Veliaj: Të përkushtuar për t’i ndenjur çdo pune te koka

419
Kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, u takua me banorë të njësisë nr. 5 dhe nr. 2 në Kryeqytet, me të cilët ndau shqetësimet për gjendjen e rrugëve, zënien e hapësirave publike, problemin e parkimeve dhe mungesën e ujit të pijshëm. Banorët shprehën shqetësimet e tyre lidhur me mungesën e lulishteve mes pallateve, por edhe zënien e hapësirave nga makinat.
“Hiqini depozitat se u helmuan njerëzit. Duam që këto hapësira të kthehet në gjendjen e mëparshme, pra në lulishte për fëmijët dhe të moshuarit… I gjithë blloku këtu është amortizuar, ndaj kush i ka zënë lulishtet për t’i bërë parking, do ta kthejmë sërish në lulishte. Çdo pallati do t’i vëmë një administrator dhe ai do të raportojë menjëherë në bashki për çdo problem, në mënyrë që edhe investimet të ruhen”, u shpreh Veliaj.
Shqetësimit për mungesën e kapakëve të pusetave nëpër rrugë, ai iu përgjigj se do të kujdeset që në ditët e para, për mbylljen e tyre. “Ky është qyteti i vetëm ku njerëzit bien nëpër puseta”, tha Veliaj.“Pyetja që unë kam është: Si jeton Dr. Halimi në këto kushte? Në qoftë sestandardi i Halimit është që ta bëjë Tiranën si lagjen ku jeton edhe vetë, është turp i madh. Prandaj them, duhet të jetë siklet shumë i madh që të jesh kandidat i SHQUP-it, ta kesh lagjen në këtë gjendje dhe të kërkosh votat e njerëzve”, tha Veliaj.
Kemi identifikuar të gjitha hapësirat që ose janë uzurpuar ose janë kthyer në parkingje ilegale, të cilat me pak punë do t’i kthehen komunitetit. Pra, nëse komuniteti do parking, do të bëhet parking, nëse do lulishte do të bëhet lulishte. Vetëm te kjo lagje kemi identifikuar 27 hapësira që do të kthehen në parkim për komunitetin”, u shpreh Veliaj. Ai shtoi se do të jetë i përkushtuar duke i ndenjur çdo pune te koka dhe kërkoi bashkëpunimin e komunitetit që investimet e Bashkisë të mos vandalizohen.
Sigal