Prof. Dr. Arben Malaj: Arsyeja e dorëheqjes nga Konsull Nderi i Austrisë dhe angazhimi politik

757
Sigal

Nga Arben Malaj:

Njoftim publik – Dorëheqja si Konsull Nderi i Republikës së Austrisë për Shqipërinë Jugore.

Të nderuar miq,
ndjej detyrim të ndaj me ju faktin se prej datës 18 korrik 2019 vetem tre ditë pasi 28 deputetë të Partisë Socialiste ndërmorën një insiativë jo ligjore dhe joprofesionale për shkarkimin nga anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqiperise, per tu perballur ndershmërisht dhe pa asnje kufzim me këtë shpifje, i paraqita Dr. Alexander Schallenberg, Ministrit Federal për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Austrisë, dorëheqjen si Konsull Nderi i Republikës së Austrisë për Shqipërinë Jugore.

Arsyeja kryesor është një angazhim më i plotë dhe i drejtpërdrejtë në sfidat politike të vendit tim. Dorëheqja synon edhe eliminimin e çdo kufizimi nga statuset e nderit që të “kufizojnë” t’i shërbesh me dashuri dhe përkushtim vendit tend, në çdo kohë dhe në çdo angazhim publik apo politik.

Dëshiroj t’ju shpreh mirënjohje të thellë shkëlqesisë së tij Alexander Van der Bellen, President i Republikës së Austrisë për dekretimin si Konsull Nderi i Austrisë në Vlorë, Ministrit të Jashtëm të Austrisë dhe ish Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati për miratimin e propozimit të palës austriake.

Në veçanti falënderoj Ambasadorin Johann Sattler, për vizionin dhe këmbënguljen e tij për të ri çelur Konsullatën e Austrisë në Vlorë pas rreth 104 viteve, por sidomos për premtimin se Konsullata e Nderit e Republikës së Austrisë në Vlorë, do të jetë sa më parë funksionale me një Konsull Nderi të ri.

Dëshiroj ti shpreh mirënjohje znj. Renate Seib dhe znj. Sojna Harreither (Konsulle të Republikës së Austrisë në Tiranë) dhe stafit të talentuar të ambasadës austriake në Tiranë, për ndihmën dashamirëse në plotësimin e mandatit të Konsullit të Nderit të Republikës së Austrisë për Vlorë, Gjirokastër, Berat dhe Fier.

Vlerësimi i Ministrit Federal Dr. Alexander Schallenberg në letrën e miratimit të dorëheqjes është inspiruese dhe nuk më përket vetëm mua. (letra bashkangjitur).

Falënderoj Kryetarin e Bashkisë Vlorë, Dritan Leli për mbështetjen që në hapat e para të këtij misioni fisnik për edhe konkretizimin e disa projekteve të qeverisë austriake në qarkun e Vlorës. Akordimi i titullit “Qytetar Nderi“ i Vlorës për ambasadorin Johann Sattler shpreh në thelb edhe mirënjohje për qeverinë austriake dhe mbështetjen e përhershme të Austrisë në sfidat historike të kombit shqiptar.
Falënderoj Rektorin e Univeristetit të Vlorës, Prof. Dr. Roland Zisi për rritjen e bashkëpunimit me universitetet e Austrisë dhe për vlerësimin mirënjohës me titullin “Doctor Honoris Causa” që i akordoi Dr. Johann Sattler.
Mirënjohje për Mandi Karrocierin dhe Anitta Laro, për bashkëpunimin efektiv gjatë kësaj periudhe.

Një mirënjohje e jashtëzakonshme për familjen time, për Mondën dhe Gertën për inspirimin, mbështetjen dhe pjesëmarrjen në angazhime dhe aktivitete, në përmbushjen e misionit të Konsullit të Nderit.

Shpresoj të kem përmbushur sadopak pritshmërinë e qytetarëve austriakë dhe shqiptarë për shërbimet ndaj tyre. Mirëpritja dhe ndihma e Konsullatës ndaj qytetarëve austriakë është pasqyruar në median austriake, një mundësi kjo e jashtëzakonshme për të promovuar Vlorën dhe Shqipërinë mahnitëse. Websiti i konsullatës ( http://austriasa.com.al/ ) do të vazhdoj të jetë efektiv dhe i dobishëm për kontakte.

Pavarësisht nga dorëheqja formale si konsull nderi, ndjej detyrim mirënjohës të vazhdoj të jem një promovues i përhershëm i rritjes, zgjerimit dhe thellimit të bashkëpunimit të Shqipërisë me Austrinë por edhe me çdo vend që ka qenë mbështetës i qartë dhe influencues në sfidat e së djeshmes dhe në sfidat e së ardhmes së Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Mirënjohje,
Arbeni.