Basha denoncon Ramën tek OSBE: I bleu votat me paratë e drogës dhe krimit

488
“Zgjedhjet e 25 qershorit u blenë me paratë e drogës dhe nën presionin ë bandave kriminale. Këto zgjedhje fundosën demokracinë në vend”
Kryetari i ngrirë i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zbardhur para delegacionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, të gjitha provat e grumbulluara gjatë fushatës deri ditën e zgjedhjeve, për blerjen e votës. Për bashin, partia Socialiste bleu fitoren me paratë e drogës dhe krimit të organizuar. Provat sipas PD-së janë të pakontestueshme. Delegacioni i drejtuesve të lartë të misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR, kryesuar nga Ambasadori Peter Teljer, u njohu atë me problemet e mëdha të zgjedhjeve. Për Bashën, këto zgjedhje nuk mundën të shëronin dot plagën e 26 viteve, ku blerja e votës ka qenë prezent, por përkundrazi e thelluan atë. Basha theksoi se problemi i blerjes masive të votave u shtri në të gjithë vendin me përmasa masive dhe organizim sistematik në zona urbane dhe rurale, shoqëruar nga mbledhja e kartave të identitetit. Një tjetër pikë shumë e qartë e akuzave të përmendura është edhe fakti i përfshirjes së bandave kriminale në këto zgjedhje. Në të gjithë vendin, sipas Partisë Demokratike, Partia Socialiste, angazhoi grupe kriminale të cilat shantazhuan qytetarët. Presione të shumta u bënë edhe ditën e zgjedhjev. Përveç angazhimit në shitblerje votash të strukturave partiake të PS dhe partive të tjera qeveritare u aktivizuan po ashtu bandat kriminale që vepronin pa asnjë pengesë dhe në disa raste me ndihmën e strukturave shtetërore, si dhe vetë strukturat shtetërore. Në ndihmë të tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve u përdor edhe shumëfishimi i listës së përfituesve të ndihmës ekonomike në këmbim të votës, punësimet masive në administratë dhe ente publike etj. Një rol të veçantë në shtrirjen masive të shitblerjes së votave ka luajtur paraja e përfituar nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike nga bandat kriminale me lidhje dhe mbështetje qeveritare, vuri në pah Basha. Ai i cilësoi zgjedhjet e 25 qershorit një triumf të paligjshmërisë. “Vetëm Partia Demokratike konkurroi me një program, dhe nuk u përlye në shitblerje votash dhe angazhim bandash kriminale”, vuri në dukje Basha. Këto nuk ishin zgjedhje demokratike, tha Basha, por prova e fundit e vdekjes klinike të zgjedhjeve të lira në Shqipëri. Basha theksoi se një qëndrim realist mbi problemet e rënda në këtë proces, në veçanti nga ana e OSBE-ODIHR, do të ndihmonte Shqipërinë dhe shqiptarët për të dalë nga ky stad i avancuar i zëvendësimit të demokracisë me një regjim që për të tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve, mbështetet tek krimi, droga dhe korrupsioni galopant. Takimi i Bashës me përfaqësuesit e misionit të OSBE/ODIHR në vendin tonë u zhvillua në një kohë kur klima brenda të djathtës është e acaruar. Lulzim Basha ndonëse është ngrirë nga çdo funksion i tijë brenda partisë deri ditën e zgjedhjeve e organizoi këtë takim, duke argumentuar se i shërbente të vërtetës së zgjedhjeve të 25 qershorit, këtë të vërtetë që sipas tij kjo parti e ka thënë me zë të lartë që në 25 qershor. Votat sipas tij u blenë në ditë me diell dhe askush nuk bëri gjë. Ndërkohë për këto zgjedhje dhe problematikat kryesore është hartuar edhe raporti paraprak i OSBE-së. Në këtë raport janë rreshtuar të gjitha akuzat e deklaruara si nga vëzhguesit në terren ashtu edhe nga komisionerët dhe vet partitë politike. Blerja e votës, përdorimi i administratës, shantazhet, presionet janë disa nga pikat e përmendura në raportin paraprak. Në ditët në vazhdim pritet që OSBE/ODIHR, të publikojë edhe raportin përfundimtar.
Sigal