Meta në Kamzë: Këto zgjedhje për të zgjidhur problemet e përditshme të komunitetit

468
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta mori pjesë në një takim me banorë të Kamzës ku ishte i pranishëm edhe kandidati i përbashkët i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, për Bashkinë e Kamzës, Safet Gjici. Në fjalën e tij, Meta shprehu besimin se banorët e kësaj zone do të votojnë kandidatin e majtë Safet Gjici. Më tej Meta kërkoi që ti jepet fund mënyrës aktuale të drejtimit të Bashkisë së Kamzës duke e lënë atë me investime skandaloze dhe me infrastrukturë të dobët.
“Ju tashmë e keni marrë vendimin dhe vendimi juaj është që në 21 qershor do të arkivohet njëherë e mirë projekti i këtyre 8 viteve ‘Kamza ime’ dhe ju do të votoni për projektin e ri “Kamza jonë” me kryetarin e ri të bashkisë, Safet Gjicin. Do të jetë një projekt transparent në mënyrë që të gjithë qytetarët në Kamëz dhe në Paskuqan të dinë kontributin që ata japin për buxhetin e bashkisë, kontributin që i jep qeveria, kontributin që i japin donatorët, kontributin që i japin bizneset që funksionojnë në këto territore dhe njëkohësisht të njihen me mënyrën se si këto të ardhura dhe këto kontribute shpenzohen dhe investohen në dobi të komunitetit. Unë kam besim të plotë se Safet Gjici është njeriu i duhur. Është në drejtimin e duhur dhe di të ecë shumë shpejt”, theksoi Meta.
Duke shprehur mbështetjen e qeverisë për Kamzën, Lideri i LSI-së theksoi se Kamza i ka të gjitha mundësitë të bëhet një model i integrimit shoqëror dhe i emancipimit shoqëror. “Mbështetja jonë, e Qeverisë, e Parlamentit, e mazhorancës do të jetë e jashtëzakonshme pë të gjitha projektet e Kamzës në infrastrukturë. Në mënyrë të veçantë për të zgjidhur njëherë e mirë problemin e ujit të pijshëm dhe të kanalizimeve. Dhe për këtë qeveria shqiptare ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me KFW-në e Gjermanisë dhe ky është një projekt që do të realizohet, sepse është vullneti i qeverisë shqiptare, por do të jetë edhe bashkëpunimi i kryetarit të ardhshëm të Bashkisë. 
Të zgjedhim njeriun e duhur që ecën në drejtimin e duhur dhe që di të bashkëpunojë me komunitetin, që di t’i dëgjojë dhe t’i respektojë njerëzit. Që nuk i ndan, por përkundrazi, dhe që është i vendosur t’u shërbejë njësoj pa dallim feje, krahine dhe ideje politike. Këto janë zgjedhje vendore. Këto janë zgjedhje për të zgjidhur problemet e komunitetit, problemet e përditshme. Qytetarët do të votojnë për të zgjedhur një kryebashkiak që do të zgjidhë problemet e pazgjidhura deri më tani të infrastrukturës, të shërbimeve”, tha Meta.
Sigal