Vendet bosh në KQZ, ja 3 emrat e PS-LSI, rikthehet Denar Biba

420
Sigal

TIRANE – Gëzim Veleshnja, Denar Biba dhe Edlira Jorgaqi pritet të jenë tre anëtarët e rinj në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve nga radhët e mazhorancës. Kjo është ajo që është vendosur ditën e sotme nga ana e Partisë Sociale, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, kur mbeten edhe pak muaj nga zgjedhjet lokale që do të mbahen më 21 Qershor të këtij viti.

Burime nga Partia Socialiste kanë bërë të ditur se Denar Biba dhe Edlira Jorgaqi do të jenë dy emrat e kësaj force politike në radhët e KQZ.

Denar Biba mbante postin e ish-nënkryetarit e KQZ-së. Emri i dytë i zgjedhur nga socialistët është një juriste me eksperiencë të gjatë, aktualisht Drejtoreshë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Edlira Jorgaqi

Ndërkohë që burime nga LSI kanë konfirmuar se Gëzim Veleshnja do të jetë kandidati i kësaj force politike në KQZ.

Këta të tre kandidatë pritet të plotësojnë vendet vakante në radhët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, boshllëk i krijuar që nga muaji prill i 2013 në institucionin më të lartë zgjedhor.

Me largimin e LSI nga koalicioni me Berishën, PD mori vendimin të shkarkonte anëtarin e LSI, Ilirjan Muho, me argumentin se prisheshin balancat, duke e zëvendësuar atë me Klement Zgurin, përfaqësues i Partisë Republikane.