Xhelal Mziu ‘bashkon’ PD! Festat e fundvitit, drita jeshile për riorganizimin e demokratëve

231

Xhelal Mziu ofron modelin e bashkimit të demokratëve

Sigal

Ekskluzive për Telegraf me drejtuesin politik të qarkut të Dibrës dhe ish-kryebashkiakun e Kamzës: Festa e fundvitit le të shërbej si dritë jeshile për  riorganizmin e PD, pa dallime dhe paragjykime. Kjo ka qënë një kërkesë e hershme e imja dhe vetëm një PD e unifikuar do të na bëjë një mazhorancë fituese në 14 Maj. Pjesëmarrja në takimin e djeshëm dhe pse ribashkimi do maksimalizojë votat e opozitës së bashkuar dhe votuesve gri.

Deputetët e Partisë Demokratike janë bashkuar në një drekë miqësore me rastin e festave të fundvitit. Mësohet se iniciator i kësaj dreke që qenë ish-kreu i bashkisë së Kamzës dhe deputeti demokrat Xhelal Mziu, i cili ka patur një qëndrim konsistent për bashkimin e demokratëve. Në një intervistë për gazetën “Telegraf’ Xhelal Mziu ka deklaruar se kërkesa e tij drejtuar deputetëve të PD për të qenë të bashkuar është e hershme dhe se vetëm mesditën e kësaj të mërkure ka mundur të konkretizohet në një takim. “E shfrytëzova këtë moment të fundit të vitit për të pasur një moment reflektimi të situatave, që kemi dhe për të hedhur hapa drejt bashkimit sepse është e vetmja zgjidhje për demokratët. Pra në këndvështrimin e organizimit nuk ishte thjesht një formalitet, por besoj ishte një hapje dere për të shkuar drejt bashkimit.

Para disa ditësh sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste deklaroi se nëse zgjedhjet do të bëheshin sot, minimalisht do të marrim 40 Bashki, me daljen e listave të demokratëve ne si media konstatojmë se shumë demokratë nuk janë ndjerë të përfaqësuar në Primare dhe kanë pakënaqësi. A mendoni se duhet bërë një rishikim i kandidatëve fitues të paktën për disa zona tradicionale, që njihen edhe si bastione të PD?

Zgjedhjet e Pushtetit Vendor ndoshta në dallim edhe me shtetet e tjera, që kalojnë në balotazh, në Shqipëri mjafton një votë më tepër dhe shpallet fituesi. Një kandidat mund të bëhet kryetar bashkie edhe me 33% të votave ose edhe me 30% nëse ka shumë kandidatë, pra kjo do të thotë që probabilitetin më të madh nëse do të dalin dy kandidatë të opozitës ose të PD, do të thotë që favorizohet 100% kandidati kundërshtar i PS. Kështu që ajo beteja kryesore e momentit është unifikimi i PD, pra dalja me një kandidat të përbashkët. Por po prap dalja me një kandidat të përbashkët nuk është aq e thjeshtë dhe mund të bëhet duke shtypur një buton dhe prodhon 61 kandidatët. Ndaj edhe kryefjala e shumicës së grupit parlamentar ishte kjo që për çdo bashki duhet të evidentojmë personin që ka aksionet më të mëdhaja politike pavarësisht se i cilës pjesë të PD është dhe që mund të jetë pastaj, të nesërmen përfaqësues i PD, por edhe i të gjithë të djathtës së bashkuar. Dhe besoj ky do të jetë moduli i punës së pas vitit të ri për të konkretizuar. Pra me pak fjalë propozimet ose një pjesë e konsiderueshme e PD kërkon që në disa nga Bashkitë pavarësisht organizimit të Primareve të mund të konkludohet për të gjetur persona të tjerë të cilët edhe në sondazhe edhe në opinione janë më favorit për fitimin e Bashkisë sesa ata që mund të kenë dalë ose në disa bashki të tjera nuk janë realizuar.

Ka të dhëna se nëse nuk gjendet një gjuhë e përbashkët do të ketë kandidatë të tjerë të opozitës, do të ketë kandidatë të tjerë të pavararur çka do ta çojë në një dërrmim total dhe jo 40 sa ç’deklaroi Gjiknuri, por mund të ngelet edhe me një shifër me një numër, pra diskutohet 8 ose 9 mandate nëse do të arrijë t’i marrë, a do të përpiqeni dhe a do të gjeni gjuhën e përbashkët për të riformatuar të djathtën për t’u ribashkuar e për të dalë me një kandidat të vetëm? Si e shihni zgjidhjen ju për pakënaqësitë, që shkaktuan Primaret?

Së pari, dua të theksoj se zgjedhjet e Dibrës treguan edhe një herë, pavarësisht se ishte fillesa e tjetërsimit të votave në Shqipëri, në 2016, Dosja “184” ku kryeministri, ministrat dhe çdo eksponent i Partisë Socialiste me zë dhe figurë tjetërsoi votat dhe më pas eksperimentoi në 2017. Por ajo që unë bëra, jo vetëm, por në bashkëpunim me strukturën e gjithë qarkut Dibër, ishte unifikimi i demokratëve. Dhe nga një qark që ishte 4 me 2 për Partinë Socialiste arritëm që të fitojmë dhe të dalim 3 me 2, kur askush nuk e besonte. Por kush qe thelbi, ne nuk anashkaluam asnjë factor, i cili ka qenë i PD, por që ishte larguar me apo pa të drejtë, me apo pa arsye dhe e bëmë pjesë të fushatës. Pra ajo që po them është se është shumë i rëndësishëm bashkimi dhe arritëm që të merrnim atë rezultat. Pra çfarë do të thotë që nëse ne në këtë periudhë që nuk është e paktë, pasi minimalisht kemi dhe 4 muaj e gjysmë kohë deri në ditën e votimeve! Ne mundet që të bashkohemi dhe të triumfojmë. Dhe ne nëse do të vazhdojmë që të kemi përfaqësim me 2 kandidatë absolutisht do të jetë po prap si fenomeni i Dibrës, i marsit të këtij viti ku PD u paraqit me 2 kandidatë dhe nga 14 mijë vota që kishte Bashkia e Dibrës në 25 prill të vitit 2021 ne nuk morëm 14 mijë vota, por morëm vetëm 9 mijë vota, pra që do të thotë se 5000 demokratë nuk e votuan PD. Nga të cilët 2000 nuk morën pjesë fare në votime dhe 3000 prej tyre kaluan te Partia Socialiste. Pra që do të thotë se ata bëhen pragmatistë dhe nuk shkojnë më thjesht pas bindjeve, por shkojnë te ai që është më favorit për të fituar. Kështu që në këtë kontekst edhe një herë e konsideroj si alarm që duhet të bashkohemi. Dhe ka nevojë për rishikim ndoshta po themi edhe në 1 apo 2 bashki të Qarkut të Dibrës, mund të ketë rishikim dhe nuk dua të fokusohem vetëm te Kamza, por mund të ketë nevojë për rishikime edhe në disa zona. Ndërkohë nëse nuk unifikohet PD ne mund të unifikohemi me kandidatë të përbashkët dhe jam absolutisht i bindur që nëse ne e realizojmë këtë edhe bashkë me pjesën tjetër opozitare, por duke e shfrytëzuar pak pakënaqësinë totale të këtyre viteve nga Rilindja, por edhe duke shpalosur një platformë qeverisë se që të kemi themelet dhe eksperiencën e qeverisë së mëparshme, por edhe duke shfrytëzuar stadin politik që është sot vendi, ne vërtet mund të kthehemi në një mazhorancë mw datë 14 Maj.

Shumë demokratë të Kamzës kanë anashkaluar Primaret pasi kërkonin që ju të ishit kandidat për t’u rikthyer Kamzës Bashkinë. Juve do të pranoni të jepnit dorëheqjen nga drejtues politik  i Qarkut të Dibrës dhe deputet nëse kjo gjë do të bëhet realitet nga strukturat e Partisë Demokratike?

E gjithë qasja e PD dhe qëndrimi duhet të jetë në rang kombëtar që të marrin atë dakordësinë e të gjithë PD dhe të opozitës secili kandidat që kandidon për një zonë. E kam thënë edhe më parë që jam i gatshëm të lë mandatin e deputetit apo edhe të drejtuesit politik për të mos e lënë Kamzën nëse është në risk për të rënë në dorën e Rilindjes. Kjo do të thotë që ngelet si opsion, por qëllim në vetvete nuk duhet të jetë vetëm Kamza, por edhe e gjithë Shqipëria.

Ftesës së Mziut iu përgjigjën pozitivisht deputetët e PD-së që mbështesin ‘Rithemelimin’ dhe kryetarin Sali Berisha, si dhe një pjesë e grupit të Enkelejd Alibeajt.

Pjesëmarrësit:

  1. Sali Berisha
  2. Belind Këlliçi
  3. Flamur Noka
  4. Bujar Leskaj
  5. Tomor Alizoti
  6. Elda Hoti
  7. Greta Bardeli
  8. Lindita Metaliaj
  9. Albana Vokshi
  10. Kastriot Piroli
  11. Kasem Mahmutaj
  12. Oerd Bylykbashi
  13. Luan Baçi
  14. Tritan Shehu
  15. Isuf Çelaj
  16. Ina Zhupa
  17. Edmond Spaho .
  18. Ferdinand Xhaferri 
  19. Gazment Bardhi
  20. Jorida Tabaku
  21. Dhurata Çupi
  22. Andia Ulliri
  23. Saimir Korreshi
  24. Lefter Gështenja
  25. Helidon Bushati
  26. Eralda Bano
  27. Fatjon Veizaj
  28. llda Dhori
  29. Ervin Salianji
  30. Merita Bakiu
  31. Ramadan Likaj.

I kontaktuar nga gazeta “Telegraf” Xhelal Mziu deklaroi se të gjithë deputetët e PD ishin dakord për takimin dhe janë shprehur të gatshëm, ndërsa ka shtuar se kanë munguar vetëm personat që nuk kanë pasur mundësi të vijnë në një njoftim të një kohe të shkurtër pasi kanë qenë në rrethe ose jashtë vendit për festa.