Zija Çela: Asprat e Judës

359
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Vetëm në mëngjes, kur hapa postën elektronike, lexova tekstin që një miku im ma kishte dërguar në prag të mesnatës.

AI: Sonte në Malin e Ullinjve u mblodhën sërish nxënësit, Shën Pjetri me apostujt. Pak më vonë atje shkoi edhe Juda. Ishte bashkë me romakët, kryepriftërinjtë dhe shërbëtorët e Tempullit. Nxënësit, nga frika e puthjes së tij hipokrite, u vunë në siklet menjëherë dhe, si për t’i bërë sa më pak të dukshme, nisën të rrufisnin faqet. Mirëpo të paftuarit dolën huq. Jezusi mungonte në Gethsemane. E kështu pra, nuk e kapën përsëri me tradhti.

Qysh fëmijë, kur mësova pabesinë e parë, nga dhembshuria Jezusin e pata marrë në shtëpi. Sa herë që Juda na trokiste në portë, me një frikë që më brente porsi mokër, unë merrja pesë gozhdë dhe dilja vetë, në mënyrë që në vend të Krishtit, të më kryqëzonte mua shpura e egër. Mbas meje, çuditërisht, nxitonte edhe gjyshja. Pastaj, a thua se për të më mbrojtur, ajo më merrte në pëqì dhe, teksa më quante një Krisht i vogël, kokrrat e lotit i vareshin në sy. Ti mund ta marrësh me mend, unë ndieja lazdrim për këtë sublimim.

Por ende s’ta kam rrëfyer qëndrimin e gjyshit, i cili nuk binte në tundim. Përkundrazi, arrinte në përfundim tjetër. Ai thoshte: “Dëgjomë me kujdes, nipi im, lavdi nuk të jep asnjë imitim. Ka mjaftuar gozhdimi i Jezusit një herë, për të tejkaluar çdo kryqëzim.”

Më shkruaj tani, ke ndonjë pyetje?

UNË: Kam pyetje rreth Juda Iskariotit. Ai pati blerë një ngastër dhe bash aty e vari veten. Por tokën e bleu me asprat, që u shpërblye nga të pushtetshmit. Tani po pyes, ç’u bënë ato të holla që hynë në tregun financiar aso kohe? A qarkullojnë edhe sot e kësaj dite nëpër bursa, që nga ajo e Nju Jorkut, Londrës, Tokios a Milanos, deri në bankat e Tiranës? Dhe a qarkullojnë botërisht vërtet me kaq fitim? Kam dëgjuar se tashmë, nën trysninë e antikuarëve por sidomos të qëllimeve të fshehta, kursi i këmbimit është çliruar nga rregullat e ngurta. Vlera varet nga vendi ku bëhet këmbimi, kujt i paguhen dhe përse paguhen. Ka raste që 50 aspra të Judës = 99.000 dollarë, ndërkohë që në Evropë nganjëherë shkon edhe më shumë, për shembull, 100 aspra = 200.000 Euro.

Miku im, po pres përgjigjen tënde. Dhe shpejto sa të mundesh, në mënyrë që përballë kompjuterit, kurrizin mos ma kërrus.

Por përgjigje nuk mora… Virus?

Shënim; Aspra: Monedhë e argjendtë me vlerë të vogël, që përdorej në Shqipëri para Shpalljes së Pavarësisë. Për një aspër shumë lirë.U shit për tridhjetë aspra tradhtoi, u hodh në anën kundërshtare për një shpërblim të vogël.