Të gjitha faktet, nga kryetar bashkie deri kryeministër, pse Rama e meriton ‘Talebani i Tiranës’

513
Sigal

Kur talebanët erdhën për herë të parë në pushtet në vitin 1996, gjënë e parë që bënë, ishte shkatërrimi i monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe historike. E bënë në emër të ‘fesë sublime’.

Edi Rama që kur ka qenë i pari i pushtetit të kryeqytetit për 11 vite dhe sot pas 8 vitesh i pari i gjithë vendit, edhe pse ‘vinte nga arti’, ka investuar gjithë fuqinë e pushtetit për të fshirë sa më shumë gjurmë të trashëgimisë historike në Tiranë e në të gjithë vendin.
Ky nuk e ka bërë dhe e bën ‘për fenë e zotit’, por për fenë e betonit dhe të parasë.

Rama në pamje të parë nuk është taleban si ata të Pakistanit e Afganistanit, sepse nuk beson në Muhamet e as në Krisht.

Nuk mban as çallmë (mjekër po), por nga pasojat që i ka lënë pas Shqipërisë në emër të ‘fesë së parasë dhe betonit’, mund të quhet pa frikë ‘Talebani i Tiranës’.

Ja çfarë ka bërë në mënyrë të përmbledhur Edi Rama në pushtetin lokal e tani në atë qendrorin (20 vite), për ta merituar këtë gradë.

Kryetar Bashkie

Shkeli hapur vendimin e Këshillit të Ministrave numër 180 i datës 13.04.2000, ‘Për shpalljen ansambël monument kulture të aksit kryesor dhe qendrës historike të qytetit të Tiranës’, i hartuar nga vet Rama kur ishte Ministër i Kulturës, por që ende nuk kishte bërë fe të vetme, paranë dhe betonin.

Në shkelje flagrante të këtij vendimi prishi monumentet e mbrojtura të kulturës si kinema Republika, kinema 17 Nëntori dhe ish- bibliotekën Carnavogn (ish kinema Ali Demi), Varrin e Pashait (kullat e Fidelit) dhe dhjetëra vila e zona të Tiranës së vjetër. Mbi gërmadhat e tyre u ngritën pallate të klientëve personal, që merrnin leje ndërtimi nga ‘mister 20-përqindëshi’.

Këto janë përmbledhtas vetëm disa nga shkatërrimet që ai i ka bërë memories dhe relievit të Tiranës kur ishte kryetar bashkie, sepse nëse do të rreshtoheshin të gjitha veprat talebane të tij në këtë drejtim (pa llogaritur parqet, sheshet e lulishtet) atëherë lista do ishte ‘tmerr e gjatë’.

Rama kryeministër

Sot 8 vite pasi u bë për herë të parë kryeministër dhe në vigjilje të nisjes së 4 viteve të tjera, nuk kemi një bilanc profesional të dëmit katastrofik që Rama i ka bërë trashëgimisë historike dhe kulturore në të gjithë vendin.

Gjithsesi jemi të bindur se një hetimi gjithëpërfshirës, nuk do ti shpëtojë dot. Sot, apo pasi të mos jetë më në pushtet kur të jetë duke bërë bilancin e parave dhe të betonit që ka ‘për fe’.

Po e nisim me shkatërrime më ‘të freskëta’.

Mbrëmë dogjën ‘Sarajet e Tiranës’, monument kulture i kategorisë së parë. Askush nuk i ruante edhe pse debati dhe loja pë ndërtimin e një kulle gjigante atu, dihej nga të gjithë.

Po mbrëmë vendosën që në mbledhjen e parë të qeverisë në shator, ti shpronësojnë trashëgimtarët që i akuzuan si zjarr-vënës dhe të vënë në jetë ndërtimin e kullës 45 kate, e bërë projekt dhe që është lënë prej kohësh në tryezën e Ramës nga oligarkët që ka në oborr. Në përpëlitje për ti shpëtuar një ditë drejtësisë, njësoj siç tentuan me Teatrin Kombëtarë, kulla do të këtë brenda në kat të parë edhe një muze që do ngjajë si ‘Sarajet’.

Më herët, natën, njësoj si me Teatrin dhe zjarrin e Sarajeve shembën monumentin e mbrojtur; Maternitetin Mbretëresh Geraldinë. Alibia, tashmë e njohur; ishte në rrezik pas goditjeve të tërmetit.

Akoma më herët, po natën, po pasi kishte filluar ora policore, po nën justifikimin e tërmetit i vunë tritolin Teatrit Kombëtarë. Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të atyre që e mbronin, por tashmë është vonë. Vetëm SPAK, nëse është ai që thotë ambasadorja Kim, e lehtëson sado pak dhimbjen e kësaj plage të madhe që i lanë Tiranës.

Por vazhdojmë më tej.

Me një sërë vendimesh të njëpasnjëshme në vitin 2017 dhe më pas me atë të 3 tetorit 2018, qendra e Tiranës, humbi më shumë së gjysmën e sipërfaqes së saj, që mbrohej sipas legjislacionit për trashëgiminë dhe monumentet e kulturës.

Vendimi i Ramës i cili ndryshoi kufirin mbrojtjes të këtij Ansambli, nuk shpalosi arsyetim shkencor se përse godina si: Teatri Kombëtar, vilat e Toptanëve – monumente kulture kategori e parë; Varri i Sulejman Pashës-monument kulture kategori e parë; Kabina e parë elektrike e qytetit-monument kulture kategori e dytë; Kulla e Sahatit të Tiranës-monument kulture kategori e parë; Stadiumi Kombëtar-monument kulture kategori e dytë, etj., u lanë jashtë kufirit të zonën e tyre të mbrojtjes.

Si pasojë sot Shqipëria ka një stadium me kullë pikërisht në vendin ku ishte Stadiumi Kombëtar ‘Qemal Stafa’ dhe të tjera në përfundim e sipër te vendet e mësipërme.

Kundërshtitë nga ekspertët, shoqëria civile, opinion publik etj, nuk e ndalën Ramën që të vepronte si talebanët në vitin 1996. Me arrogancë, e me forcën e pushtetit bën atë që donin.

Njësoj do të ndërhyhej edhe tek Kalaja e Tiranës, e prekur në identitet nga harku prej guri i portës kryesore deri tek shtrimi me beton i sipërfaqes së tokës ngjitur me murin rrethues të kalasë.

Nuk u fal as Muzeu i Shkencave të Natyrës, një tjetër godinë e trashëgimisë kulturore. Edhe kjo në emër të ‘fesë së parave e të betonit’.

Dhjetëra vila me vlerë historike janë shembur, edhe pse sipas dokumentacionit zyrtarë, kanë gëzuar statusin ‘Monument Kulture’.

Nuk ekziston asnjë dokument zyrtar publik, me ndonjë arsyetime shkencor për shembjen e tyre. Në vend të tyre janë ngritur rrokaqiej betoni, ku tashmë dihet dhe është thënë hapur nga agjencitë ndërkombëtare, se pastrohen miliarda të drogës e të krimit të organizuar.

Pasi u bë kryeministër, Edi Rama, vendosi që ta shpërndajë fenë e tij ‘të parasë dhe betonit’ në të gjithë vendin. E në emër të kësaj ‘feje sublime’, njësoj si talebanët, viktimat më të mëdha janë monumentet dhe zonat e trashëgimisë.

Kujtojmë se çfarë ndodhi pak vite më parë në Durrësin që drejtohej nga Vangjush Dako, ose si e njohin qytetarët aty, Gjush Betoni. Ngritën Velierën e famshme me beton, duke shkatërruar ditën nën diell trashëgiminë arkeologjike dhe historike.

Specialistët thonë, se shumica e pallateve për të cilat ka dhënë leje ndërtimi Dako e Rama janë ngritur mbi thesaret, ende të pazbuluara arkeologjike të qytetit të lashtë. Kurse projekti 2 miliardësh me arabët e Emirateve të Bashkuara, nga Porti te Currilat, do të varrosë përfundimisht nën beton gjithë trashëgiminë ende të pazbuluar.

Po kështu me planin për Butrintin, Gjirokastrën, Mësonjtoren në Korçë, tjetërsimin e kalave etj, etj.

Gjithsesi kjo është vetëm një rezume e shkurtër për veprat e Edi Ramës si ‘Talebani i Tiranës’ që lufton për ‘fenë e parasë dhe betonit’.

Më të hollësishme dhe më të kopisitur dosjen mund ta bëjë SPAK, nëse ka vullnet. Kullat në vend të trashëgimive, sheshet gati për kantiere, letrat që vërtetojnë krimin, janë të gjitha sheshit.

Vetëm ti mbledhë, ti hetojë (dhe nuk kanë shumë punë) dhe të mos ketë frikë nga ‘Talebani i Tiranës’, mjafton!