VIDEO/ Gert Bogdani: Çast vendimtar, të marrim në dorë fatet tona dhe të bëjmë ndryshimin

102
Sigal

“Është çast vendimtar për të marrë në dorë fatet tona dhe për të bërë ndryshimin, të gjithë bashkë, pa dallim! Tirana sot ka nevojë për alternativë, shpresë, vëmendje dhe respekt ndaj qytetarëve”.

Prezantimi i Gert Bogdanit, në Primaret e PD-së për Bashkinë e Tiranës:

Të dashur demokratë dhe demokrate,

Të nderuar bashkëqytetarë të Tiranës,

I lindur dhe rritur në Tiranë, në një familje të vjetër tiranase, me traditë dhe vlera, kam jetuar çdo ditë me dashurinë dhe ndjeshmërinë më të thellë për qytetin tonë.

Kam mësuar të njoh e të dua çdo cep të Tiranës dhe të respektoj çdokënd që kontribon për Tiranën, Kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve. 

Fatkeqësisht ndër vite dhe sidomos këto 8 vite të fundit, Tirana ka pësuar një deformim të rëndë dhe ka përjetuar, jo vetëm një shkatërrim të trashëgimisë dhe identitetit, por edhe një përkeqësim të ndjeshëm të jetës sonë të përditshme si banorë të kryeqytetit!

Nuk ka asnjë banor të Tiranës, që nuk i vuan sot pasojat e keqmenaxhimit të qytetit!

Duke filluar që nga fëmijët, të cilëve u janë zhvatur hapësirat e gjelbëra dhe parqet e lojërave, për t’i kthyer në beton!

Ndërtimet dhe betonizimi pa kriter që po i marrin frymën çdo ditë e më shumë çdo banori të këtij qyteti!

Trafiku i rënduar çdo orë të ditës dhe çdo ditë të javës, i cili i vjedh qytetarëve para dhe kohë;

Ajri i ndotur që thithim përditë dhe ndotja akustike nga kamionët dhe betonieret që e kanë pushtuar qytetin.

Shkatërrimi i gjelbërimit, për të mbjellë beton!

Ambjenti i ndotur dhe kazanët e mbushur plot me plehra, ndërkohë që Bashkia çon dëm dhe paguan në mënyrë korruptive miliona euro për pastrimin dhe menaxhimin e mbetjeve dhe inceneratorëve!

Mungesa e furnizimit dhe cilësia e ujit të pijshëm, ku premtimi për 24 orë ujë në ditë, ka kohë që është bërë refren elektoral sa herë që ka zgjedhje!

Biznese e banorë që nuk kanë asnjë shërbim, por paguajnë taksa çdo herë e më të larta!

Mungesa e vëmendjes ndaj shtresave në nevojë, arroganca ndaj nënave dhe baballarëve që mundohen të sigurojnë jetesën si shitës ambulantë dhe sulmi ndaj kujtdo që mundohet të nxjerrë bukën e gojës me ndershmëri në këtë qytet;

Një transport publik që nuk garanton kushtet më minimale, jo thjeshtë të cilësisë, por as të sigurisë;

Mungesa e vendparkimeve, kostot e papërballueshme në krahasim me rrogat dhe gjobat e pafundme abuzive me të cilat banorët zgjohen çdo mëngjes mbi xhamat e makinave të tyre!

Një qytet që përmbytet me 12 minuta rrebesh vere, sepse paratë janë hedhur, por kanalizime nuk ka;

Një qytet ku ndërtohet sikur të ishte viti 2050, por infrastruktura ka mbetur ajo e vjetra ende në vitin 1950!

Mungesa totale e vëmendjes për zonat rurale, për infrastrukturën, për shërbimet e për mirëqënien e banorëve të këtyre zonave, vetëm sepse janë larg objektivit të kamerave dhe propagandës;

Mungesa e theksuar e respektit ndaj ligjit, arbitrariteti dhe dhunimi i pronës private dhe mirëqenies së komuniteteve të tëra Tiranës, duke filluar që nga shaktërrimet tek 5 Maji, Lapraka, Shkoza, Baldushku e Kombinati e deri tek mungesa totale e respektit të trashëgimisë, traditës dhe identitetit të kryeqytetit, që kulmoi me shkatërrimin e Teatrit Kombëtar!

*

Ndryshe nga çfarë mundohet të shfaqë propaganda, realitetin e jetojmë çdo ditë dhe realiteti flet qartë. Flet qartë për dekandencën urbane dhe modelin korruptiv që nëpërkëmb cdo ditë e më shumë dinjitetin dhe mirëqenien e secilit prej nesh!

Tirana quhet sot kryeqyteti i rinisë për vitin 2022, por të rinjtë e Tiranës nuk kanë ujë të lahen; nuk gjejnë shpresë në një qytet që nuk ka asnjë hapësirë publike për ta e që nuk i jep mundësi të ndërtojnë një të ardhme, sepse në Tiranë ndërtohet vetëm për oligarkët!

Fëmijët dhe të rinjtë e Tiranës e bëjnë ende mësimin me dy turne, sepse Bashkia lekët për shkolla ua jep konçesioneve korruptive. Edhe atëherë kur ndërton ndonjë shkollë, kostot i ka 4 herë më shtrenjtë se Bashkimi Europian, sepse lekët që duhet të ishin për fëmijët nuk investohen, por vidhen!

*

Problemet dhe hallet e përditshme, gjithësecili nga ne i përjeton çdo ditë në këtë qytet,

Ndaj ka ardhur koha që këto probleme të zgjidhen!

Sot është koha për një alternativë reale për mirëqeverisjen e qytetit tonë!

Për një model dhe një vizion ndryshe!

Tirana më shumë se kurrë ka nevojë për ndryshim!

*

Të dashur miq,

Prej kohësh tashmë, gjatë takimeve të njëpasnjëshme me demokratë dhe demokrate të çdo bindje e në çdo cep të Tiranës, kam dëgjuar thirrjen dhe energjinë për t’i prirë këtij ndryshimi;

Prej kohësh, gjatë takimeve dhe diskutimeve me qytetarë të Tiranës kam gjetur thirrjen dhe mbështetjen për ta sjellë këtë ndryshim;

Prej kohësh, gjatë konsultave dhe rrahjes së mendimeve me ekspertë, aktivistë e zëra kritikë, kam gjetur gadishmërinë dhe mbështetjen për të punuar për ta bërë të mundur këtë ndryshim;

*

Ndër vite kam punuar gjithmonë me integritet, me përkushtim dhe me alternativa konkrete për problemet e zonave që kam përfaqësuar dhe drejtuar, qoftë si Kryetar i Njësisë Bashkiake 10 në Tiranë, qoftë si deputet i Kuvendit të Shqipërisë; me energji dhe vizion në sjelljen e risive dhe zgjidhjen e problemeve të komunitetit.

Ndaj, jo thjesht si qytetar që vjen nga një familje e vjetër Tiranase, por mbi të gjitha si një prind i ri që ka vendosur që të ardhmen e familjes së vet, fëmijëve të vet, Ajrës dhe Reinartit, ta ndërtojë në këtë qytet;

Ndaj,

Me përulësi dhe vendosmëri,

Me përkushtim dhe përgjegjësi,

Me dinjitet dhe transparencë,

Me integritet dhe energji,

Me respekt për çdo qytetar e qytetare të Tiranës;

Kam marrë vendimin për të kandiduar për Kryetar të Bashkisë së Tiranës;

*

Sepse kam bindjen e plotë se Tirana ka ende mundësinë të jetë një qytet në shërbim të qytetarëve dhe jo të pushtetarëve;

Sepse kam bindjen e plotë se Tirana ka ende potencialin për t’u bërë kryeqyteti tek i cili të rinjtë vijnë për të ndërtuar të ardhmen dhe ëndrrën e tyre, dhe jo qyteti nga i cili ikin për të mos u kthyer më!

Sepse kam bindjen e plotë se Tirana duhet dhe do të jetë qyteti i të gjithëve, përtej prejardhjes, partisë, besimit, moshës apo gjithçkaje tjetër!

Sepse Tirana më shumë se kurrë, ka nevojë për ndryshim dhe koha për ndryshim është tani!

*

Shpallja e kandidaturës në këtë proçes primaresh, është zotimi im për të shërbyer me përkushtim dhe përulësi –  për t’i prirë kthesës për ndryshim që Tirana kërkon dhe meriton si metropol i shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.

Për t’i prirë rimëkëmbjes së Tiranës, e cila do të vijë vetëm përmes një vizioni të qartë të bazuar mbi transparencë dhe një programi që në qendër ka dinjitetin dhe mirëqenien e qytetarit.

Një programi që vendos prioritetet e duhura dhe që jetëzohet përmes konsultimit dhe përfshirjes së gjerë të intelektualëve, profesionistëve, krijuesve, aktivistëve, qytetarëve dhe komuniteteve, brenda Shqipërisë dhe në Diasporë – të cilët pushteti i sotshëm u ka mbyllur çdo derë, duke i shtyrë sistematikisht dhe me arrogancë jashtë zhvillimeve dhe projekteve madhore që shënojnë të tashmen dhe të ardhmen e Kryeqytetit.

Një programi që ka në qendër qeverisjen me përkushtim dhe punën e palodhur për të ngritur standartet e shërbimeve për qytetarët dhe lehtësive për sipërmarrjet private dhe profesionistët e lirë!

Një model të ri qeverisjeje i cili mundëson çlirimin e energjive prodhuese dhe krijuese të metropolit të shqiptarëve!

Një përkushtim për t’i kthyer qytetit dhe qytetarëve, dinjitetin që meritojnë!

*

Të dashur miq,

Ky është një moment vendimtar për të marrë në dorë fatet tona dhe për të bërë ndryshimin, të gjithë bashkë, pa dallim!

Tirana sot ka nevojë për alternativë, për shpresë, ka nevojë për vëmendje dhe respekt ndaj qytetarëve.

Tirana sot meriton të qeveriset me integritet dhe transparencë, me përkushtim dhe vizion për një qytet më të mirë, sepse Tirana meriton më shumë, qytetarët e saj meritojnë më shumë!

Ndaj, jam besimplotë që të gjithë së bashku, demokratë dhe qytetarë të Tiranës, mund ta sjellim dhe do ta sjellim këtë ndryshim!

Kush është Gerti Bogdani:

Gerti Bogdani, ka lindur dhe është rritur në Tiranë, me frymën dhe traditën më të mirë të familjeve autoktone tiranase Bogdani dhe Bërxolli.

Pasi mbaroi shkollën e mesme “Harry Fultz”, me rezultate të shkëlqyera dhe‘Medalje Ari’, Gerti Bogdani vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të New York-ut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u diplomua me ‘Nderimet më të Larta’ (Summa Cum Laude), duke u shpallur edhe fitues i Outstanding Graduate Award – ‘Medalje Ari’ në degën e Shkencave Kompjuterike. Pas rikthimit në Shqipëri, e nisi karrierën e tij profesionale në fushën akademike si Pedagog në Universitetin e New Yorkut –Tiranë.

Gjatë viteve të studimeve, si përfaqësues i shkollës “Harry Fultz”, Gerti ka qenë pjesëmarrës dhe fitues i një sërë turnamentesh rajonale dhe kombëtare të programit të debatit, e të aktiviteteve të tjera në rang kombëtar, si edhe pjesë e ekipit fitues të disa trofeve e kampionateve të basketbollit mes shkollave të mesme të Tiranës. Gerti është angazhuar në Këshillin Rinor Shqiptar në një sërë aktivitetesh si edhe për krijimin e Rrjetit të Qeverive të Nxënësve – sot, Parlamenti Rinor, dhe është gjithashtu një nga themeluesit e Rrjetit të Studentëve Shqiptarë në Botë – AS@N, me aktivitet dhe qëllim kryesor rikthimin në Shqipëri të studentëve të diplomuar jashtë vendit.

Në vitin 2005, pranon ftesën për t’u angazhuar në politikë shtyrë nga thirrja e brendshme qytetare për të kontribuar për vendin. Në vitin 2007 fillon detyrën si Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë i PD, të cilën e kryen me sukses deri në vitin 2019, duke zgjeruar ndjeshëm rrjetin ndërkombëtar në mbështetje, jo vetëm të Partisë Demokratike, por sidomos të Shqipërisë – që nga Kongresi e Senati Amerikan, Parlamenti Europian e Bundestagu Gjerman, veçanërisht në raste të votimeve të rëndësishme për Shqipërinë dhe Kosovën. Në këtë detyrë ai ka arritur me sukses të mbështesë anëtarësimin e PD në Bashkimin Ndërkombëtar Demokrat – IDU, aplikimin e LDK-së për anëtarësimin në Partitë Popullore Europiane – EPP, si dhe ka kontribuar në anëtarësimin me të drejtë vote të Partisë Demokratike në EPP.

Në vitin 2007 kandidon në Zgjedhjet Vendore, duke qenë i pari kandidat nga e djathta që bëhet kryetar i Minibashkisë nr. 10 në Tiranë dhe Kryebashkiaku më i ri i zgjedhur ndonjëherë, duke bërë për vete komunitetin dhe duke marrë mbështetjen e elektoratit të njësisë përtej ndryshimeve politike majtas apo djathtas.

Si Kryetar i Minibashkisë nr.10 me shtrirje në zonën historike të Tiranës, punon me përkushtim për të sjellë shërbime me standarte të përmirësuara dhe vënien në qendër të qytetarit. Investimet në njësinë 10 dhe standarti i vendosur në ofrimin e shërbimeve për qytetarët, u bënë model i vlerësuar në disa instanca kombëtare dhe ndërkombëtare për mirë qeverisjen vendore. Puna e tij në krye të Njësisë 10 fokusohet në të gjitha komunitetet, sidomos në shtresat në nevojë& bazohet në një mbështetje integrale ndaj të rinjve të zonës.

Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidon në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009 dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë.Gjatë dy legjislaturave parlamentare 2009 – 2013 dhe 2013 – 2017 kontribon në nisma ligjore me impakt për arsimin, mbështetjen sociale dhe të rinjtë. Gjatë dy mandateve parlamentare shërben në komisionin e Integrimit Europian & në komisionin e Medias, si dhe i përkushtohet problematikave të komunitetit autokton tiranas.

Nga viti 2009 e në vijim, ai merr detyrën si Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe i përkushtohet zgjerimit të anëtarësisë & gjallërimit të veprimtarisë FRPD-së në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. E shndërron FRPD në një alternativë të vërtetë për të rinjtë që kanë dëshirë për t’u angazhuar politikisht, duke vendosur standarte & duke krijuar një mjedis ku vlerësohen aftësitë & zotësitë.Gjatë kësaj periudhe përkushtohet në formimin dhe trajnimin e disa qindra të rinjve të FRPD në bashkëpunim me Forumet simotra të YEPP & IYDU – Forumi Rinor i EPP dhe Bashkimi Rinor Ndërkombëtar Demokrat, duke nxitur kështu edhe përmirësimin e imazhit të Shqipërisë dhe avancimin e axhendës së integrimit Europian. Në këtë kuadër Bogdani e zgjeron rrjetin e aktivizimit ndërkombëtar të FRPD dhe njëkohësisht organizon disa akitivitete vjetore dhe kongrese rinore të YEPP, IYDU e DEMYC në Tiranë, duke sjellë në Shqipëri disa qindra të rinj nga e gjithë bota.

Pas 2 viteve në pozicionin e Zv.Presidentit, në vitin 2014 zgjidhet President i IYDU – Bashkimi Rinor Ndërkombëtar Demokrat, në Asamblenë në Lisbonë & ushtron këtë detyrë 2014 – 2016, duke u bërë politikani i parë shqiptar që zgjidhet në një pozicion kaq të lartë drejtues në një organizatë ndërkombëtare.

Pas vitesh angazhimi aktiv në strukturat drejtuese, në zgjedhjet e 2019, bëhet anëtari më i votuar në Kryesinë e Partisë Demokratike, me mbi 70% të votave.

Gjatë gjithë karrierës në Shqipëri dhe jashtë vendit, Gerti ka qënë një mbështetje e fortë dhe e vazhdueshme të nismave politike & qytetare në mbrojtje të vlerave, trashëgimisë së Tiranës, lirisë & demokracisë në Shqipëri, duke organizuar nisma të shumëllojshme më të rinjtë dhe diasporën shqiptare.

Gerti Bogdani është i njohur si një nga personalitetet më me integritet në politikën shqiptare, me vlera familjare dhe i përkushtuar në punën e tij, me energji dhe vizion në sjelljen  e risive dhe gjetjen e zgjidhjeve për problemet e komunitetit që ka përfaqësuar.

Gerti është i martuar me aktivisten Edlira Çepani dhe është babai i Ajrës dhe Reinartit.