VIDEO/ “Mësuesit po trajtohen si skllevër”, Vokshi: Nuk u paguhen orët shtesë

218
Sigal

Ish-deputetja Albana Vokshi u shpreh sot se Qeveria po i trajton mësuesit sikur të jenë skllevër. Vokshi tha se 34 mijë mësues dhe mësuese janë braktisur nga Qeveria, megjithëse janë në vijën e parë të luftës ndaj Covid-19.

“Punojnë mbi 20 orë shtesë në vështirësi të jashtëzakonshme, por paguhen maksimumi 6 orë shtesë në javë”, tha Vokshi.

Sipas ish-deputetes, Edi Rama nuk do t’ia dijë për askënd që punon me djersën e ballit, ndërsa mendon vetëm për oligarkët.

“Në Kosovë, mësuesit kanë paguar deri në 120 euro shtesë mësuesit për orët shtesë, ndërsa edhe shkollat i ka çertifikuar sipas standardeve të situatës së pandemisë. Edi Rama është i vetmi në Europë që keqtrajton mësuesit”, tha Vokshi.

Sipas Vokshit, për shkak të pandemisë, i kanë detyruar të punojnë dyfishin e normës së tyre.

“Një mësues jep mbi 40 orë mësim në një javë në kushte të vështira, me maskë, me stres, pa kushtet minimale të sigurisë, pasi në shkolla nuk ka ujë, as dezinfektantë. Dhe në fund të muajit, mësuesit nuk paguhen për mundin e tyre.

Pavarësisht se kanë punuar 20 apo më shumë orë shtesë, ata paguhen vetëm për 5-6 orë, një shumë krejt e papërfillshme për lodhjen e madhe, duke qënë në rrezik konstant për shëndetin dhe jetën.

Shpreh keqardhje për Ministren e Arsimit, e cila, njësoj si paraardhëset, ka vendosur të mos i shërbejë arsimit, por propagandës së kryeministrit në ikje.

Ministrja e Arsimit po e mashtron opinionin publik si për pagesën e orëve shtesë të mësuesve, ashtu edhe për përmasat e përhapjes së COVID19 nëpër institucionet e arsimit shkollor apo parashkollor.

Faktet nuk të lënë të gënjesh.

Përllogaritja e orëve shtesë të mësuesve tregon realitetin e rëndë me të cilin përballen mësuesit. Punojnë mbi 20 orë shtesë në vështirësi të jashtëzakonshme, por paguhen maksimumi për 6 orë mësimi.

14 e më shumë orë të tjera shtesë në muaj zhduken pa u vlerësuar, sepse Edi Rama nuk do t’ia dijë për askënd që punon me djersën e ballit. Për kryeministrin në ikje, pazaret me oligarkët dhe klientët e qeverisë janë i vetmi prioritet”, tha ajo.