencat shoqërore, duke kompensuar mangësitë për shkencat ekzakte, ironikisht përkundër prirjeve dhe profesionit të prindërve të mi. Këtë prirje, drejt botës së pafund të ideve, e pat zbuluar gjyshi im Panajoti, babai i Lekës, i cili ishte linguist dhe një nga mësuesit më të vjetër në Shqipëri.  Duke qenë një njohës  shumë i mirë i gjuhëve të vjetra, si Greqishtja, Latinishtja, por edhe i folklorit  dhe etimologjisë shqiptare – për këtë të fundit ka kontribuar edhe me shumë shkrime e gjetje –  gjyshi im, Panajoti,  vazhdimisht më “bombardonte”, jo pa bezdi, me histori dhe mite të filozofisë së lashtë Greko-Romake,  duke mbjellë tek unë,  me vetëdije ose jo,  dëshirën e madhe për të lexuar dhe njohur historinë, gjeografinë, letërsinë dhe filozofinë, e duke përcaktuar përfundimisht që në vogëli prirjen time drejt dijeve humane. Ky formësim i hershëm dhe konstant ndikoi edhe në zgjedhjen e profesionit tim  si jurist,  në fillim, duke studiuar në universitetin e Tiranës e më pas në kohë të ndryshme, me arsimim  pasuniversitar në Hollandë, Britani e SHBA,  duke fituar  kështu dy Mastera në fushën e të drejtës, dhe atë të politikave publike.

– Tashmë, profesioni i juristit, ju dha zgjedhjen e monopatit të jetës?

– Profesioni si jurist më dha mundësinë të njoh mirë aspekte të ndryshme të administrimit publik dhe shtetëror,  duke ushtruar funksione të ndryshme gjatë karrierës sime,  në fillim si gjyqtar dhe më pas si  administrator publik, përfshirë edhe pozicione të larta të politikbërjes  në Ministrinë e Brendshme dhe në atë të Mbrojtjes,  e duke më dhënë njëkohësisht  një eksperiencë unike kombëtare dhe ndërkombëtare. Një përvojë  e tillë, e përftuar, më ndihmoi edhe në ushtrimin e veprimtarisë private si profesionist në fushën e ligjit,  duke dhënë kontributin tim për disa vite si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë , në forcimin e kapaciteteve rregullatore shtetërore, nëpërmjet këshillimit për  legjislacionin modern evropian, apo edhe në fusha të tjera të praktikës ligjore,  përfshirë edhe mësimdhënien në nivel universitar.

– Cili ishte ai motiv që ju shtyu  juve të merreni me politikë?

– Përfshirja në politikën aktive ka qenë një dëshirë e imja e kultivuar ndër vite, si nga familja,  pasi edhe im atë ka qenë i përfshirë në të, por edhe si shkak i eksperiencës sime si funksionar publik. Gjatë punës sime në nivele të ndryshme të politikbërjes, kuptova fuqinë magjike që ka politika në mbarëvajtjen e zhvillimeve të vendit, në fatet e njerëzve, pse jo edhe në dramat, apo progresin e njerëzimit, duke e bërë politikën influencuese,  atëherë kur nuk e kupton dhe kudo që ajo vepron. E pikërisht, nisur nga kjo fuqi magjike që ka politika,  e cila është e vetmja forcë  që bën të mundur transformimin  e botës së ideve në norma sjelljeje për  shoqërinë, unë jam tërhequr si magnet prej saj, duke u  përfshirë në mënyrë aktive në vitet e fundit.

–  Çfarë ju jep juve politika dhe çfarë përpiqeni ju të jepni në politikë?

– Politika tashmë për mua është gjithçka. Është ajo me të cilën jetoj, por dhe për të cilën punoj.  Pra, është një burim serioz i lumturisë apo shqetësimit tim. Si e tillë, përpiqem të bëj më të mirën, për të ndryshuar këtë vend dhe për të bërë njerëzit me të cilët kam kontakt, apo ndikim të ndihen më mirë e të bëjnë më të mirën. A jam i realizuar? Jo, gjithmonë. Por politika, si çdo fushë tjetër e jetës,  është përpjekje e vazhdueshme, mes provës dhe gabimit, madje përpara shumë syve dhe veshëve.  Dukuria e fundit e bën suksesin dhe realizimin edhe më relativ.

-Sa ju shqetëson ai mosbesim që është në rritje të opinionin publik, që sot nuk mirëbeson te politikanët?

– Më shqetëson, ashtu siç më shqetëson edhe gjendja ku po shkon vendi në shumë fusha të tjera. Politika dhe politikanët janë produkt i shoqërisë, madje në pikëpamjen njerëzore, një kampion i saj. Si rrjedhim, një vend që ka kohë që ka humbur “busullën e orientimit” në shumë fusha vendimtare për të ardhmen, sidomos arsimin dhe sistemin e vlerave në shoqëri, shumë shpejt  nuk do të besojë më në asgjë. Me këtë nuk dua të shfajësoj politikën dhe politikanët, pasi këta të fundit janë zgjedhur t’i adresojnë këto probleme dhe jo t’i agravojnë, ato siç edhe kanë bërë me shembujt e tyre negativ. Por,  ajo që më shqetëson më shumë,  është humbja e besimit, jo vetëm tek politikanët, por te çdo gjë që është e mirë publike. Kjo është recetë për krizë dhe kaos dhe ku paradoksalisht vetëm politika mund ta adresojë siç duhet. Të paktën, në demokraci.

– Sot politikani në Shqipëri, a mund të shprehë në qëndrime personalitetin e vet? Përshtypja është që politikani dhe deputeti janë të përdorshëm nga udhëheqësi, ndryshe, ai del jashtë radhë.  Cili është mendimi juaj?

– Politikanët janë  njerëz të përveçëm, me emër dhe histori individuale, siç çdo njeri në këtë botë. Si të tillë,  paçka se janë  brenda një sistemi mendimi, apo komunikimi të organizuar, kanë shumë mënyra për të bërë dallimin individual. Por, ka dhe mënyra jo shumë të vështira, edhe  për publikun për të dalluar nuancat dhe personalitet e çdo politikani edhe brenda një grupimi politik të organizuar. Për mua motoja “jo çka thua, por çfarë bën” vlen si për atë që e thotë, ashtu edhe për atë që e dëgjon.

– Sikur të mos merreshit me politike, çfarë do t’ju pëlqente të merreshit?

– Me atë që jam marrë, deri sa hyra në politikë, profesionin tim të juristit, i cili nuk do ta përjashtonte kurrë përfshirjen në politikën publike, edhe pa qenë politikan aktiv. Politika është arti i të bërit apo të qeverisurit më mirë, dhe si i tillë të krijon  me qindra mundësi dhe mënyra  për t’u përfshirë,  pa qenë nevoja ta kesh të vetmin angazhim.  Shprehja e Aristotelit, se “njeriu është kafshë politike”, ka vlerë edhe për ditët e sotme.

– Cilat janë pasionet tuaja?

– Të njoh sa më shumë vende, popuj dhe kultura, si dhe të informohem në kohë, për të renë.

– Në jetën private, sa i ndryshëm është Damiani, nga ai imazh që kemi publikisht?

– Nuk e di si dukem për të tjerët publikisht, pasi është e vështirë ta kuptosh atë vetë, por unë përpiqem të jem ai që jam në jetën e përditshme. Shpesh, më ndodh, që njerëz  ndryshëm, që më njohin nga ekrani, më thonë që dukem më i madh në moshë, ose shumë i matur në fjalë.  U përgjigjem se çdo gjë në televizor duket ndryshe nga ç’është. Pavarësisht, se unë përpiqem të jem vetvetja, ekrani projekton imazh tjetër. Më të keq, apo më të mirë? Varet nga shijet e atij që më dëgjon.

 – Cilat janë prioritetet tuaja?

– Puna ime si deputet, përfaqësimi i elektoratit që më ka mbështetur,  dhe natyrisht familja.

– A keni kohë të lirë?

– Asnjëherë, për të ndenjur kot, në kuptimin klasik të fjalës, që nuk di si ta mbushësh ditën. Edhe kur nuk kam angazhim profesional, ose gjatë pushimeve ,lexoj shumë, si edhe i kushtohem familjes.

 – Cilat sakrifica jeni gati të bëni për politikën?

– Qenia në politikë ka sakrificat e veta, sidomos në Shqipëri. Mjafton koha e pakët me familjen dhe stresi i vazhdueshëm,  është një sakrificë me pasoja, që nuk rikthehen më.

– Cila është motoja juaj dhe cila do të ishte sakrifica më e madhe që mund të bëni ju për të realizuar moton tuaj të jetës?

– Të bëj të tjerët të ndjehen  mirë dhe të marr më të mirën nga të tjerët, duke jetuar çdo ditë  në maksimum. Për të realizuar këtë ka shumë lloj sakrificash, por që shkrihen me përfitimin, duke i përjetuar pa i përshkruar. Pra, edhe unë i përjetoj dhe nuk i përshkruaj dot.  Për moton që kam, s’ka sakrificë, pasi ajo është shtysa në jetë, ose të themi matësi i suksesit, ose kënaqësisë  në çdo angazhim. Si rrjedhim, nëse një angazhim prodhon palumturi te të tjerët, ose të bën ty të palumtur, lëre fare. Kjo vlen  edhe për politikën.

– Kush ka ndikuar më shumë në marrjen e vendimeve më të rëndësishme që keni marrë deri tani në jetën tuaj?

– Familja dhe shoqëria. Familja me të gjallë e  të vdekur, pra me atë çka përfaqëson në tërësinë e saj dhe që transmetohet nëpërmjet edukatës, emrit, njohjeve. Edhe kur nuk kanë qenë në formën e këshillave direkte, ato janë eko brenda trurit tim dhe, në mënyrë instiktive, kanë ndikuar në shumë zgjedhje në jetë. Ndërsa shoqëria, apo miqësitë, janë  për këdo sot një burim konstant  ndikimi dhe këshillash në çdo vendimmarrje në jetë. Të rrethohesh nga shokë dhe miq të mirë e të vlefshëm është dhurata më e mirë që mund të ketë një njeri sot. Por ajo nuk vjen si rastësi, por kurohet, duke dhënë e marrë në mënyrë të përditshme.

– Çfarë virtytesh vlerësoni më shumë te njerëzit?

– Integritetin  dhe sensin e të mirës publike.

–  Çfarë nuk mund të falni kurrë?

– Mashtrimin dhe mosmirënjohjen.

-Falni lehtë?

– Falja është virtyt biblik dhe normalisht pjesë e çdo njeriu, por si çdo njeri, që ka sadopak sedër dhe inat, ka dhe gjëra që i kam vështirë t’i fal.

– Leximi sa kohë ha në ditën tuaj dhe cilat ju interesojnë më shumë?

– Përpiqem të lexoj përditë, përveç leximit rutinë të punës, që nuk po e konsideroj si pjesë të pyetjes suaj. Më intereson politika, historia, sociologjia dhe çdo gjë që lidhet me humanen.

– Të ndërtosh marrëdhënie  do të thotë të arrish njëfarë kompromisi. Është më lehtë të arrish kompromisin në raportet që ndërton me njerëzit, apo ta arrish kompromisin në politikë?

– Marrëdhënia është kompromis çdo ditë dhe në çdo fushë, si me njerëz të zakonshëm, ashtu edhe në politikë.

– A është më e vështirë në politikë?

– Patjetër,  pasi nuk je i vetëm në ndërtimin e kësaj marrëdhënie, por përfaqëson interesat e shumë njerëzve, që kanë pritshmëri dhe besim tek ty. Por, njëkohësisht, kanë dhe informacion më të kufizuar, ose të tjetërsuar, si pjesë e një mase më të gjerë njerëzish.

– Cilën ngjarje, nuk mund të harroni kurrë dhe përse?

– 21 janari 2011, ku jeta e njeriut u konsiderua asgjë dhe ku secili nga ne, që ishte në protestë,  mund të ishte vrarë. Vetëm kur mendon, që çdo njëri nga ne mund të ishte vrarë, pa asnjë shkak dhe motiv, mund të kuptosh mprehtësinë e ngjarjes dhe shtetin në të cilin jeton. Kjo është një ngjarje, që më rëndon dhe në fakt duhet të na rëndojë të gjithëve,  pasi po u harrua pa u ndëshkuar,  na e ka vrarë shpresën përfundimisht,  se dhe ky popull do të mund të reagojë kolektivisht ndaj padrejtësive që vijnë nga politika.

– Ju është dashur ndonjëherë që të merrni një vendim të rëndësishëm, që është në kundërshtim me bindjen tuaj morale, dhe me karakterin tuaj?

– Njeriu, në përmbushje të detyrës së tij, merr edhe vendime që nuk përputhen plotësisht me bindjen e tij morale, apo personale, por, që gjithsesi, duhet të jenë të ligjshme. Edhe unë jam një nga ata, duke bërë edhe kompromise për hir të detyrë,s apo një qëllimi më të madh, por gjithmonë brenda ligjit dhe aspak për të lënduar të tjerët, pa të drejtë. Qëllimi dhe përmbushja e tij  në politikë është i rëndësishëm,  pasi suksesi matet me pushtet real, por jo të arrihet me çdo lloj mjeti.

– Me bashkëshorten tuaj, për çfarë gjërash, keni më shumë divergjenca?

– Divergjencat lidhen kryesisht me racionimin e kohës dhe prioriteteve , duke u kritikuar me të drejtë, se lumturia dhe realizimi personal, së pari, fillon nga familja.

– Në qoftë se ndonjë qytetar, ju drejtohet, ju shfaq një pakënaqësi dhe vepron jo me dinjitet ndaj jush, ju do ta falni? A mund ta çoni në gjykatë qytetarin, pse u soll keq ndaj jush, ndaj jush si politika, jo si Damian? 

– Pakënaqësia ndaj politikanëve është një simptomë e vazhdueshme e një populli me plot halle, si shqiptarët. Pra, edhe eksesi është ndonjëherë i tolerueshëm për aq kohë sa  nuk cenon integritetin fizik dhe moral timin. Në të kundërt, edhe unë do reagoj, ashtu siç mund të reagojë çdo njeri në kushtet e vetëmbrojtjes, qofshin këto mjete ligjore ose rrethanore.

– Në lidhjet tuaja intime, jeni besnik, apo keni frikë të flisni publikisht?

– Si çdo familje, edhe e imja ka oazet e saj të kënaqësisë, por edhe të problemeve, por që mbahen brenda mureve të shtëpisë. Në përgjithësi, kam një jetë aktive dhe të shëndetshme familjare me shumë “diell”, por edhe me  ndonjë “stuhi”. Besoj se, publikut  i intereson më shumë se sa besnik jam ndaj atyre që them dhe bëj në politikë.

– Cili personalitet botëror  ju ka bërë më shumë përshtypje?

– Winston Churchill, i cili udhëhoqi  dhe fitoi   luftën,  kur të gjithë e kishin harruar  dhe se si humbi në paqe,  në kulmin e triumfit të tij.  Një shembull frymëzues i suksesit, por edhe i kufizimeve që vijnë bashkë me suksesin.

– Ju faleminderit!