Votimi për kreun e LSI, Ilir Meta: Rritja e anëtarësisë së LSI do të thotë fuqizim i kësaj force politike

448
Sigal

E rëndësishme për Metën është pjesëmarrja dhe diversiteti
në këto zgjedhje, pasi këto do të kontribuojnë për vizionin e duhur mbi të
ardhmen e vendit.




“Ky është një proces shumë pozitiv, që do të
çlirojë energji shumë të mëdha për LSI-në, sepse konfirmon një hapje të LSI-së
dhe një angazhim për të avancuar në një stad më të ri, përmes kësaj
pjesëmarrjeje, kësaj vote dhe kësaj atmosfere pozitive. Diversiteti ka qëllimin
e përbashkët që LSI të ketë vizionin e duhur për të ardhmen e vendit dhe një
organizim e funksionim shumë më të mirë cilësor e përfaqësues për të realizuar
këtë vizion. Ajo që keni parë dhe do të shihni deri në fund të procesit,
shpresoj që të jetë një moment i ri i një gare edhe më të rëndësishme përpara.
Rëndësi për mua ka mbarëvajtja e procesit dhe shkalla e pjesëmarrjes. Sot
LSI-ja duhet të tregojë një shkallë të lartë motivimi, ndaj i ftoj të gjithë të
marrin pjesë në këtë proces. Rritja e anëtarësisë tregon se aq më e qetë dhe më
e sigurtë është Shqipëria dhe e ardhmja europiane e saj”, u shpreh ndër të
tjera Meta.




I pyetur nëse do të merren në konsideratë kërkesat
e dy rivalëve të tij në këtë garë, sikur ndonjëri prej tyre të arrijë mbi 10
për qind të mbështetjes në parti, Meta theksoi:




“Ne do të kemi në konsideratë jo vetëm kërkesat e
çdo kandidati, por edhe të çdo anëtari. Do të presim rezultatin dhe duke qenë
se të gjithë jemi pjesë e LSI-së, angazhimi i të gjithëve synon përmirësimin e
kësaj partie. Pavarësisht kërkesave të kandidatëve të tjerë, LSI-ja duhet të
kuptojë edhe më mirë se çfarë mund të përmirësojmë në të ardhmen e vendit. Sot
për sot zgjedhim kreun dhe delegatët, ndërsa për zgjedhjet e përgjithshme dhe
koalicionet kemi mbledhjen e Konventës në dhjetor”.