Sigal

Fjala në Kuvend e Kreut të Grupit Parlamentar të LSI-së

E nderuar drejtuese e seancës, Të nderuar kolegë, Të nderuar qytetarë që na ndiqni, Dua të qëndroj shumë shkurt në disa momente që lidhen dhe me diskutimin e ditës së sotme, por edhe me çfarë ndodh jashtë kësaj salle, që sigurisht e bën këtë sallë shumë të vogël dhe në disa raste diskutimet dhe qëndrimet aq meskine saqë shkojnë deri në kufijtë e neverisë. Ne këtu në këtë sallë kemi dëgjuar delirantë pafund për një arsim që vlerësohet, që është një prioritet madhor për të cilën po merren reforma të jashtëzakonshme. Dhe prioriteti madhor, reforma e jashtëzakonshme mbetet e tillë në letër dhe ajo që i jep jetë reformave, në radhe të parë e mbi të gjitha, financimi, nuk lëviz nga vendi. Ne kemi dëgjuar këtu me kohë që ka pasur objektiva të mirëpërcaktuara për të financuar arsimin në tërësi, dhe jo arsimin e lartë në veçanti, që është një pjesë e tij deri në masën 5%.

Është bërë zakon, zakon i vazhdueshëm i mazhorancës t’i harrojë, t’i quajë aventurë budallëkun e radhës, harrojini se e thamë kot dhe nuk e kemi objektiv më. Ndërkohë që është votëbesuar në këtë sallë, pikërisht për ta mbajtur këtë objektiv madhor. Ndërkohë, që sot quhet një marrëzi, një gjë që do të thyejë buxhetin e familjeve, të rëndojë të gjithë qytetarët e Shqipërisë, ndërkohë që objektivin e ka marrë vetë. Ça serioziteti është ky?

Së dyti, çfarë reforme do bëjmë ne në arsim, kur kërkesat që janë ngritur me zë të lartë kanë të bëjnë me atë kërkesa bazike për kushte të neveritshme ku kryeministri vete e bashkëbisedon në fakultete që nuk kanë as godinë. Apo në fakultete të tjera, siç ishte sot, që historikisht i thonë: S’kemi as libra. Po, ç’reformë është kjo? Reformë mbi pleh? Perfeksioni ecën përpara kur nuk ekziston minimumi bazik. Këto kërkojnë përgjigje, këto nuk duan llafe. Këtu dëgjuam literarme të mëdha për financimin. Por ç’financim? Është konsideruar si një financim më i rëndomti, më i zakonshmi me rritjen më të ulët që mund të ekzistonte. Atë indeksimin banal që bëhet vazhdimisht. S’ka gjëkundi të bëjë me ndonjë prioritet, edhe prioritet madhor ky. Kërkohet të zgjidhet me dialog.

Por ç’do të thotë dialog kur detyrat përpara janë shumë të qarta dhe të cilat i ke marrë përsipër vetë? Për çfarë do të dialogosh? Që ti të bësh detyrën për të cilën je votëbesuar? Për miliardat që ke në duart e tua dhe i administron në mënyrë të poshtër? Në qoftë se ti ke një kusëri të madhe shtetërore atje pak kilometra pak qendrës së Tiranës atje në Unazë të Re dhe këto para i vjedh atje në mes të sheshit dhe thua: s’kam para për të lëvizur në buxhet. Çfarë është kjo? Kush e beson këtë gjë? Çfarë dialogu do bësh? Si dialogu si Tomi me Xherrin? Pra, studentët janë minj? Po që thotë shyqyr që s’janë ca të tjerë se do ju jepja plumbin. S’janë ca të tjerë se do ju shpërndaja me ujë e me çfarë të kisha.

Dhe më së fundmi, dëgjova sot që Kryeministri u ankua shumë dhe i quajti dembelë mendorë studentët. Kam qeshur shumë, sepse të quajë dembel mendor një gjeneratë të shkëlqyer që po jep një mësim të madh një i prapambetur mendor si ky është vërtet gajasje e madhe por edhe tragjike njëherësh. Ju faleminderit të gjithëve.