Perifrazon Bill Clinton, Vasili-Edi Ramës: Është Europa o budalla dhe jo minishengeni, është perëndimi o budalla dhe jo lindja

695
Sigal

Deklarata për mediat e Nënkryetarit të LSI, Petrit Vasili

Të nderuar qytetarë dhe qytetare, në këto ditë kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një ofensive të jashtëzakonshme politiko-mediatike nën suazën e të ashtuquajturës mini-Shengen. Po e vazhdoj këtë konferencë time dhe këtë komunikim me ju me një thirrje të menjëhershme dhe të drejtpërdrejtë duke perifrazuar Presidentin Clinton dhe po i them Edi Ramës qartë edhe prerë nga kjo foltore: është Europa mor budalla, është integrimi mor budalla dhe jo mini-Shengeni, është perëndimi mor budalla dhe jo lindja orientimi i shqiptarëve.
Mini-Shengeni pikërisht për këtë të zhvillohet dhe të ngrihet lart këto ditë, ndërkohë që kanë kaluar 2 muaj e gjysëm nga 9 kërkesat për integrimin evropian dhe as Edi Rama dhe as të tijtë nuk flasin asnjë fjalë për plotësimin e 9 kushteve, nuk kanë asnjë lloj platforme apo pakti të çdo lloj forme, pakti kombëtar, pakti politik apo çfarë duhet ta quajnë në mënyrë që ky integrim të ecë përpara. Por, e kanë zëvendësuar të gjithë punën intensive, të tërë prokupacionin e jashtëzakonshëm politik, mobilizimin e të gjithë energjisë dhe faktorëve për të ecur përpara drejt integrimit europian me mini-Shengenin si iniciativën më të turpshme që është parë ndonjëherë në të gjithë hapësirën ballkanike, por dhe më gjerë.
Të nderuar qytetarë mini-Shengeni nuk është as më shumë dhe as më pak, thjeshtë dhe vetëm një shërbim në interes të mbajtjes së pushtetit të oligarkëve politikë dhe ekonomikë në Serbi, në Shqipëri dhe gjetkë. Është thjeshtë dhe vetëm akomodimi i halleve, prokupacioneve, për të mbajtur me çdo kusht dhe me dhëmbë pushtetin, e jo për ti dhënë ndonjë prosperitet apo ditë më të mirë Shqipërisë. Të gjithë këta oligarkë politikë dhe ekonomikë, të cilët o bëjnë të pamundurën për të krijuar çadrën e tyre të mini-Shengenit, i bashkojnë disa elemente thelbësore. I bashkon armiqësia që këta oligarkë politikë që drejtojnë këtu dhe gjetkë, armiqësia ndaj shtetit ligjor, ndaj shtetit të së drejtës, i bashkon dëshira për të mos luftuar dhe për të penguar me çdo kush luftën ndaj korrupsionit, për të penguar luftën ndaj krimit të organizuar, për të kufizuar, penguar, asgjësuar me çdo kusht lirinë e shprehjes, Këto janë interesat politike, thelbësore dhe arsyeja e këtij mini-Shengeni që shfaqet papritmas në horizont, duke iu kundërvënë edhe qëndrimit të qartë të SHBA-ve, ku i dërguari special për raportin Shqipëri-Kosovë, ambasadori Grenell, ka thënë shumë qartë që iniciativa të tilla nuk mund të kenë sukses pa praninë e Kosovës.
Cili është interesi I zi që fshihet pas interesit politik të mbajtjes së pushtetit? Është një interes më armiqësori që është shfaqur ndonjëherë nga një kryeministër shqiptar, për ta lënë mënjanë Kosovën, për ta anashkaluar Kosovën, për ta asimiluar rolin e jashtëzakonshëm politik që Kosova ka dhe duke kaluar nga iniciativat e errëta dhe të zeza për ndryshim kufijsh në krijimin e mini-shengenit, e krijimin e këtij komuniteti oligarkësh që le jashtë Kosovën. Besoj se Kosova në këtë rast duhet të ishte shumë e lumtur që nuk është pjesë e këtij komuniteti oligarkik. Por në fund të fundit Edi Rama tregoi qartë qëndrimin më të egër që është parë ndonjëherë kundra Kosovës, qëndrimin më tradhtar ndaj Kosovës, qëndrimin më të pa besë ndaj Kosovës, qëndrimin që kurrkush nuk e ka mbajtur, kurrkush nuk ka guxuar të artikulojë cili do qofshin Kryeministrat, Presidentët apo pushtetarët e radhës në Shqipëri qofshin nga e majta, qofshin nga e djathta. Në rast se ka pasur diçka për të cilën politika shqiptare mund të lëvdohej me të drejtë pavarësisht se kush e ka qeverisur vendin cili krah politik, ka qenë kohëseguenca dhe koherenca e palëkundur politike, morale, patriotike por dhe shpirtërore dhe e ndjerë në raport me Kosovën dhe në raport me të ardhmen e vëllezërve tanë të martirizuar që sot po ndërtojnë me sakrifica të mëdha një shtet, të lindur mbi gjakun dhe mbi martirizimin, të cilin si vëllai i Edi Ramës, Vuçiç i konsideron zero duke filluar nga masakra e Reçakut e dhjetëra e dhjetëra masakra të pafund të cilët bëjnë sikur s’ ka ndodhur. Xhelati ulet në tavolinë me një Kryeministër shqiptar i cili buzëqesh, i drejton gishtin, flet me urrejtje ndaj udhëheqësve kosovarë dhe kur ka folur ndaj tyre ka folur ndaj popullit Kosovar duke e bërë këtë me paturpësinë më të madhe për të ndenjur ca orë dhe ca sekonda më shumë në karrigen e pushtetit. Jemi këtu për të konfirmuar njëherë e përgjithmonë që të gjithë ne politikanë apo jo të tillë qytetarë shqiptarë përjashtim ne jemi që të gjithë pro Kosovës, jemi kundra çdo njeriu për fatin e keq është kryeministri në krye të kësaj pune që lufton dhe agreson Kosovën dhe të ardhmen e saj dhe jemi pranë dhe me Kosovën si kurrë ndonjëherë më parë.
Mini-Shengeni si një pakt e një ombrellë oligarkësh të humbur është sigurisht një ombrellë e çarë e cila merr stuhinë dhe tufanin nga të gjitha anët dhe sigurisht është një ombrellë që nuk i shpëton dot të tërë oligarkët politiko-ekonomikë të cilët janë lakuriq në sytë e opinionit shqiptar, Kosovar por edhe më gjerë.
Të ardhmen e integrimit evropian të Shqipërisë dhe Kosovës nuk mundet dhe nuk e ndal dot as mini-Shengeni dhe të gjitha llojet e shengenizimeve të prodhuar në kuzhina të pista pasi kemi vetëm një Shengen, i cili është Shengeni evropian dhe kemi vetëm një orientim i cili është orientim euro-atlantik.
Ju faleminderit të gjithëve!