Sigal

Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili i ftuar në studion e lajmeve të Ora News tha se Kryeministri Rama i është lutur pafund për një marrëveshje me PS-në.

Beti Njuma: Z.Vasili, këto protesta ju gjejnë së bashku me PD-në. Pas 8 vitesh që LSI-ja ka qenë në pushtet, njëherë me PD-në, njëherë me PS-në. Ndoshta demokratët kanë pak rezerva për t’ju besuar përsëri në këtë aleancë.

Petrit Vasili: T’ju bëj një pyetje, nga tre partitë kryesore që qeverisin sot vendin, ka ndonjë parti që s’ka qenë ndonjëherë në pushtet? Absolutisht jo! PD-ja ka qenë 15 vite në pushtet. Afërsisht 14 vite ka PS-ja. Në 8 prej këtyre 29 viteve, ka qenë dhe LSI-ja. Njëherazi, LSI-ja në historinë e saj të shkurtër ka qenë 2004-2009 në opozitë dhe është kthyer sërish në opozitë me vullnetin e saj të lirë. Nuk e nxori kurrkush. Ju e dini fare mirë nga deklaratat e këtij Kryeministri, i cili ka pasur lutje pafund, unë jam dëshmitar okular konfidencialisht i shumë lutjeve deri në qurrepsje, për të bërë një aleancë me PS-në, për princip, për shkak të këtyre fenomeneve që ishin, nuk kemi pranuar të bëjmë. Të treja partitë kryesore të vendit, kanë qeverisur dhe sipas misionit që populli u ka dhënë, ose kanë qenë në opozitë ose në mazhorancë. E vetmja që ka dalë me vullnet të plotë në opozitë, ka qenë vetëm LSI-ja. Thash që mund të kishim bërë një marrëveshje, do kishte qenë jo një princip fjale për ne me PS-në dhe do ishim në pushtet, sigurisht me një kalbësirë që do të na qelbte dhe neve.