Verifikim nga e para për lidhjet me Sigurimin, ja si kandidatët për deputetë dhe kryetarë bashkish do ‘filtrohen’ për të shkuarën e tyre

213
Sigal

Zbardhen dy projektligjet e Partisë Socialiste për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe ligjin për të Drejtën e Informimit për Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit. Lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, socialistët kërkojnë që subjekti zgjedhor, kandidatët për deputetë, kryetarë bashkie apo këshilla vendore duhet të paraqesin formularin e aplikimit pranë autoritetit të dosjeve 70 ditë para zgjedhjeve. Ndërkohë ky institucion ka 20 ditë kohë për të verifikuar pastërtinë e kandidatëve që garojnë në zgjedhje dhe më pas informon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në rast se ata figurojnë në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit. Sakaq në ligjin nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar, kërkohet shfuqizimi i pikës 4, të nenit 29. Nisma ligjore konsiston në krijimin e shtratit ligjor për verifikimin e subjekteve pavarësisht nëse kanë ose jo një çertifikatë të mëparshme pastërtie nga komisionet e mëparshme të pastërtisë së figurës, të njohur gjerësisht si komisioni “Mezini” dhe “Bezhani”, nën dritën e fakteve dhe të vërtetës, që zbulohet gjatë veprimtarisë së punës së Autoritetit. “Zbardhja e të vërtetës për personat që ushtrojnë detyra shtetërore, mbi të gjitha për ata persona, që kanë pasur dhe kanë detyra të larta shtetërore, është një domosdoshmëri dhe një simbolikë e fuqishme për të dënuar krimet e të kaluarës, por padyshim në funksion të së tashmes, për krijimin e një shoqërie të bazuar në parimet dhe vlerat demokratike. Në këtë mënyrë, Autoriteti do të ketë mundësi të respektojë plotësisht detyrimin ligjor për të informuar institucionet kërkuese, udhëhequr nga parimi i transparencës sipas nenit 4 të ligjit 45 /2015 i ndryshuar, lidhur me rezultatin e verifikimit për të njëjtin shtetas dhe të pasqyrojë dokumentacionin e identifikuar në një procedurë tjetër të mëparshme për të njëjtin shtetas. Nisma ka rëndësi për të siguruar që historia të mos përsëritet, si dhe në funksion të arritjes së paqes sociale për hir të së cilës, bashkëpunëtorët e sistemit të mëparshëm nuk duhet të kenë mundësi të jenë pjesë e vendimarrjes, çfarëdo niveli qoftë ai”,- thuhet në realcionin shpjegues të PS.