Janush Bugajski/ Samiti i BE-së në Lituani, një ballafaqim madhor midis Brukselit dhe Moskës

543
Sigal

Samiti i BE-së në Vilnius të Lituanisë në nëntor premton të jetë një ballafaqim madhor ndërmjet Brukselit dhe Moskës. Gjatë javëve të fundit, konturet e betejës janë hartuar ndërmjet projektit europian dhe atij euro-aziatik, dhe ato shtillen rreth anëtarësimit të disa shteteve post-sovjetike. Nën Presidencën e Lituanisë, BE-ja ka përforcuar angazhimin e saj për të nënshkruar marrëveshjet e asocim stabilizimit dhe ato të tregtisë së lirë me Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Këto marrëveshje konsiderohen si hapi i parë në shkallën e gjatë drejt integrimit në BE. Por në vend që ta shohë nismën e BE-së si një mjet për të stabilizuar fqinjët e saj, Moska e konsideron Samitin e Vilniusit si një kërcënim të drejtëpërdrejtë ndaj interesave të saj. Ambiciet e Qeverisë Ruse sillen rreth krijimit të një Bashkimi Euro-Aziatik në të cilin ish republikat sovjetike duhet të anulojnë angazhimet e tyre për hyrje në BE. Një BE në zgjerim sfidon projektin euro-aziatik të Putinit për një sërë arsyesh. BE-ja është një zgjedhje strategjike që do të parandalonte shkrirjet e ardhshme me Rusinë. Rregullat dhe rregulloret e saj minojnë praktikat korruptive të elitës moskovite. Hyrja në BE, gjithashtu, përmirëson kualifikimet e secilit vend për integrim në NATO dhe për lidhje më të ngushta me SHBA-në. Zyrtarët rusë po ushtrojnë një trysni gjithnjë e më të madhe për të penguar aspiratat evropiane të fqinjëve të tyre. Moldavia kërcënohet me kolaps ekonomik dhe vendit i janë vendosur tashmë sanksione. Kremlini gjithashu luan me separatizmin e Transdniestrit për të korrigjuar qëndrimin e Moldavisë. Por kërcënimi më serioz po i bëhet Ukrainës. Këshilltari i Kremlinit Sergei Glasiev paralajmëroi se do të ketë kaos nëse Ukraina nënshkruan marrëveshjet me BE-në. Ai ka kërcënuar me një bllokadë ekonomike, me rritje të çmimit të energjisë dhe me dhënien fund të një traktati që njeh kufijtë e Ukrainës. Moska do të përkrahte kësodore lëvizjet separatiste dhe madje do të ndërhynte për llogari të tyre. Në fakt, Kremlini ka sfiduar ekzistencën e Ukrainës, si një shtet i unifikuar. Stefan Fule, Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, ka kritikuar fuqimisht trysninë e Rusisë dhe administrata amerikane po ashtu ka pohuar se kërcënimet e Moskës bien ndesh me angazhimet e saj ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë dhe parimet e OSBE-së. Nëse Rusia vërtet kalon nga kërcënimi në veprim ndaj fqinjëve të saj, për Brukselin dhe Uashingtonin është thelbësore të mbajnë një pozicion të fortë dhe të unifikuar në mbrojtje të këtyre vendeve evropiane.