Vasili: Zgjedhjet e 25 qershorit një shfaqje e turpshme, LSI me një mision të ri pas 13 vitesh

449
Në fjalën e tij para mijëra të pranishëmve në Konventën Kombëtare, ish-kryetari i LSI-së Petrit Vasili, i cili ia dorëzoi këtë detyrë kryetares Monika Kryemadhi, ndërsa falënderoi 225 mijë votues të kësaj force, foli për pozicionin e ri në opozitë dhe për luftën që do të bëjnë për të denoncuar çdo të keqe. Vasili i konsideroi votat e marra një goditje të madhe për klanin e drogës, që sipas tij është drejtuar nga qeveria e Edi Ramës. “Këto vota janë themeli i betonit të një opozite të vërtetë, që i ka munguar krejtësisht këtij vendi, një opozitë idealiste, që ka qytetarin të parin dhe jo oligarkun, që flet drejt dhe i pastër, të një opozite që përballet me pushtetin arrogant dhe të pashpirt dhe jo që flirton me të prapa perdes. Këto janë votat e mijëra të rinjve në çdo cep të vendit, që e duan lirinë dhe që nuk duan kurrsesi të shiten e të blihen. Ata duan ta ndërtojnë të ardhmen e vendit të tyre këtu në Shqipëri”, tha Vasili. Vasili foli edhe për misionin e madh që LSI merr tani. “Kështu ne marrim një mision të madh, misionin më të madh që LSI ka marrë ndonjëherë në historinë e saj 13-vjeçare. Një mision që të përfaqësojmë mbi 75% të shqiptarëve që nuk duan të qeverisen nga një parti 20% dhe misioni që t’ju rikthejmë zërin dhe shpresën 56% të shqiptarëve që duan të ikin sa më parë nga ky vend. Prandaj ju them sot se LSI është ballë një misioni të vërtet historik. Zgjedhjet e 25 qershorit ishin një shfaqje e turpshme, e manipulimit masiv të vullnetit të shqiptarëve dhe vota e blerë dhunoi votën e lirë, duke shënuar ditën më të errët dhe më të zymtë në këto 25 vjet. Paratë e drogës u shpërndanë anembanë vendit, bandat e kriminelëve dhe policia shqiptare u bën njësh në operacionin e krimit elektoral shumë të rëndë, që u konsumua më 25 qershor. Kërcënimet e të gjithave llojeve e formave u përhapën në mënyrë epidemike në të gjithë vendin dhe nuk kursyen jo vetëm individët, por edhe rrethet familjare e shoqërorë. Kërcënimet dhe presionet qenë të të gjithave ngjyrave, pamë se si u bënë kërcënime për t’i lënë edhe në shtëpi ata që donin të votonin kundër. Për gjithçka kemi informuar më parë, në vazhdimësi dhe vazhdojmë të informojmë edhe OSBE/ODIHR-in, por roli i tyre, për fat të keq, mbeti formal. E bëri atë që ata thuajse që mos të kishin asnjë ndikim pozitiv në dekurajimin e këtij operacioni sa kriminal dhe antidemokratik. Madje, ata u pajtuan edhe me shkeljet flagrante të Kodit Zgjedhor, të cilin KQZ e ktheu në një letër pa vlerë, duke shënuar një nga skandalet më të ulëta në historinë e zgjedhjeve pluraliste shqiptare. Është fare e qartë se marrëveshja e 17 majit mes dy bashkë-ideatorëve të krimit elektoral, ishte një marrëveshje kundër LSI-së për ta dëmtuar atë maksimalisht dhe për ta asgjësuar. Por rritja e LSI-së ishte goditja më e fortë për ta. Marrëveshja e 17 majit ia mbylli gojën opozitës shqiptare dhe ne pamë se si edhe OSBE-ODIR dhe ambasada amerikane ishin më të shqetësuara se kjo opozitë e kapur dhe e implikuar me vullnet të plotë në shkatërrimin e standardit të zgjedhjeve dhe në zëvendësimin e votës së lirë me votën e blerë”, shtoi Vasili.
Sigal