Besart Xhaferri: Kryeministri i ardhshëm nga PD do të jetë për të gjithë qytetarët. Shqiptarët të pyesin veten nëse jetojnë më mirë para se të votojnë

62
Sigal

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Tiranë, Besart Xhaferri, ka dhënë një mesazh të qartë gjatë një interviste, teksa fushata elektorale ndodhet në kulmin e saj.

Ai theksoi se ndryshimi i qeverisjes duhet të shihet me besim dhe jo me frikë nga qytetarët.

“Kryeministri që do vijë nga radhët e PD do të jetë kryeministri i të gjithë shqiptarëve, jo vetëm i demokratëve,” deklaroi Xhaferri, duke nënvizuar frymën gjithëpërfshirëse që synon të sjellë opozita në qeverisje.

Duke iu drejtuar qytetarëve, Xhaferri i ftoi ata të reflektojnë mbi realitetin e tyre të përditshëm përpara se të shkojnë në votime. “Shqiptarët duhet të pyesin veten: a jetojnë më mirë, a u dalin lekët në fund të muajit, a kanë ujë 24 orë në shtëpi, a i kanë fëmijët pranë apo kanë ikur në emigracion?” tha ai.

Sipas Xhaferrit, përgjigjet e këtyre pyetjeve duhet të udhëheqin votën më 11 maj, duke i dhënë fund një qeverisje që, sipas tij, ka larguar qytetarët nga vendi dhe ka përkeqësuar jetesën e tyre.