Një zonë banimi dhe me kushte e standarde bashkëkohore, do u japë mundësinë 300 familjeve të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 në Kombinat, që të nisin një jetë të re në apartamentet e që po shkojnë drejt përfundimit dhe dorëzimit.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa inspektoi punimet, tha se do të ndiqet e njëjta metodë në hedhjen e shortit, si në rastin e banesave në zonën e “5 Majit”.
Ai siguroi se pavarësisht betejave penguese nëpër gjyqe nga partitë politike dhe problematikat e hasura me bllokimin e punimeve, Bashkia e Tiranës nuk e ka ndaluar asnjëherë punën.
“Sot është një ditë e bekuar, sepse kalojmë nga kur thoshim ‘mjerë ata që humbën shtëpitë e tërmetit’, në ‘lum ata që do të marrin shtëpitë e reja’. Ju jam mirënjohës për punën, sepse dua që, kur qytetarët të kthehen nga pushimet në shtator, të gjejnë shkolla të reja, kopshte të reja, çerdhe të reja, dhe sidomos për qytetarët e Kombinatit të japim këto 300 apartamente, që zgjidhin pjesën më të madhe të nevojtarëve. Për të gjithë ato familje që kanë 5 vite që presin të vijë kjo ditë, më në fund kemi këtë lajm të mirë. Sigurisht, këtë lajm të mirë mund ta kishim pasur më shpejt, nëse nuk do kishim pasur problematikat që kemi hasur këtu me bllokimin e punimeve, me partiçka që na kanë çuar në gjykatë, ndërkohë që vetë sot nuk ekzistojnë më, kanë ndërruar emrin dhe janë bërë copë çikë”, -tha Veliaj.
Ai përmendi edhe disa raste të projekteve dhe investimeve publike, investime të bllokuara prej ngërçit të krijuar nga disa institucione vendimmarrëse në vend. Kreu i Bashkisë u drejtoi edhe një thirrje publike institucioneve gjyqësore, që të bashkëpunojnë në të mirë të interesit publik, për të çuar përpara punët e qytetit dhe të mos fokusohen tek interesi privat i disa zaptuesve.
Për kreun e Bashkisë, thelbi nuk është vetëm dhënia e shtëpive, por sigurimi i një bashkëjetese cilësore e të sigurt, si dhe krijimi i një hapësire komunitare për banorët. Për këtë arsye, ai kërkoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e banorëve.





















