Viktor Cervenaku: Kushërinjtë e deputetëve dhe ministrave mbushin administratën

643

Flet z. Viktor Cervenaku, Kryetar i Komunës Frakull, Fier: Mungesa e investimeve dhe reforma territoriale

“Fenomeni i njohur i nepotizmit dhe familjaritetit haste tek të gjitha institucionet shtetërore, ku ka munguar transparenca e proceseve të konkurrimit për publikun, madje, edhe për strukturat e PS-së. Tek gjitha emërimet në dikasteret e qeverisë, duke filluar nga ministra e deri te drejtues të institucioneve shtetërore në nivel qendror e lokal janë mbushur me familjarë të deputeteve dhe ministrave, kushërinj, baxhanakë dhe pjesëtarë të fiseve apo lidhjeve familjarë”. Kështu është shprehur Kryetari i Komunës Frakull, në qytetin e Fierit, për gazetën “Telegraf”. Sipas tij, Kryeministri Rama duhet të mbajë qëndrim të rreptë ndaj të paaftëve që kanë mbushur zyrat e shtetit dhe kanë harruar interesat e qytetareve. Ai shprehet se, drejtorët e rinj shfaqin burokraci kundrejt përfaqësuesve të pushtetit vendor. Komuna Frakull nuk ka marrë as një fond për investim, dhe se këto fonde shkojnë për ministra dhe zëvendësministra. “Jam kategorikisht kundër dy varianteve të projekteve të ndarjes së re territoriale. Shtirja territoriale e parashikuar në dy variante është shumë e madhe, gjë cila pamundëson totalisht kontrollin, organizimin dhe funksionimin e qeverisjes që nuk do të qëndrojë pran komunitetit, mungon infrastruktura rrugor e njësive vendore aktuale që lidh ato me qendrën Fier, që për rrjedhojë bëhet plotësisht e pamenaxhueshme”,- shprehet z. Cervenaku në lidhje me dakordësinë e reformës administrative.

Z. Cervenaku, sipas mendimit tuaj, a janë kryer sipas kritereve dhe normave ligjore emërimet në krye të institucioneve dhe punësimet në administratën publike?

-Fenomeni i njohur i nepotizmit dhe familjaritetit haste tek të gjitha institucionet shtetërore, ku ka munguar transparenca e proceseve të konkurrimit për publikun, madje, edhe për strukturat e PS-së. Tek gjitha emërimet në dikasteret e qeverisë, duke filluar nga ministra e deri te drejtues të institucioneve shtetërore në nivel qendror e lokal janë mbushur me familjarë të deputeteve dhe ministrave, kushërinj, baxhanakë dhe pjesëtarë të fiseve apo lidhjeve familjarë, edhe pse merita e vlerës dhe konkurrimi ishte kryefjala e premtimeve të z.Rama gjatë fushatës elektorale, edhe pse përpara zgjedhjeve ulërinin se do të mundësohej punësime sipas aftësive profesionale edhe për militantët. Kryeministri Rama duhet të mbajë qëndrim të rreptë ndaj të paaftëve që kanë mbushur zyrat e shtetit dhe kanë harruar interesat e qytetareve. Drejtorët burokrat nuk u hapin dyert drejtuese të pushtetit vendor dhe as që behët fjalë për përfaqësuesit e thjesht të PS-së. Ata janë të papërmbajtshëm. Kam një fis prej rreth 200 anëtarësh që mbajnë mbiemrin Cervenaku dhe deri më sot asnjë prej tyre nuk është punësuar, edhe pse kanë të drejtën ligjore dhe morale për t’u punësuar, por realisht jenë braktisur edhe pse janë specialistë dhe të profilizuar. Por, një ditë mbaron edhe gënjeshtra dhe nuk do të ketë Qeveria Rama se çfarë t’i kërkoj këtij populli që po e gënjen në lidhje me këtë problem. Prej gati një viti, nuk po mblidhet asambleja dhe strukturat e PS-së në rrethin e Fierit  janë kthyer në parti elektorale. Në lidhje me këtë problem, po përgatis një shkresë për kryeministrin Rama dhe kryetarin e grupit të deputeteve të qarkut fier, Gramoz Ruçi, njëherësh edhe deputet i zonës, si i vetmi politikan që i hap telefonin çdo fermeri të komunës Frakull.

A janë të mjaftueshme fondet e qeverisë për njësitë vendore?

-Qeveria shqiptare deri më sot nuk ka dhënë asnjë fond për pushtetin lokal, të paktën kjo është e sigurt për komunën Frakull. Qeveria nuk po na pyet fare edhe pse pushteti lokal ka rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik. Fondet po i marrin ministrat dhe zëvendësministrat. Fondet po ndahen si në kohën e qeverisjes së PD-së, në mënyrë të padrejtë. Komuna Frakull, ku fermeri punon për gjatë 24 orëve të ditës dhe natës, nuk mbështetet me fonde. Kryeministri Rama nuk po e orienton drejt, madje edhe e gënjejnë për kërkesat dhe nevojat e pushtetit lokal dhe fermerëve për sektorët e bujqësisë.

Si e konsideroni projektin e qeverisë për ndarjen e re administrativo-territoriale?

-Jam kategorikisht kundër dy varianteve të projekteve të ndarjes së re territoriale.  Varianti i parë i propozuar nga komisioni i posaçëm i parlamentit me 39 njësi vendore për bashki-rreth, ku përfshihen në një njësi vendore Bashkia Fier, Patos, Roskovec. Komunat Cakran, Mbrostar -Ura, Libofshë qendër, Afrim i ri, Dermenas, Topojë dhe ato, Levan, Frakull, Portez, Zharrëz, Ruzhdie, Kurjan Kuman dhe Strum, dhe ai i dyti me 47 njësi vendore, ku në rrethin e Fierit do të ketë dy njësi vendore krahas Bashkisë Fier, do të shkëputet edhe Bashkia Patos. Shtirja territoriale e parashikuar në dy variante është shumë e madhe, gjë e cila pamundëson totalisht kontrollin, organizimin dhe funksionimin e qeverisjes që nuk do të qëndrojë pran komunitetit, mungon infrastruktura rrugor e njësive vendore aktuale që lidh ato me qendrën Fier, që për rrjedhojë bëhet plotësisht e pamenaxhueshme. Ndërkohë që, problemet me azhurnimin dhe certifikimin e tokës bujqësorë të ndarë nga ligji 7501 nuk mund të gjejnë zgjidhje, përfshi këtu edhe konfliktet e shumta për pronësinë e tokës do të jenë të vështira, pasi njësia e vetme administrative nuk i njeh specifikat. Gjithashtu, ndarja e re territoriale, sipas varianteve të propozuara e bënë të pamundur që një njësi vendore ose dy të kenë efikasitet në sektorët e bujqësisë, ku kërkohet vëmendje e veçantë për sistemin e kullimit të më shumë se 3000ha tokë t komunës Frakull, atë të ujitjes, si dhe problemeve derivuese me rendësi për zhvillimin e sektorëve bujqësor. Madje, do të shtoheshin vështirësitë edhe për problematika të tregut të prodhimeve bujqësore etj. Problemi i ndotjes mjedisore, e cila është problematike në bashkinë e Fierit për shkak të keqmenaxhimit të mbeturinave urbane, ku ato janë jashtë kontrollit, do të ketë diversitet të madh kulturor dhe fetar etj.. Komunat Frakull, Cakran dhe Levan, që kanë më shumë se 50mijë banor dhe shumë resurseve, duhet të jetë një njësi vendore, si e vetmja zgjidhje për popullin e kësaj zone. Dy variantet e propozuara i interesojnë individëve oligarkë, por nuk do të lejohen t’ia arrijnë qëllimit pasi do të kërkohet referendum popullor për reformën e re administrative, ku të dëgjohet zëri i popullit.

Si e komentoni situatën në Komunën Lazarat?

-Duke qenë se, kam punuar prej 15 vjetësh në sektorët e Policisë së Shtetit dhe kam eksperiencë, Lazarati duhet të ishte goditur që përpara 10 vjetësh, kohë kur filloi lufta ndaj kultivimit të bimëve narkotike në të gjithë njësitë vendore. Edhe në Komunën Frakull, më parë është kultivuar lëndë narkotike, por sot ky fenomen është zhdukur plotësisht për shkak të luftës pakompromis kundër kultivuesve dhe trafikuesve.

A ekziston një ligj që thotë se, në komunat ku kultivohen bimë narkotike merret nën përgjegjësi kryetari i pushtetit vendor?

-Në kohën e qeverisjes së Berishës, u hartua një ligj që ngarkonte me përgjegjësi të drejtpërdrejt kryetarin e komunës dhe ndëshkohej ligjërisht për kultivimin e bimëve narkotike në territorin e njësisë vendore që ai drejton. Madje, qeveria e Berishës ka ndëshkuar për këtë problem vetëm krerët e njësive vendore që drejtohen nga socialistët, ndërsa kryetarëve të djathtë nuk u hyri gjemb në këmbë.  Edi Rama, duhet të zbatojë të njëjtin ligj. Nëse nuk do kryetari i komunës dhe bashkisë nuk mund të kultivohen bimë narkotike në territorin që qeveriset prej tij. Madje, duhet dhënë fund kultivimit dhe pastrimit të individëve dhe duhet dhënë prioritet fermerëve për kultivimin e kulturave bujqësore, blegtorisë etj..

Ju keni pasur përplasje me Prefektin e qarkut Fier, madje keni debatuar ashpër. Pse ka ndodhur një gjë e tillë dhe cilat kanë qenë shkaqet e vërteta? Kur ju keni investuar politikisht dhe nëpërmjet votave tuaja për Prefektin e Fierit ?

-Si Kryetar i Komunës Frakull dhe si përfaqësues i rëndësishëm në PS, kam votuar dhe mbështetur të gjithë përfaqësuesi ë e mbështetin vijën e kësaj force politike. Të gjithë ata që kanë devijuar ashtu, si ka ndodhur me prefektin e Qarkut Fier, Xhevit Bushi që është bërë prefekt me votat e PS-së, unë jam në opozitë. Prefekti  ka devijuar dhe nuk mbështet interesat thelbësore jetike të militantëve dhe simpatizantëve të PS-së për punësimin e tyre, duke ju kthyer shpinën atyre që kanë kontribuar për pushtetin e tij. Jam konfrontuar me prefektin, pasi përpara zgjedhjeve diskutuam dhe format e ndryshme që do të përdoreshin për punësimin e militanteve. Po rezultoi se pasi këta zotërinj morën forcën e pushteti, nuk u hapin më as dyert atyre. Asgjë nuk është bërë për punësimin e  militantëve. Ne duhet të qeverisim me njerëzit tanë, por po punësohen demokrat, ballist, republikanë etj.. Ndërkohë që, socialistë të ndershëm nuk kanë as bukë për familjet e tyre.