Dako në Manzë: Ulim 30% taksën e pasurisë, mbështetje fermerëve

423
Kryebashkiaku dhe njëkohësisht kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane për bashkinë e Durrësit Vangjush Dako në takimet që ka zhvilluar me sipërmarrës të fushave të ndryshme në Manzë, deklaroi se do të jemi vazhdimisht pranë biznesit dhe me mbështetje konkrete ndaj tij për të krijuar lehtësirat e nevojshme. Dako ka vizituar fillimisht një sipërmarrës që ushtron aktivitetin në fushën e materialeve inerte, duke parë nga afër teknologjinë dhe produktet e prodhuara nga kjo sipërmarrje. Në bashkëbisedimin me sipëmarrësit z. Dako iu ka bërë të ditur atyre se do të ulet 30 përqind taksa e pasurisë për bizneset, ndërkohë që të tjera lehtësira do të ketë për sipërmarrësit me qëllim hapjen e vendeve të reja të punës.
“Taksa e pasurisë për bizneset do të ulet 30 përqind për ti dhënë një shtysë dhe ndihmë rritjes dhe zhvillimit të bizneseve. Të gjitha taksat që paguajnë bizneset dhe banorët e qytetit Durrësit si dhe të fshatrave që do të jenë pjesë e bashkisë së re, ne do tua kthejmë në shërbime duke përmirësuar infrastrukturëne tyre të shoqëruar me gjelbërim dhe ndriçim”.
Më pas kryebashkiaku Dako ka vizituar edhe një kompleks serash që janë ndërtuar nga fermerët vendas në Manzë. Duke parë kulturat e ndryshme që kultivohen në këto sera, kryebashkiaku Dako e vuri theksin tek shtimi i produkteve bujqësore bio, si produkte që kanë kërkesa të larta si në tregun vendas, ashtu edhe në atë të huaj.
Dako duke biseduar me fermerët u zotua se bashkia e Durrësit do të mbështesë dhe orientojë feremerët që të shtojnë prodhimet bujqësore bio, ato të vreshtave dhe kulturës së ullirit për të garantuar rritje të të ardhurave të tyre. Nga ana tjetër kryebashkiaku Dako u angazhua për përmirësimin e infrastrukturës si dhe pastrimin e kanaleve kulluese dhe vaditëse për ti dhënë një shtysë pozitive zhvillimit të bujqësisë në këtë zonë.
Sigal