Sekserët e koncesioneve në shëndetësi gllabërojnë fondet dhe privojnë qytetarët nga trajtimet mjekësore. PPP në shëndetësi në 1 vit marrin 34% më shumë fonde se kanceri

98
Sigal

Koncesionet PPP në shëndetësi në një vit marrin 34% më shumë fonde se kanceri

Teksa sëmundjet si kanceri ka përhapje të gjere përgjatë tranzicionit gjithashtu ka kosto të larta të trajtimit, taksat e qytetarëve dhe sigurimet e tyre rreth 150mld lekë shkojnë në xhepat e oligarkëve të PPP-ve.

 Koncesionet vijojnë të jenë gangrena e buxhetit të shtetit. Ndonëse ndërkombëtarët,FMN, BB, kanë shfaqur shumë rezerva dhe kërkojnë që qeveria të mos turret te PPP-të, në fakt ka ndodhur e kundërta. Çdo rrugë, shërbim shëndetësor dhe investim tjetër po jepet me PPP.

Pak ditë më parë ishte FMN që ngriti alarmin për koncesionet, duke thënë se qeveria nuk i kontrollon dot, sepse ka një numër të madh kontratash.

Ndërkohë Ministria e Financave ka publikuar të dhënat e kontratave koncesionare në vend dhe sipas raportit që ka siguruar Pamfleti, për vitin 2021 kanë shkuar për kontrata koncesionare 11.4 miliardë lekë.

Kontratat koncensionare PPP kanë deformuar fondet buxhetore të dedikuara për shëndetësinë, pasi nëpërmjet tyre po financohen shërbime që nuk kanë në themel trajtimin e sëmundjeve të rënda me kosto për qytetaret dhe që shkaktojnë më së shumti fatalitete.

Vitin e kaluar sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave të katër kontratat koncesionare PPP ne shëndetësi morën financime 30.8 milionë euro, në një kohë që fondet buxhetore për trajtimin e kancerit në të njëjtin vit sipas Ministrisë së Shëndetësisë ishin vetëm 23 milionë euro.

Fondet buxhetore për trajtimin e kancerit janë pak më të larta se shpenzimet për sterilizimin e sallave kirurgjikalë me kontrate PPP.

Sipas të dhënave zyrtare fondet për kontratat PPP në shëndetësi në vitin 2021 ishin 34% më të larta se fondet për trajtimin e të sëmurëve me kancer në të njëjtin vit.

Teksa sëmundja ka përhapje të gjere përgjatë tranzicionit gjithashtu ka kosto të larta të trajtimit. Kjo sëmundje është e nëntrajtuar me fonde publike dhe shumë terapi të reja mjekimi inovative nuk janë përfshirë ende në listën e rimbursimit.

Kanceri është një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën, përgjegjës për 8.2 milionë vdekje në vit, në Shqipëri humbin jetën nga kjo sëmundje 3500-3600 persona në vit.

Studimet e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se një e treta e këtyre vdekjeve janë të parandalueshme, dhe shumë lloje kanceri nëse zbulohen herët janë të shërueshëm.

Bazuar në të dhënat e regjistrit kombëtar të kancerit, çdo vit në Shqipëri shfaqen rreth 6000 raste të reja me tumore. Ato shkaktojnë mbi 16% të të gjitha vdekjeve (shkaku i dytë kryesor pas sëmundjeve kardiovaskulare). Çdo vit prej tumoreve humbin jetën mbi 3600 persona.

Rreth 10% e vdekjeve nga tumoret janë nën moshën 50 vjeç. Tumoret me të shpeshta janë tumori i mushkërive me rreth 800 raste të reja dhe tumori i gjirit me rreth 700 raste në 2018. Prirja e tumoreve në sistemin shëndetësor shqiptar ka qenë në rritje 3 gjatë dekadave të fundit, kryesisht për arsye të rritjes së moshës mesatare të popullatës, por edhe për shkaqe të tjera të lidhura më stilin e jetesës apo mjedisin. Kjo prirje është shprehur sidomos ne nivelin e përdorimit të shërbimeve shëndetësorë lidhur me sëmundjet tumorale.

Prirjet në kohë të incidencës për lloje të ndryshme të tumoreve nuk janë të njëjta. Kështu tumori i gjirit dhe tumori kolorektal (zorra e trashe) duket se kanë qenë në rritje, ndërkohë që tumori i stomakut apo ai i mushkërive, megjithëse tradicionalisht mjaft të shpeshtë në vendin tonë nuk janë duke u rritur.