Intervista/ Armand Duka: Dritëhijet e futbollit gjatë 2022 dhe një urim për 2023

328
Sigal

Intervista e fundvitit / Dy dekada President, Armand Duka “skanon” dritëhijet e topkëmbës shqiptare, ja urimi i tij për vitin 2023

Janë hedhur themele të forta për një zhvillim të qëndrueshëm të futbollit

Mesazh drejtuar komunitetit të futbollit

“E falënderoj komunitetin e futbollit për kontributin e dhënë gjatë këtij viti kalendarik, dhe për arritjet e mëdha që nuk kanë qenë të pakta. Që nga futbolli i fëmijëve dhe deri te eventet më të mëdha në rrafshin ndërkombëtar, është bërë një punë e shkëlqyer në drejtim të përmirësimit të futbollit në të gjitha nivelet. Garantoj të gjithë se, ne nuk do ndalemi në misionin tonë për ta kthyer futbollin në një forcë shtytëse për shoqërinë shqiptare. Ne besojmë te puna, jemi të vetëdijshëm për kapacitetet tona dhe nuk kemi asnjë dyshim se, duke dhënë më të mirën tonë të gjithë bashkë do të arrijmë të bëjmë të mundur edhe ato objektiva, që mund të duken edhe utopikë. Do vazhdojmë ta tregojmë çdo ditë dhe çdo orë se, duke punuar e duke qëndruar të bashkuar përreth vlerave që përfaqëson sporti në përgjithësi dhe futbolli në veçanti, mund të shkojmë larg. Më ketë rast dua të uroj për një vit sa më të mbarë dhe me sa më shumë rezultate e arritje të mëdha”.

Nga Agron KAJA

 

Z.Duka, keni afërsisht 21 vite në krye të FSHF-së si President, e kishit menduar këtë kohëzgjatje?

Në asnjë moment gjatë këtyre viteve në drejtimin e Federatës, nuk kam numëruar vitet dhe mandatet. Ditën e parë që kam hyrë në FSHF jam përballur me sfida të reja, që nuk i mendoja dhe koha nuk premtonte për t’u menduar shumë. Në natyrën time është të mendoj për projekte, ide dhe objektiva për të ardhmen dhe motivimi është i madh kur gjen mbështetjen e komunitetit të futbollit. Kjo më bën të mos i numëroj vitet, por të shikoj përpara për të bërë akoma më shumë për lojën magjike.

Si e mbani mend mandatin tuaj të parë kur u zgjodhët President i FSHF-së?

Duket sikur i përket një ëndërre të keqe, një shekulli më parë. Ka qënë realisht e vështirë në fillim, sepse mora drejtimin e një institucioni, që kishte vetëm emrin dhe logon, pa ambiente të përshtatshme për t’u rritur dhe pa asnjë fushë stërvitore të denjë për Kombëtaren A që të kryente stërvitjet. Sfidat financiare, administrative dhe infrastrukturore ishin kudo shumë të mëdha, por duke dedikuar energji dhe dashuri për punën që kisha marrë përsipër ja dolëm t’i përmbushim e tejkalojmë shumë objektiva që në mandatin tim të parë në krye të FSHF.

Në FSHF janë bërë ndryshime në çdo aspekt të punës së saj, po presidenti çfarë ka ndryshuar në këtë ecuri?

Sigurisht, rritja që ka pësuar FSHF-ja e futbolli shqiptar në këto vite, ka qënë një ndihmë e madhe edhe për mua. Përvoja dhe eksperienca e gjatë në drejtim më ka dhënë më shumë qetësi në vendimarrje, dhe padiskutim më lehtëson në shumë situata që përballem. Gjithashtu, edhe eksperienca si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s është një ndihmë për të marrë eksperiencat më të mira europiane në nivel drejtimi. Kjo padiskutim ka rritur edhe institucionin që unë drejtoj.

Sot 21 vite më pas, si ju duket ushtrimi i kësaj detyre: E vështirë, normale, sfiduese apo një detyrë që nuk do ta refuzoje?

Sfiduese, e bukur dhe një detyrë që nuk do ta refuzoja kurrë, nëse do të kthehesha pas në kohë dhe do të isha në të njëjtin pozicion.

“Këtë vit inauguruam stadiumin “Kukësi Arena”, stadiumin “Partizani”, stadiumin “Vora”, ndërtuam dhjetëra fusha të reja me përmasa standarde në Kukës, Durrës, Lushnje, Tiranë, Shkodër, Luz, Orikum. Po përmbyllim me sukses punimet në “Shtëpinë e Futbollit shqiptar”, një vepër gjigande dhe unikale për vendin tone.”

Cili është ekstrakti juaj për këto 21 vite drejtimi të FSHF-së?

Nuk do të mjaftonte një libër për të përmbledhur këto vite, por do t’i quaja vite të bukura të mbushura plot me arritje të rëndësishme. Janë hedhur themele të forta për një zhvillim të qëndrueshëm të futbollit shqiptar. Kemi ndërtuar një infrastrukturë të mirë në nivel stadiumesh, po punojmë shumë në rritjen e inventarit të fushave në të gjithë vendin nëpërmjet projektit të 100 fushave. Nuk do ta harroj kurrë pjesëmarrjen në EURO 2016, një arritje e jashtëzakonshme dhe historike për futbollin tonë. Ashtu si edhe finalen e UEFA Conference League që u zhvillua më 25 maj në “Air Albania Stadium”, konfirmim i punës që kemi bërë.

Ku kanë qenë problematikat më të dukshme gjatë vitit 2022, në futbollin shqiptar apo në Kombëtare?

Do doja që të punohej më shumë nga klubet me futbollin e bazës, për të prodhuar më shumë lojtarë dhe për t’i dhënë më shumë hapësira të rinjve në të gjitha nivelet e garës futbollistike në vend. Ne si FSHF, nga ky vit kemi nisur një projekt incentivues për klubet, që aktivizojnë të rinj nga mosha 16 deri në 19 vjeҫ. Më shumë investime nevojiten dhe për infrastrukturën, dhe për këtë duhet të jemi bashkë me klubet, biznesin, pushtetin vendor dhe ai qëndror.

Gjatë këtij viti që po mbyllim, për punën tuaj sa prioritare kanë qenë infrastruktura dhe garat në tërësi?

Në fakt, infrastruktura është guri i themelit për zhvillimin e futbollit, pasi pa fusha, terrene e stadiumet me kushte moderne nuk mund të ketë futboll dhe të ardhme. Infrastruktura mbetet një nga prioritetet tona dhe këtë vit kemi qenë dëshmitarë të një transformimi në infrastrukturën sportive në të gjithë Shqipërinë, ku FSHF ka qenë investitori më i madh në këtë drejtim.

Disa skuadra elitare luajnë në kategoritë inferiore, mbetet ky një fenomen  shqiptar?

Ky nuk është aspak një fenomen shqiptar, pasi kemi raste pa fund në Europë, ku klube të njohura e me traditë kanë kaluar momente të vështira, duke milituar në kategori inferiore. Ky është realiteti i futbollit të sotëm, ku për shkak për menaxhimit jo të duhur dhe mungesës së rezultateve kemi edhe raste të tilla ku klube të njohura janë detyruar për një farë periudhe të marrin pjesë në kategori inferiore. Konkurrenca është shumë e lartë dhe nëse nuk arrin të ecësh me hapin e kohës, rezultatet të ndëshkojnë.

Me arbitrat në veçanti, por edhe me zyrtarët e tjerë të ndeshjeve, shikoni se ndryshimet nuk kanë qenë të prekshme gjatë vitit 2022?

Ne kemi bërë një punë voluminoze në drejtim të formimit dhe kualifikimit të arbitrave përgjatë viteve të fundit. Prej disa vitesh është krijuar Akademi e Arbitrimit, ku formohen arbitrat e rinj, ndërsa kualifikimi i arbitrave është një proces i vazhdueshëm e që mbështetet nga UEFA dhe FIFA. FSHF organizon rregullisht seminare apo testime periodike me arbitrat, qoftë për t’i përditësuar me ndryshimet ne rregullore apo me evoluimin e sistemit VAR, që ne e kemi përfshirë tashmë në ndeshjet e kategorisë “Abissnet Superiore” e që ka sjellë një efekt tejet pozitiv duke minimizuar ndjeshëm polemikat. Jeni dëshmitarë të rasteve kur arbitrat shqiptarë kanë bërë një performancë shumë të mirë në ndeshjet ndërkombëtare të UEFA-s, qoftë djemtë apo edhe vajzat.

Duke mbyllur gjysmën e sezonit 2022-2023, keni kohë për ndryshime në gjysmën tjetër?

Në FSHF punohet çdo ditë për të përmirësuar futbollin dhe nivelin e përfaqësimit, qoftë nga zyrtarët e arbitrat e ndeshjeve, ashtu edhe në përmirësimin e garës dhe përfaqësimit të klubeve në garat tona zyrtare. Organizohen me dhjetëra kurse formimi të njohura nga UEFA për profesionistët e futbollit, që nga trajnerët, përgatitësit atletikë, video-analistë, mjekë sportivë apo fizioterapistë. Asistojmë klubet e futbollit, që nga akademitë e deri te klubet elitare për krijimin e kushteve sa më të mira, duke i mbështetur me bazë materiale, logjistikë, investime apo dhe formimin dhe kualifikimin e administratës.

Finalja e Konferencë Ligë në Tiranë (25 maj), mund ta themi se ishte e merituar për Shqipërinë, tifozerinë shqiptare e futbollin tonë për vitin 2022?

Finalja e Konference League ishte finalizimi i punës disa-vjeçare të FSHF-së së bashku me UEFA-n. Ne fokusuam të gjithë vëmendjen dhe resurset tona për ngjarjen më të madhe të historisë së futbollit shqiptar, dhe jo vetëm, kthimin e Tiranës në Kryeqytetin e Futbollit për Europën me finalen e parë historike të UEFA Conference League. Ne ja dolëm dhe Shqipëria e futbollit tregoi para të gjithë botës se është e denjë të jetë në podin e më të mëdhenjve. Kemi treguar se dimë të organizojmë mirë ngjarje të rëndësishme si kjo.

Ju ishit në Botërorin e Katarit, si u ndjetë në pozicionin e një presidenti federate pa pjesëmarrje në ato ndeshje?

Kualifikimi për në finalet e një Botërori, për një vend si Shqipëria, dihet që është shumë i vështirë. Por, kurrë mos thuaj kurrë dhe ne do të vazhdojmë të pretendojmë mbase edhe me një rritje të pritshme të numrit të skuadrave pjesëmarrëse, por dhe me rritjen e nivelit të Kombëtares mbase mund të jemi një nga skuadrat pretendente. Botërori i Katarit na tregoi edhe një herë tjetër se ëndrrat mund të bëhen realitet dhe skuadrat e ashtuquajtura të vogla mund të bëjnë surpriza. Një shtysë kjo që na bën të punojmë edhe më shumë për të arritur në të tilla nivele.

Përqendrimi i punës vjetore

Kemi punuar dhe po vazhdojmë të investojmë te futbolli i fëmijëve dhe i vajzave, ku kemi bërë hapa të mëdhenj përpara duke parë që e kemi nisur pak si vonë në krahasim me vëndet e tjera që sot i konkurojmë denjësisht në arenën ndërkombëtare. Në ҫdo fushë vit pas viti arrijmë të investojmë me projekte dhe objektiva konkretë, për ta rritur në ҫdo drejtim futbollin shqiptar. Kur e kthej kokën pas shoh me kënaqësi që futbolli shqiptar në terma të përgjithshëm ka njohur zhvillime tejet pozitive.

Infrastruktura, ende e prekshme

Investimet në infrastukturë dhe besimi më i madh tek të rinjtë do t’i jepte sigurisht më shumë mundësi zgjedhjeje dhe ekipeve Kombëtare në të gjitha nivelet. Këtë vit ne inauguruam “Kukësi Arena”, stadiumin “Partizani”, stadiumin “Vora”, ndërtuam dhjetëra fusha të reja me përmasa standarde në Kukës, Durrës, Lushnje, Tiranë, Shkodër, Luz, Orikum si dhe po përmbyllim me sukses punimet në “Shtëpinë e Futbollit shqiptar”, një vepër gjigande dhe unikale për vendin tonë.

Kombëtarja pa trajner, Duka do e bëjë dhuratë në 2023-in!

Pas përfundimit të kontratës nga italiani Edy Reja, gjatë muajit dhjetor 2022 Kombëtarja shqiptare ka qenë zyrtarisht pa trajner. Në deklaratat e tij, Presidenti i FSHF-së Armand Duka, është shprehur se fillimi i muajit janar 2023 do ta gjejë Shqipërinë me një trajner të ri. Duke ju referuar edhe mediave të ndryshme në vendin tonë, kandidati në krye të listës për bankinën e Kombëtares shqiptare  mbetet argjentinasi Esteban Kambiaso, i cili pritet që të fillojë nga puna në muajin janar 2023. Ditët e fundit është përmendur edhe emri i kolumbianit Reinaldo Rueda, por ky duket si pjesë e “lojës” së emrave për këtë post.

Viti që po mbyllim, i jashtëzakonshëm në tërë kuptimin e fjalës

 

Duke qënë në ditët e fundit kalendarike të vitit 2022, në tërësi, ja se si e quan Armand Duka këtë vit për punën në institucionin e FSHF: “Një vit i jashtëzakonshëm në tërë kuptimin e fjalës, ndër më të suksesshmit që kam kaluar në drejtimin e FSHF, por sigurisht edhe me shumë elementë për të përmirësuar në vitin e ardhshëm. Ky ishte kurorëzimi i një pune 5 vjeҫare për organizimin e një finaleje europiane në vendin tonë. Ja dolëm dhe shkëlqyem në sytë e të gjithë botës, duke konfirmuar se jemi të aftë për të organizuar finale të mëdha në vendin tonë. 2022 ishte viti ku ne arritëm të ndërtojmë 12 fushë të reja futbolli dhe 3 stadiume, duke përmirësuar akoma më shumë infrastrukturën futbollistike. Zhvilluam 7 turne ndërkombëtarë, duke qënë një ndër Federatat që organizon më shumë kompeticione të tilla në Europë. Ishte i jashtëzakonshëm edhe për faktin se arritëm të finalizojmë me sukses projektin Uniforma Ime, duke u bërë partner me 15 mijë familje shqiptare falë dorëzimit të të gjithë veshjeve për të gjithë djemtë dhe vajzat që luajnë sot futboll shqipëri. Ekipi Kombëtar i vajzave arriti rekordin historik të pikëve në një fushatë kualifikuese për Kupën e Botës, duke na bërë me të vërtetë krenar. Vllaznia, kampionia e Shqipërisë në futbollin e vajzave, arriti në fazën e grupeve të UEFA Ëomen’s Champions League. Një arritje e jashtëzakonshme që na shtyn të investojmë akoma më shumë te futbolli i vajzave. Sigurisht që ekipi i meshkujve nuk arriti rezultatet e dëshiruara këtë vit, por ne jemi besimplot se 2023-shi do të jetë një vit i sukseshëm dhe do të arrijmë sëbashku objektivin për të arritur edhe njëherë në finalet e një Kampionati Europian. I kemi cilësitë, mundësitë dhe potencialin për ta prekur Gjermani 2024”.

 

Trajnerët e Kombëtares, 2002-2022

Giuseppe Dossena       (2002)

Hans-Peter Briegel      (2002-2006)

Otto Bariç                   (2006-2007)

Ari Haan                     (2008-2009)

Josip Kuzhe    (2009-2011)

Xhani De Biazi           (2011-2017)

Kristian Panuçi           (2017-2019)

Edy Reja                     (2019-2022)

Trajneri i ri post Reja?!

“FSHF-ja organizon 571 ndeshje në javë në të gjitha kategoritë. Janë me qindra futbollistë profesionistë, dhe po ashtu, qindra arbitra në të gjitha nivelet që mbështeten financiarisht nga Federata. Është një punë kolosale që bëhet çdo ditë e çdo javë, e cila udhëhiqet e gjitha nga administrata e federatës”

 

Verdiktet 2021-2022

Abissnet Superiore

Kampione        Tirana

Nënkampion Laçi

Zbritën nga kategoria

Skënderbeu e Dinamo

Ecuria në 2022-2023

Abissnet Superiore

Hynë në Superiore

Erzeni dhe Bylisi

Kryeson Partizani

Në fundin e renditjes

Kukësi dhe Teuta