Vepror Hasani: Qarku i Korçës prej vitesh pa laborator të analizave mikro të tokës

75
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Laboratori bashkëkohor, pikë referimi për fermerët dhe investimet e tyre

U premtua  8 vjet me radhë, por s’u bë asgjë, qeveria e re t’i bëjë analizat falas

Qarku i Korçës, një ndër rajonet më të mëdha të vendit, ku përfshihen rrethet Korçë, Pogradec, Devoll dhe Kolonjë, nuk është i pajisur me laborator të analizave mikro të tokës. Për pasojë, toka bujqësore po dëmtohet nga viti në vit. Sipas specialistëve të bujqësisë, niveli i pehazhit (pH) po bie; kjo ka bërë që reaksioni i tokës të zbresë në nivele shqetësuese. Për zgjidhjen e problemit të laboratorit është premtuar vit pas viti, por edhe sot Korça nuk ka një laborator bashkëkohor.

Për kryerjen e analizave, fermerëve  u duhet të shkojnë në Fushë-Krujë, në Maqedoni ose në Greqi, sepse pehazhi i tokës është treguesi që vlerëson nëse kjo tokë është e përshtatshme, për pataten, për qepën, për pemë frutore apo kultura të tjera, dhe fermeri duhet ta dijë këtë gjë. Për të kuptuar gjendjen e sotme, sipas specialistëve të bujqësisë: “Niveli aktual i pH, bën që koeficenti i asimilimit, ose marrja e plehrave kimike që i hedhim tokës, të mos jetë në nivelin e duhur, pasi reaksioni i tokës ka zbritur në nivele që qarku i Korçës nuk i ka patur vite me parë”. Kjo gjë shihet si mjaft shqetësuese nga specialistët e fushës, pasi vetëm nëpërmjet analizave laboratorike mund t’i vijnë në ndihmë fermerëve duke u shpjeguar nëse tokat e tyre kanë më shumë nevojë për plehra organo-minerale, me reaksion acid, me qëllim uljen e reaksionit të tokës, i cili ka shkuar në alkalinë, ose bazik. Këto analiza nuk mund të kryhen nga laboratori ekzistues të Korçës sepse është i prapambetur dhe kryen vetëm analizat e tokës makroelement.

Fermerët investojnë pa efikasitet

Mungesa e laboratorit për analizat e tokës, ndikon edhe te shpenzimet e fermerit, pasi ai investon në plehra kimike, pa patur një ide të qartë sa nevojë kanë tokat e tij për to. Edhe në këtë rast, specialistët e bujqësisë pohojnë: “Fermerët e qarkut Korçë përdorin plehra të certifikuara dhe të markave që përdor sot Europa, por mungsa e laboratorit bën që përdorimi i tyre pa kriter të mos jetë efikas. Për pasojë edhe fermeri dëmtohet financiarisht, sepse askush nuk mund t’i thotë atij që toka juaj nuk ka nevojë për 100 kg plehra për 1 dynym sepse është e pasur ngaqë në vitet e mëparshme keni përdorur nivele të tilla plehrash, që aktualisht të lejojnë të përdoresh 75 kg për 1 dynym, por kjo realizohet vetëm nëpërmjet laboratorëve, gjë që do të ndihmonte fermerët edhe në përcaktimin e kulturave që do të kultivonin, me qëllim marrjen e rendimenteve sa më të larta dhe me cilësi”. Për kundër këtij realiteti, në çdo vend tjetër të Europës, fermerët para se të kryejnë një investim, bëjnë analizën e tokës, sepse kjo është “a”-ja e suksesit apo e mossuksesit për investimin që fermeri po ndërmerr. Nëse një toke i mungojnë lëndët e para ushqyese, si fosfori apo kalciumi, atëherë fermeri duhet të dijë çfarë mund të kultivohet në të.

Madje për specialistet e bujqësisë është e arsyeshme që analizat laboratorike të tokës të bëhen falas.

Familjarizimi i fermerëve me laboratorin

Fermerët tanë duhet të jenë të famljarizur me termat që dalin nga analizat laboratorike dhe kërkesat që ka toka për lëndë ushqyese. Me pehazh të tokës (pH) kuptojmë matjen e aciditetit ose alkalinitetit në një shkallë prej 0 deri në 14. Zero-ja paraqet aciditet shumë të fortë, 14-a, alkalinë ekstreme, kurse 7-a është neutrale. PH e një toke ideale gjendet në rangun prej 6.0 në 7.5.

Sipas specialistevë të bujqësisë, produktet me gëlqere përdoren në toka tharta ose acide, ndërsa te tokat alkaline kërkojnë aplikim të produkteve të squfurit. Gjithashtu fermeri duhet të ketë parasysh, se rregullimi i pH-së zgjat disa vjet, por është e domosdoshme për të kryer detyrën gradualisht për marrjen e duhur të lëndëve ushqyese dhe shëndetin e bimëve. Megjithatë, deri më sot, nuk ka qenë e aplikuar në masën e duhur analiza e tokës në laborator, ndaj për qarkun e Korçës është mese e nevojshme ngritja e një laboratori, pasi gjendja e tokës është shqetësuese. Ngritjen e laboratorit, specialistët e shohin edhe nëpërmjet ndihmës që mund t’i japë qeveria privatit, pasi një projekt i tillë, kërkon shpenzime, të cilat nuk mund t’i marrësh për një kohë të shkurtër, por vetëm përgjatë shumë viteve. Pra. laboratori bashkëkohor, i cili me sa kuptohet do të realizohet nga qeveria e re duhet të jetë pikë referimi për të gjitha investimet që kryhen nga fermeri.