Urrejta kundër aziatikëve ndikon tek studentët e huaj në SHBA

183
Universiteti i Kolumbias, Nju Jork
Sigal

Është rritur në Shtetet e Bashkuara niveli i krimeve të urrejtjes ndaj aziatikëve që kur filloi pandemia në 2020-tën. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Kathleen Struck, studentët ndërkombëtarë në Shtetet e Bashkuara raportojnë incidente të izoluara.

Shumica e studentëve ndërkombëtarë në Shtetet e Bashkuara janë studentë me ngjyrë. Pasi filloi pandemia. e cila e pati origjinën në Kinë, krimet e urrejtjes ndaj aziatikëve janë rritur në nivelin 150% në mbarë SHBA-në, sipas të dhënave të policisë.

Që nga marsi 2020, organizata “Stop AAPI Hate”, një grup që monitoron racizmin ndaj aziatiko-amerikanëve dhe banorëve të ishujve të Paqësorit, thotë se ka marrë mbi gjashtë mijë raportime për incidente urrejtjeje.

Studenti i Universitetit të Kolumbias, Joon Baek, thotë se erdhi në SHBA në vitin 2015 nga Koreja e Jugut, për shkak të cilësisë së arsimit.

“Amerika ofron universitetet më të mira, më të mirënjohura. Mendova se po të shkoja në Amerikë, të studioja atje, do të hapeshin mundësi të reja që nuk do t’i kisha patur nëse do të kisha studiuar në Kore”, thotë ai.

Ndërsa po udhëtonte me tren vitin e kaluar, dëgjoi një grua që filloi të bërtiste. Kjo nuk është aq e pazakontë në qytetin e Nju Jorkut, por ai kuptoi se bërtimat i drejtoheshin atij.

“U mundova mos të them gjë, të shikoja punën time… Por u bë edhe më keq, dhe nuk ishte më thjesht sulm verbal. Kuptova që e kishte me mua, kështu që vendosa të zbres në stacionin tjetër”, thotë zoti Baek.

Një sulm me armë në muajin mars pranë qytetin Atlanta, të shtetit Xhorxhia, la tetë të vdekur; gjashtë prej tyre ishin gra aziatike. Ndërsa autori i dyshuar tha se motivet e tij nuk ishin racore, aziatikët në Shtetet e Bashkuara thanë se incidenti ua shtoi frikën.

Jessica, një shtetase kineze nga Afrika e Jugut po diplomohet nga Shkolla Parsons për Projektimin në Nju Jork. Ajo thotë se njoftimet për incidente kundër aziatikëve e kanë bërë të jetë më e kujdesshme.

“Ndjehesha vërtet e sigurtë në Nju Jork, por nuk ka qenë më kështu që nga 2020-ta… Për herë të parë ndjehem e vendosur në objektiv kur kaloj rrugës… Është për të ardhur keq pasi më duhet të shmang errësirën, të shmang rrugët pa ndriçim. Duhet të jem gjithnjë shumë e kujdesshme dhe shumë e vetëdijshme për identitetin tim aziatik”, thotë ajo.

Të gjithë studentët me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës, thanë se ndjeheshin përgjithësisht komodë në kampuset universitare dhe mes popullsisë urbane me diversitet të Amerikës. Ata thonë se eksperienca e të jetuarit në një shoqëri shumë-kulturore ka qenë një mësim i madh.

“Ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm, në veçanti nëse hedh një sy pas dhe shikoj kaq shumë kultura të ndryshme bashkë, miq të rinj nga vende dhe kultura të ndryshme, secili me historitë e tyre. Më ka zgjeruar botëkuptimin dhe e vlerësoj këtë lloj lirie për të eksploruar botën”, thotë Andy Mao, student në Universitetin e Nju Jorkut.

Por të kesh tipare aziatike krijon rishtazi ankth.

Me lajmet e fundit, u ndjeva vërtet i trishtuar për sulmet jo vetëm në qytetin e Nju Jorkut, por edhe në qytetet e tjera. Ndonjëherë ndjehem i pasigurtë në situata të tilla… Por, jam me fat që kam marrë shumë dashuri dhe mbështetje”, thotë zoti Mao.

Megjithëse krimet e urrejtjes ranë me 7% vitin e kaluar, ndoshta për shkak të masave të izolimit, raportimet për krime urrejtjeje ndaj aziatikëve u rritën me gati 150% në 16 qytetet më të mëdha amerikane, thonë të dhënat e policisë.

“Kthehuni në vendin tuaj. Çfarë bëni në SHBA? Gjëra të tilla. Raste të izoluara dhe të rralla. Nuk janë të atilla që të më bëjnë të ndjehem i pasigurtë. Sidoqoftë të lënë shije të keqe kur ndodhin”, thotë Archit Choudhury, student në Universitetin e Kolumbias.