Departamenti Amerikan i Shtetit gjunjëzon sistemin gjyqësor në Shqipëri

453
Sigal

Gjykatat janë pre e korrupsionit, kërcënimeve dhe ngacmimeve politike

Republika e Shqipërisë është demokraci parlamentare. Kushtetuta ia njeh autoritetin ligjor parlamentit me një dhomë (Kuvendit), i cili zgjedh si kryeministrin ashtu edhe presidentin. Kryeministri kryeson qeverinë, ndërsa presidenti zotëron pushtet të kufizuar ekzekutiv. Më 23 qershor vendi zhvilloi zgjedhjet parlamentare, të cilat Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE) i përcaktoi si konkurruese dhe në përputhje me të drejtat themelore, por të zhvilluara në një atmosferë mosbesimi e cila ndikoi mjedisin zgjedhor. Forcat e sigurisë u raportuan autoriteteve civile. Forcat e sigurisë shkaktuan abuzime me të drejtat e njeriut. Problemet më thelbësore në lidhje me të drejtat e njeriut ishin: korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes, veçanërisht brenda sistemit gjyqësor; bllokimi i axhendës së reformave, në veçanti lufta kundër korrupsionit, për shkak se partitë politike u përqendruan te zgjedhjet e qershorit; dhe dhuna në familje e diskriminimi i grave. Problemet e tjera në lidhje me të drejtat e njeriut përfshinin rrahje nga policia dhe keqtrajtime të formave të tjera të të dyshuarve gjatë ndalimit dhe marrjes në pyetje, disa herë për t’u marrë rrëfime; kushtet e burgjeve nën standarde, sistem gjyqësor joefikas nën presionin politik dhe korrupsionin e përhapur si edhe abuzimi i fëmijëve. Vazhduan të përbënin problem fëmijët e rrugës dhe ata të zhvendosur, veçanërisht në radhët e komunitetit rom. Lënia mënjanë dhe abuzimi me komunitetet rome dhe ato egjiptiano-ballkanike ishin probleme serioze. Diskriminimi mbi bazën e orientimit seksual dhe identitetit gjinor kanë qenë gjithashtu problematikë. Vazhduan të raportoheshin raste të trafikimit të personave. Pandëshkueshmëria vazhdoi të mbetej problem. Përpjekjet e qeverisë për të ndjekur penalisht zyrtarë që kishin kryer abuzime ishin të sporadike dhe të paqëndrueshme. Zyrtarët e qeverisë dhe politikanët si edhe gjyqtarë e persona me interesa të fuqishme biznesi shpesh ia dilnin të shmangnin ndjekjen penale. Janë dënuar për abuzime zyrtarë të niveleve të ulëta. Disa zyrtarë të qeverisë që kanë qenë dukshëm të përfshirë në raste abuzive janë shkarkuar dhe transferuar në poste të tjera qeveritare pa marrë asnjë ndëshkim.

Procedurat e gjykimit

Ligji parashikon se i pandehuri konsiderohet i pafajshëm derisa t’i jepet dënimi. Ligji u jep të drejtën të pandehurve të informohen menjëherë dhe me detaje në lidhje me akuzat, me përkthim falas nëse është e nevojshme, si edhe të drejtën për gjykim publik të lirë e të drejtë pa vonesa. Sistemi gjyqësor nuk garanton gjykime me juri. Të pandehurit kanë të drejtë të konsultohen me avokat, dhe t’u sigurohet një i tillë me shpenzimet e shtetit nëse nuk e përballojnë dot. Ligji u garanton të pandehurve kohë të mjaftueshme dhe mjedise për të përgatitur mbrojtjen, si edhe të shqyrtojnë provat e prokurorisë. Të pandehurit kanë të drejtën të përballen me dëshmitarët kundër tyre dhe të paraqesin dëshmitarë dhe prova në mbrojtjen e tyre. Të pandehurit nuk mund të detyrohen të dëshmojnë apo rrëfejnë fajësi. Të pandehurit kanë të drejtë të apelojnë. Qeveria në përgjithësi i respektoi këto të drejta.

Të dënuarit dhe të ndaluarit politikë

Nuk pati raportime për të burgosur apo të ndaluar për motive politike. Ish të dënuarit politikë nën regjimin komunist vazhduan t’i kërkonin kompensim qeverisë. Në disa raste gjatë vitit, grupe ish të dënuarish politikë u përpoqën të protestonin kundër mospagimit nga qeveria të kompensimit dhënë atyre në mënyrë të ligjshme. Në thuajse çdo rast, autoritetet ndaluan organizimin e protestës dhe arrestuan organizatorët.

Procedurat gjyqësore dhe kompensimet civile

Ndërsa individët dhe organizatat mund të kërkojnë kompensime civile për dhunim të të drejtave të njeriut, gjykatat ishin pre e korrupsionit, inefikasitetit, kërcënimeve dhe ngacmimeve politike. U mbajtën shumë seanca dëgjimore në zyrat e gjyqtarëve, të cilat çuan në mungesën e profesionalizmit dhe mundësi për korrupsion. Këto faktorë ulën autoritetin e gjyqësorit, çuan në vendime të diskutueshme gjykatash dhe në zbatime kontradiktore të ligjit.

Mohimi i gjykimit të drejtë publik

Kushtetuta parashikon pushtet gjyqësor të pavarur; megjithatë, trysnia politike, kërcënimi, korrupsioni i përhapur dhe burimet e kufizuara penguan me raste gjyqësorin të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe efikase. Gjithashtu, seancat dëgjimore në gjykata shpesh bëheshin të mbyllura për publikun. Punonjësit e sigurisë së gjykatave rregullisht nuk lejuan hyrjen në seanca dëgjimore dhe po rregullisht merrnin në telefon gjykatësin drejtues të çështjes për të pyetur nëse personi që kërkonte të hynte mund të lejohej apo jo. Disa agjenci shpesh shpërfillën urdhrat e gjykatës. Politizimi i emërimeve në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese kërcënoi të minonte pavarësinë dhe integritetin e këtyre institucioneve.

 ****

Akuzohen për korrupsion, shitje vendesh pune dhe nepotizëm

Cili prej 120 zyrtarëve të akuzuar do të përballet me ligjin?

Artur AJAZI

Burime nga organi i akuzës së Elbasanit, thanë për “Telegraf” se “vetëm në 3 muajt e fundit, numërohen 120 denoncime zyrtarësh të administratës shtetërore në shkallë qarku, që janë akuzuar dhe paditur nga qytetarët, për nepotizëm, lidhje me aferat korruptive, shitje vendeve të punës, ndaj ka nisur hetimi dhe shumë shpejt do të nisin edhe çështjet penale”. Marrja e ryshfetit, gjobat e kërkuara, sorollatjet dhe sekserët, përbëjnë disa prej  denoncimeve të mbërritura prej disa kohësh, nga qytetarët e Elbasanit, në Prokurori, duke detyruar hetuesit të nisin gjurmimet, përgjimet dhe hetimet ndaj pretendimeve të ngritura. Sipas të njëjtave burime mësohet se “shumica e denoncimeve vijnë nga qytetaret që kanë  pasur probleme dhe hallet e tyre për ti zgjidhur në zyrat dhe në ndërmarrjet e shtetit. Hetuesit thanë se, “nga hetimet ka rezultuar qw pretendimet e qytetarëve janë të shoqëruara me data dhe orare të caktuara emra dhe detaje të tjera, me takimet që kanë pasur me drejtues dhe sekserët e tyre, pra kemi të bëjmë me akuza e denoncime për  nepotizëm, apo edhe shitjen e vendeve të punës, ata madje edhe për organizimin e rrjetit të tyre të sekserëve”. Shtrirja e korrupsionit tek dhjetëra e dhjetëra zyrtarë të institucioneve të shtetit në Elbasan, prej vitesh shpesh ka qenë objekt i Prokurorisë, por  shpesh kjo e fundit ka qenë e dekonspiruar. Duke mos dhënë detaje lidhur me akuzat mbi të cilat po shtrihen hetimet, i njëjti burim tha se, “qytetarët  ankohen se, sekserë të drejtuesve të institucioneve na kërkojnë para, për hallet, problemet, për punësimin, madje edhe për diçka që nuk ka nevojë të zgjidhet vetëm në pak sekonda”. Elbasani megjithëse qyteti me varfërinë më të dukshme në shkallë vendi, duket se ka shkallën e korrupsionit më të lartë, kjo pasi duhet thënë se edhe puna e organeve të drejtësisë, ka qenë e vakët, e pamjaftueshme dhe shpesh komprometuese. Gjithsesi, mbetet të presim rezultatet e hetimeve dhe të mësojmë se, cili prej 120 zyrtareve të akuzuar do të përballet me ligjin. Kjo ndoshta do të ishte edhe prova e madhe për t’i hequr “njollën” edhe organeve të drejtësisë në këtë qytet, të cilët edhe ato akuzohen nga qytetarët për mungesë të funksionimit të hallkave dirigjuese dhe zbatuese të ligjit.