Konstitucionalisti Sokol Hazizaj: Parlamenti i sotëm nuk e ka tagrin të shkarkojë Presidentin  e  Republikës

530
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Pardje, mazhoranca e Rilindjes ka mbledhur firmat, që parlamenti i tanishëm të fillojë procedurat e shkarkimit të Presidentit të Republikës Ilir Meta, me pretekstin se ka shkelur rëndë Kushtetutën gjatë procesit zgjedhor. Në fakt, ky akt është i dyti, që ndërmerr kryeministri Rama brenda pak muajve, pasi disa muaj më parë, parlamenti votoi për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, duke marrë shkak nga çdekretimi, që i bëri datës 30 qershor 2019, zgjedhjeve lokale. Mirëpo ishte Komisioni i Venecias që e hodhi poshtë vendimin e Parlamentit shqiptar, duke e cilësuar si antikushtetuese, pasi sipas opinionit të Komisionit të Venecias, Presidenti i Republikës Ilir Meta, nuk e ka shkelur rëndë Kushtetutën e Shqipërisë me dekretet që ka shpallur.

“Referuar dhe dispozitave të tjera kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor, Parlamenti i sotëm, jo vetëm që duhej shpërndarë më parë, por në mënyrë absolute, nuk mund të marrë vendime të rëndësishme, siç mund të jetë shkarkimi i Presidentit të Republikës”

Gazeta “Telegraf” iu drejtua konstitucionalistit Sokol Hazizaj për t’i marrë gjykimin, nëse Presidenti i Republikës Ilir Meta, a e ka shkelur rëndë Kushtetutën e Shqipërisë me veprimet gjatë procesit zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit dhe e dyta, parlamenti i tanishëm, a e ka tagrin kushtetues, që të votojë për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Konsitiucionalisti Sokol Hazizaj, argumenton se, ky parlament i deritanishëm duhet të shpërndahet, derisa u zgjodh me votë një parlament i ri nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, prandaj nuk mund të ketë tagër kushtetues që të marrë vendime të rëndësishme kushtetuese, sikurse është votimi për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Dhe, e dyta, konstitucionalisti Sokol Hazizaj pohon se, Presidenti i Republikës nuk ka asnjë përgjegjësi penale për aktet e kryera në ushtrimin e detyrës së tij, të cilat nuk cenojnë Pavarësinë e Shqipërisë, sipas nenit 90, pika 1, që citon se,  “Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij”.

“Presidenti i Republikës nuk ka shkelur Kushtetutën”

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

Neni 65, pika 1, paragrafi 2

“Në çdo rast, Kuvendi qëndron në detyrë, deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur”.

Neni 65, pika 4.

“Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje gjatë periudhës 60 ditë para mbarimit të mandatit të tij deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme.”

Neni 71, paragrafi 1.

“Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve.”

Kodi Zgjedhor.

Neni 163, prgf.1.

“Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit, sipas nenit 162 të këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për kandidatët fitues për secilin subjekt”.

Referuar dhe dispozitave të tjera kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor, Parlamenti i sotëm jo vetëm që duhej shpërndarë më parë, por në mënyrë absolute nuk mund të marrë vendime të rëndësishme, siç mund të jetë shkarkimi i Presidentit të Republikës, ndonëse e ka tepruar, por mbrohet nga neni 90, pika 1, që citon se,  “Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij”.