Vëzhgim / Inceneratorët marrin miliona, tymi i plehrave ndot Elbasanin e Peqinin.Prej 17 ditësh edhe banorët e Kukësit po helmohen

35
Sigal

Nuk kanë fund skandalet me inceneratorët. Ndonëse qeveria mburret me ta se punojnë dhe po eliminojnë mbetjet, duket se po përdoren metodat e vjetra pasi vetëm incenerim nuk ka.

Pasdite ka rënë një zjarr i përmasave të mëdha te pika e grumbullimit të plehrave pranë inceneratorit të Elbasanit. Në fikjen e zjarrit janë angazhuar zjarrfikëset e Elbasanit, Cërrikut e Peqinit, pasi në mbrëmje ka marrë përmasa të mëdha.

Dyshimet janë se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Kohët e fundit ka pasur debate sa i takon inceneratorëve dhe fakti që digjen plehrat që duhet të përpunohen ngre dyshime. Ambienti ruhet me roje dhe zjarri mund të jetë ndezur vetëm nga brenda. Djegia e tyre i jep një dorë të mirë inceneratorit, i cili do kursejë mund dhe energji.

Zjarri ka shkaktuar debat, pasi së pari inceneratori u bë për të eliminuar mbetjet, ndërkohë që aty ishte një mal i madh me plehra. Po ashtu zjarri ka ndotur gjithë qytetin. Rama në 2014 shprehej se do e rrafshonte malin më plehra në Elbasan, por duket se aty fusha është njësoj si dikur, vetëm se tani e menaxhon inceneratori, i cili merr para nga buxheti, por plehrat digjen në ambient të hapur duke helmuar gjithë zonë.

Prej 17 ditësh edhe  fusha e mbetjeve në Kukës po digjet. Banorët janë shprehur të shqetësuar për situatën, ndërsa thonë se tymi ka shkaktuar probleme tek të moshuarit dhe fëmijët, ndërsa apelojnë bashkinë e Kukësit që të marrë masa menjëherë për këtë situatë. Këto janë pamjet që vijnë nga Kukësi në këto ditë të nxehta vere.