Veliaj me sipërmarrës: Anulojmë kontratat e minutës së fundit

426
TIRANË – “Në 300 ditët e para do të kemi një situatë emergjente për të kthyer normalitetin në kryeqytet”. Kështu ka deklaruar kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane gjatë bashkëbisedimit që ai pati sot me biznesmenë të Tiranës.
Ai i ka kërkuar bashkisë aktuale që të mos bëjë kontrata “të minutës së fundit” siç i ka quajtur ai, vetëm pak ditë para zgjedhjeve, pasi në këtë mënyrë shkelin ligjin dhe pas 21 qershorit të gjithë shkelësit do të vihen para drejtësisë. 
“Jam i fokusuar të merem me punët e Tiranës me kohë të plotë dhe nuk jam i angazhuar në asnjë punë tjetër, në asnjë angazhim tjetër brenda dhe jasht vendit. Do të kemi një audit për bashkinë dhe komunat për vitet e fundit për të evidentuar e për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë bërë shkelie. Këta kanë bërë kontrata me shërbimin e autobuzëve vetëm 2 javë para zgjedhjeve. U bëjmë thirrje të mos vazhdojnë me këto kontrata të minutës së fundit sepse të gjithë do të vihen para ligjit. Detyrime bashkia dhe shteti do ti njohë dhe do të punojë për shlyerjen e tyre, por nuk jemi dakort me projektet dhe lejet që jepen në momentin e fundit. Ne kemi një inventar të të gjitha tokave dhe do të vëmë në dispozicion ato që i gjithë inventari në dispozicion të bashkisë , të vendosen në dispozicion të biznesit, si fasonerisë apo call center. Kjo është një mënyrë që edhe ata që nuk kanë një arsimim të kenë mundësi të punojnë”, tha Veliaj.
Më tej, Veliaj ka thënë se pranë bashkisë do të ketë një zyrë të kontaktit me biznesin, i cili do të jetë një këshill biznesi dhe ku të gjitha projektet dhe punët që do të bëhen në kryeqytet do të konsultohen me këtë zyrë.
“Do të kemi një zyrë të kontaktit me biznesit. Në 100 ditët e para do të themelojmë këshillin e biznesit. Nuk kam ndërmënd të mungoj në asnjë mbledhje të këshillit bashkiak, ndryshe nga ky aktuali që prej kohësh nuk ka qenë prezent në mbledhjet e Këshillit Bashkiak.
Bashkia e Tiranës në gjithë këto vite nuk ka aplikuar për asnjë projekt. Ndaj ashtu siç e patë edhe dje në prezantimin me kryeministrit unë do të jem i angazhuar në Prezantimin e projekteve sepse kjo do të rrisë punësimin dhe do të shtojë të ardhurat për kryeqytetin. Do dixhitalizojmë të gjitha shërbimet me bashkinë. Sepse është pa sens që qytetarët të shtyhen me polict bashkiak që të bëjnë pagesat. Ndaj do të bëjmë gjithçka dixhitale.
Qytetit do ti shtohen gjithashtu edhe vendet e parkimit. Në partneritet publik-privat do të mundësojmë realizimin e shumë projekteve. Si përshëmbull investimi në shkola për ngrohje energji e ndriçim. Jemi të hapur ndaj të gjitha ideve që do të vinin për një qytet më shumë inteligjent që i përdor të ardhurat në mënyrë sa më efektive dhe në shërbim sa më të mirë të qyteraëve”, – tha Veliaj.  
Sigal