Vizita e Venizelos në Tiranë, shpresë për marrëdhëniet bilaterale

448
Sigal

Zv/kryeministri grek do të takohet sot me Presidentin, kryeministrin dhe kryetarin e PD-së

Sot viziton zyrtarisht Tiranën, Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Evangjelos Venizelos, i cili është, njëkohësisht, edhe kryetari i PASOK-ut.

Axhenda: Takime me të gjithë krerët e shtetit shqiptar

Është vizita e parë e zotit Venizelos, si Zv/kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Qeverisë Greke në Tiranë. Sot Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm grek do të takohet me Presidentin Nishani, me Kryeministrin Rama, me ministrin e Jashtëm Bushati, me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha dhe së fundi, do të takohet edhe me Kryepeshkopin Janullatos.

Në tavolinën e bisedimeve, pikësëpari, marrëveshja detare

Kjo vizitë e kryediplomatit grek, Venizelos, do të jetë tentativa e parë e Qeverisë Greke, për të zhbllokuar marrëdhëniet midis të dy vendeve fqinje, nga ngërçi ku u përfshinë, pas anulimit nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, të marrëveshjes për kufirin detar. Menjëherë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, është evidentuar një predispozicion i të dy palëve për t’i zhbllokuar marrëdhëniet, sapo qeveria “Rama” të merrte detyrën. Në fakt, Kryeministri i ri shqiptar, bëri një vizitë private në Athinë, në fillim të gushtit, ku u takua me Kryeministrin Samaras, si dhe me Venizelosi,; këtë të fundit e takoi edhe në cilësinë e Kryetarit të Partisë simotër Socialiste. Në disa intervista, dhënë kohët e fundit mediave greke, Rama ka konfirmuar gatishmërinë dhe vullnetin e të dy palëve “për të kapërcyer çdo problem të momentit”. Më tej, ka përsëritur bindjen e tij se marrëdhëniet midis të dy vendeve do të shënojnë një bashkëpunim të ngushtë, në dobi të secilës prej palëve. Sipas burimeve  nga Ministria e Jashtme Greke, në takimet që Venizelos do të zhvillojë me palën shqiptare, do të diskutohet gjithë gama e problematikës së marrëdhënieve politike dhe diplomatike ndërmjet dy vendeve tona.

Athina konsideron si prioritet marrëveshjen për kufirin detar, e inkurajuar edhe nga deklarata e kryeministrit Rama, se “do të duhet të diskutojmë dhe të gjejmë mënyrën e duhur për ta riaktivizuar, me respekt të plotë ndaj pikëpamjeve të njeri-tjetrit, por nga ana tjetër me gjithë vullnetin e mirë që kërkon nga të dy palët e ardhmja e përbashkët”.

Një tjetër temë prioritare, e ndërlidhur me marrëveshjen për kufirin detar, është vendimi i Athinës për të avancuar në shpalljen e zonave ekskluzive ekonomike. Aksion për të cilin, sa kryeministri Samaras, aq edhe Venizelos, janë shprehur vazhdimisht se do të bëhet në marrëveshje me vendet fqinje.

Gazsjellësi TAP gjithashtu do të ketë një vend të rëndësishëm në bisedime, me synim bashkërendimin e veprimeve midis Athinës, Tiranës e Romës.

Sigurimet shoqërore të emigrantëve, në axhendën e bisedimeve

Si një risi vlerësohet përfshirja në axhendën e bisedimeve diskutimi mbi sigurimet shoqërore të emigrantëve shqiptarë në Greqi, që konsiston në njohjen e viteve të punës në tokën helene. Megjithëse tratativat kanë nisur që në fillim të viteve 2000, në këtë çështje nuk ka patur asnjë zhvillim pozitiv deri më tani. Siç dihet, në Greqi, në këto 20 vjet kanë punuar me qindra mijëra emigrantë shqiptare, dhe e drejta e transferimit, e ndërsjelltë e sigurimeve shoqërore të emigrantëve, është një nga kërkesat themelore të emigrantëve, për të përfituar pension, duke qenë se shumë prej tyre janë larguar nga Greqia, edhe për shkak të krizës ekonomike.

Problemi i  toponimeve në pasaporta, drejt zgjidhjes përfundimtare

Më tej, problemi jashtëzakonisht shqetësues i toponimeve në pasaportat e fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi, ku pritet që të dy palët të dakordojnë një zgjidhje përfundimtare. Kryeministri Rama është zotuar, që do të ketë një zgjidhje përfundimtare, duke thënë qartë se  emigrantët do të përjashtohen nga çdo kosto financiare.

Vota “pro” e Qeverisë Greke në diskutimin e statusit kandidat

Ministri i Jashtëm grek pritet gjithashtu të diskutojë me palën shqiptare ecurinë e procesit të integrimit europian të vendit fqinj, por edhe çështje rajonale, teksa Presidenca Greke e BE do t’i mëshojë veçanërisht integrimit të Ballkanit Perëndimor.