Viti i Ri: Zyrtarët e Rilindjes e mbyllin dhjetorin me pullë të kuqe

184
Sigal

Viti i Ri u ka shtuar oreksin drejtuesve që po u vërsulen fondeve të mbetura, duke shpenzuar miliona me tendera me flamuj të kuq pa garë. Fondet publike po zhvaten teksa qytetarët mezi mbushin barkun nga rritja e çmimeve. Ja pazaret e firmosura nga drejtorë, kryebashkikakë e deri te Nikolla e Kuvendit për blerje makinash luksi, naftë, matësa uji dhe mbjellje bari

Drejtuesit u vërsulen fondeve të mbetura, “thes” me tendera me flamuj të kuq “dhurata” për Vitin e Ri

 Vitit të Ri, përveç pamjeve festive që po zbukurojnë qendrat e qyteteve, ka si “dekor” edhe babëzinë e heshtur të drejtuesve shtetërorë të çdo niveli, veprimtaria e të cilëve në këto ditë të fundit të vitit, po shoqërohet me ofensivën e shfrenuar të tyre, për të zhvatur sa më tepër nga fondet publike, duke përdorur si “maskë mbrojtëse”, një të drejtë ligjore me termin “tender”, por që realisht janë abuzime financiare të paramenduara, në bashkëveprim me vartësit e tyre që bëjnë pazaret e firmosin letrat zyrtare dhe me subjektet private, që paracaktohen si fitues të këtyre tenderëve. Gazeta “Telegraf”, po vazhdon edhe sot, publikimin këtyre abuzimeve që duket sikur po zhivillohet lufta mes klasave se kush jep më shumë tendera.

Vora jep 2.4 mln euro për mbetjet, fiton kompania që kërkoi më shumë

Institucionet e Pushtetit Vendor nuk heqin dorë nga prokurimet me procedura të dyshimta. Bashkia e Vorës ka shpallur fituesin e tenderit për pastrimin dhe largimin e mbeturinave të këtij qyteti, duke skualifikuar disa oferta.Në prokurimin me vlerë 273 milionë lekë, ose 2.4 milionë euro, kanë marrë pjesë 5 kompani. Katër prej tyre janë skualifikuar nga gara dhe fitues është shpallur subjekti, ALKO-IMPEX General Construcion. Një nga kompanitë e skualifikuara është edhe subjekti “Rej”, i cili edhe pse kishte ofertën me kosto më të ulët, është eleminuar nga gara.

Sipas dokumenteve të tenderit, kjo kompani është skualifikuar pasi Komisioni i Verifikimit të Ofertave kur ka shkuar të verifikojë nëse subjekti dispononte mjetet e nevojshme për të realizuar punën, punonjësit nuk kanë arritur të hyjnë në vendin përkatës. Për këtë arsye, komisioni ka marrë vendim që të përjashtojë nga gara kompaninë që për të realizuar punën, kërkoi 231 më pak se kompania fituese.
Ndërkohë kompania që ka marrë tenderin, ka kërkuar 2.3 milionë euro, ose sa 97.5% të vlerës së tenderit për të kryer punën për 3 vite, që nga nënshkrimi i kontratës.
Në dokumentet e tenderit, thuhet se mbeturinat do të depozitohen në landfillin e Sharrës, por nuk është specifikuar nëse kompania fituese do të paguajë edhe tarifën e incenerimit, apo këtë pjesë e ka veçan Bashkia.

 

Kuvendi e mbyll mandatin me 270 mln lekë tender për naftë për deputetët

Çdo herë nga foltorja e Parlamentit qeveritarët vazhdojnë t’u kërkojnë qytetarëve të kursejnë energji dhe karburant. Sipas saj, nuk ka asgjë të keqe të shkosh në këmbë në punë apo edhe me transport publik, sepse jemi në luftë!

Por, ç’ndodh në Kuvend?

Me firmë të Lindita Nikollës, po blihet karburant, që deputetët të kenë rezerva edhe për dy vitet e ardhshme. Edhe pse akoma nuk është hapur buxheti i vitit 2023, si dhe nuk dihet se si do të ecin çmimet e karburanteve, Kuvendi po blen naftë për vitin 2024.

Kryebashkiaku i Korçës i fal Zhulietës 80 mln lekë, tenderi pa garë për 3 mjete

Dhuratat të shtrenjta për Vitin e Ri nga kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo! Nuk janë kukulla, por makina të vërteta! Me datë 21 dhjetor 2022 ai ka firmosur një kontratë përmes të cilës do të blihen makina për Ndërmarrjen e Shërbimeve Publike Korçë. Sipas të dhënave, Bashkia Korçë ka lënë në dispozicion për blerjen e këtyre mallrave 80 milionë lekë. Mbase duheshin këto makina, por mënyra se si po shpenzohen paratë, e bëjnë tenderin të duket si dhuratë për fituesen. Pra, përveç se po shpenzon miliona lekë vetëm për 3 automjete, Filo po i shpërdoron ato në shkelje të ligjit.

Llatja u jep “Vëllezërve Hysa” 1.5 mld lekë për asfaltim rrugicash

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledjan Llatja, rikthen sërish në aferën e tenderëve patriotët e tij, “Vëllezërit Hysa”. Pas shumë denoncimesh që u bënë në media për kontratat korruptive që përfitonte kjo kompani, për disa kohë nuk u ndjenë më nëpër gara. Por, në prag festash, Llatja po i rikthen fuqishëm Hysajt. Jo pak, por mbi 1.5 miliardë lekë iu derdhen në arkë pa garë.

120 mln lekë për matësit, fiton oferta e shtrenjtë

Kryetari i bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi, shkel gazin në fund të mandatit duke hedhur miliona lekë për matësa uji në pallate. Tenderi është publikuar me datë 12 dhjetor 2022, në Agjencinë e Prokurimeve Publike, me objekt “Furnizim dhe vendosje matësish uji në pallatet me kolonë të brendshme”. Sipas të dhënave, Bashkia Tepelenë do të shpenzojë 12 244 051 lekë. Kaq ka qenë oferta e  kompanisë fituese! Siç del nga dokumenti, mes 4 ofertave, Peçi ka shpallur fituese kompaninë  “NG STRUCTURE” me pronar Hekuran Hoxhën. 120 milionë lekë për disa matës janë shumë para!

Berberi i ARRSH “qeth” 1.3 mld nga “Rruga e Arbrit” për 3 firma

Lumë parash në Rrugën e Arbrit për tri kompani të tjera, ndërkohë që koncesionari nuk arrin të përfundojë punimet. Shpenzimet janë marramendëse dhe procedura është e paligjshme! Nuk shpjegohet se si me datë 5 dhjetor 2022, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka mbyllur një kontratë me vlerë 1,375,800,000 lekë, kur kjo rrugë është në përgjegjësi të koncesionarit “Gjoka Konstruksion”. Nuk mjaftojnë paratë që merr kjo kompani tani po bëhen tendera marramendës për firma që do të mbjellin me bar skarpatet e rrugës në një fshat. Siç dihet, ndërtimi dhe operimi i kësaj rruge është dhënë me koncesion ku parashikohen të gjitha investimet. Pra, ky tender është thela mbi bisht!

Ky tender ka si objekt “Sistemimi dhe rivitalizimi i skarpateve në Planhttps://ëëë.app.gov.al/i i Bardhë”. Fshati Plan i Bardhë është në anë të rrugës së Arbrit dhe rregullimet për këtë segment janë përfshirë në projektin e plotë.