INTERVISTA/ Ish-qendërmbrojtësi i Kombëtares, Geri Çipi, e mendon të vështirë me Serbinë, por me fat ja dalim
Agron KAJA

Në Shqipëri u zhvillua Evropiani U17, por vëmendja mediatike ka qenë e fokusuar te ndeshja me Serbinë, pse ndodh kështu?
Midis Kombëtares së madhe dhe U17, them se janë dy evente të ndryshme. Sepse organizimi është tjetër gjë, dhe ndeshja direkt është diçka tjetër. Por është Ego sportive me Serbinë, dhe nuk kanë lidhje shumë me njëra-tjetrën.
Në Shqipëri, Serbia vjen pas 10 vitesh (më 8 tetor 2015, 0-2), do ndikojë ky rezultat në përballjen e 7 qershorit?
Është një ndeshje kualifikuese me një ekip konkurrent dhe realisht, Serbia është ekip më i fortë se ne. Futbolli e lejon ta bësh këtë dallim, por është edhe i çuditshëm kur luhet si skuadër, dhe njëherësh është edhe fati në mes.
Ndërkohë, atmosfera e ndeshjes së Beogradit më 14 tetor 2014, do ketë ndikim në lojë e në shkallët e stadiumit?
Shqiptarët e kanë treguar veten, nuk ndodh si në Serbi. Unë mendoj se nuk do ketë ndikim fare ajo situatë. Tek ne, tifozi do jetë “Lojtari i 12-të”, jo me urrejtje në stadium. Jemi ekip që të luajmë futboll, dhe me pak fat edhe ja dalim.
Historia mes Shqipërisë me Serbinë është e tensionuar, pse ndodh kjo me këtë fqinj gjeografik?
Detyrimisht ndodh kjo situatë, sepse duke qënë në një kombëtare Kombi, ku pjesë janë edhe nga trevat e tjera shqiptare, ndaj Serbia kalon në këto situata urrejtje. Një gjë është pozitive në këtë sfidë, se në stadium nuk do të ketë tifozë nga Serbia.
Me Serbinë kemi bilanc të barabartë (nga 1 fitore seicila), sa ndikim kanë shifrat për sfidën e radhës?
Absolutisht që nuk kanë të bëjnë shifrat. Sepse sfida është momentale, shikohet gjëndjet e futbollistëve dhe është tjetër historia. Në rezultat, vetëm gjëndja e lojtarëve merr ndikim, pjesa tjetër mbetet vetëm në shifrat e historisë.
Në stadium do jenë 22 mijë tifozë, sepse UEFA e hoqi dënimin për 5 mijë vënde, ndikon kjo te atmosfera kuqezi?
E thashë më sipër, se në ndeshjet e Kombëtares sonë tifozi është “Lojtari 12-të” që i jep bukurinë ndeshjes. Edhe pse gjithçka vendoset në fushën e lojës, unë mendoj se tifozeria do jetë adrenalinë për kombëtaren. Ndikimi është pozitiv.
Në dy ndeshje, Shqipëria në Grupin K ka fiksuar 1 humbje dhe 1 fitore e Serbia e ka ndeshjen e parë, si e përshkruan situatën në këtë grup?
Natyrisht që është një situatë normale për vetë emrat e skuadrave në këtë grup. Por Shqipëria me dy ndeshjet që ka luajtur, është thuajse i kolauduar dhe është pozitive, ndërsa Serbia vjen edhe me disa mungesa të rëndësishme.
Kompanitë e basteve në Europë e favorizojnë Serbinë, po parashikimi juaj 1X2, cili do të ishte?
Unë e përmenda më sipër për këtë sfidë, se Serbia në letër është më favorite nga ne. Por duke dalë nga bastet, që edhe ato kanë punën e tyre, unë them se është zemra ajo që do vendosë në në fushë, por edhe fati do ketë ndikim për ne.
Në Grupin K të Botërorit 2026, cilat skuadra mendoni më pranë kualifikimit?
Është shpejt për të folur për kualifikimin në grup, sepse duhet pritur edhe pak. Ndoshta pas ndeshjes së katërt merr formë renditja. Por Anglia është Angli dhe mbetet favorite, ndërsa për vëndin e dytë gjithçka mbetet e hapur mes nesh e Serbisë.
Stojkioviç zbut atmosferën: Shqiptarët, miqtë tanë në futboll
Mes tensionit që nuk e fshehu, dje trajneri i Serbisë, Dragan Stojkioviç u shpreh se shqiptarët janë miqtë tonë në futboll. Përsa i përket udhëtimit në Tiranë, Stojkoviç ishte i qetë, ku u ndal edhe te organizimi i përbashkët të Euro U-21.
“Është një ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme, si për ta ashtu edhe për ne, por në fund të fundit është vetëm një ndeshje. Shqiptarët janë miqtë tonë në futboll dhe ata me të cilët do të organizojmë Europianin për moshën U21 vjeç. Nuk na interesojnë aspak tensionet politike dhe mesazhet e tifozëve. Jam i bindur se do të kemi mikpritje të shkëlqyer”.

“BOTËRORI 2026”
Kualifikueset-Grupi K
Ndeshjet-Shqipëria
Angli-Shqipëri 2-0
Shqipëri-Andorrë 3-0
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Anglia 2 6
2.Shqipëria 2 3
3.Letonia 2 3
4.Serbia 0 0
5.Andorra 2 0
Datë 7 qershor 2025
Shqipëri-Serbi 20:45
Datë 10 qershor 2025
Letoni-Shqipëri 20:45
Datë 9 shtator 2025
Shqipëri-Letoni 20:45
Datë 11 tetor 2025
Serbi-Shqipëri 20:45
Datë 13 nëntor 2025
Andorrë-Shqipëri 20:45
Datë 16 nëntor 2025
Shqipëri-Angli 20:45
DEKLARATA TË LOJTARËVE TË KOMBËTARES
Qazim Laçi: Në ekip përgatitemi për fitore, ajo ka rëndësi!

Mesfushori Qazim Laçi, në paraqitjen e tij në konferencën për shtyp së bashku me Elsedi Hysajn, u shfaq optimist dhe me fokusin vetëm te fitorja. Vlerësimi për ndeshjen, nuk e pengon skuadrën tonë të arrijë fitoren. “Me Serbinë është një ndeshje shumë e fortë, nuk është njëra apo tjetër skuadër e favorizuar. Ne do përgatitemi nga ana jonë për fitoren, ajo ka rëndësi për momentin. Do mundohemi ta marrim ndeshjen si profesionistë dhe mos emocionohemi aq shumë si njerëzit jashtë. Është gjë e mirë kjo se dhe ne në fushë mund të japim më shumë. Besoj se tifozët do jenë gjithmonë pas nesh, siç kanë qenë gjithmonë. Në gjithë këto vite që jam këtu, nuk kanë bërë asnjëherë gjëra të këqija. Kemi një shans të madh sepse e luajmë në shtëpinë tonë, kjo do jetë forca jonë besoj. Nga minuta e parë duhet të futemi me mendimin për të fituar ndeshjen, emocionet t’i lëmë jashtë fushës”.
Elseid Hysaj: Fitorja është krenari, të bëjmë ndeshje të mirë

Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, mbrojtësi i Kombëtares sonë, Elseid Hysaj, nuk e mohoi presionin e madh që ka krijuar ndeshja me Serbinë. Ai e quan një ndeshje të rëndësishme, sepse janë ndër kundërshtarët më direkt me ekipin tonë. “Marrëdhëniet në vendet tona nuk duhet të hyjnë te futbollistët, ne duhet të luajmë ndeshjen tonë, të jemi të përqëndruar, të qetë, e dimë që kundërshtar direkt, dhe mos mendojmë për probleme anasjellas siç mund të kenë. Të gjithë e dinë historinë e Shqipërisë. Thjesht kam thënë të jemi sa më të qetë dhe të bëjmë ndeshjen më të mirë në fushë”, kështu e përcolli fillimisht Hysaj situatën, ndërkohë që sipas tij, të gjitha ndeshjet në grup janë të rëndësishme. “Të gjitha ndeshjet e grupit janë të rëndësishme, por kjo ndeshje direkte për ne, por kundër Serbisë është krenari. Të luajmë letrat tona më mirë dhe të kemi mundësi për ta fituar ndeshjen”.




















