Presidenti Ilir Meta i bën thirrje Kuvendit: Ndërprisni urgjent hetimin për shkarkimin tim!

267

Ky Komision Hetimor, është ngritur në shkelje të Kushtetutës, ligjit, dhe Rregullores së Kuvendit

Sigal

Presidenti Ilir Meta, sqaron përmes një letre, drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, të gjitha arsyet pse Komisioni Hetimor Parlamentar, nuk mund të marrë vendim për shkarkimin e tij. Mes të tjerash, në letër, Kreu i Shtetit përmend edhe faktin që ky Kuvend nuk ka opozitë, një tjetër arsye që, sipas tij, e bën jo legjitim për të kryer veprimtari hetimore. “Ky Kuvend, si në asnjë vend tjetër demokratik, që prej muajit shkurt 2019, nuk ka opozitë reale brenda tij. Ndaj dhe mungesa e opozitës në Kuvend, është një arsye më shumë, se përse Kuvendi aktual njëpartiak, në këto kushte, në këtë periudhë/kohë, e në këto rrethana, nuk gëzon asnjë legjitimitet për të ngritur, dhe as për të kryer veprimtari hetimore”, shkruan Presidenti Ilir Meta dhe i kërkon Kuvendit të reflektojë dhe të shfuqizojë vendimin, për miratimin e raportit dhe ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e tij, të ndërpresë menjëherë të gjitha procedurat hetimore parlamentare që po zhvillon ky komision, si dhe të mos ndërmarrë vendime të rëndësishme që cenojnë interesat e shtetit.

“Ky Komision Hetimor, është ngritur në shkelje të Kushtetutës, ligjit, dhe Rregullores së Kuvendit, duke krijuar një strukturë hetimore që nuk ka tashmë as legjitimitet për të vepruar”

“Kur ligjvënësi ndalon ngritjen e një komisioni brenda 4 muajve nga mbarimi i mandatit, atëherë automatikisht është e ndaluar funksionimi i këtyre strukturave të posaçme përgjatë kësaj periudhe, dhe asnjë veprimtari hetimore”

Argumentet e Presidentit për antikushtetueshmërinë e Komisionit Hetimor Parlamentar

Presidenti i Republikës e ka përmbushur dhe do të vijojë ta përmbushë detyrimin kushtetues për të qenë transparent në raport me popullin shqiptar, pasi çdo akt, vendimmarrje, dekret etj., i ka bërë publike në faqen e Institucionit të Presidentit të Republikës dhe në mjetet e informimit publik. Ky azhornim dhe kjo transparencë e veprimtarisë së Presidentit të Republikës, do të vijojë deri në përfundim të mandatit të tij, më 24 korrik 2022, dhe çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë, studiues i jashtëm apo dhe me funksion brenda Kuvendit, mund të njihet e të konsultohet me këtë informacion, që për sa kohë është publik, mund të arrihet lehtësisht nga kushdo e në çdo kohë.

Kuvendi duhet të mbajë në konsideratë se, çdo kërkesë për informacion në kuadër të ndonjë procesi “hetimor”, është e palegjitimuar, fiktive, jashtë çdo lloj afati, dhe jo vetëm që cenon hapur të gjitha parimet kushtetuese demokratike të shtetit të së drejtës, por në mënyrën se si është iniciuar, vlerësuar, miratuar dhe po vijon të realizohet, tregon qartë se përpiqet të krijojë idenë se Kuvendi po ushtron funksionet e tij, ndërkohë që, asnjë proces i kësaj natyre (hetimor) nuk mund të ushtrohet e të zhvillohet në këtë periudhë tranzitore të përfundimit të mandatit të Kuvendit aktual, dhe fillimit të ushtrimit të detyrës së Kuvendit të ri të zgjedhur më 25 prill 2021. Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvend, nuk respektoi këtë kërkesë të Presidentit të Republikës, por përmes një agjende politike, të paracaktuar, në shkelje të procedurës së kërkuar dhe në shkelje flagrante të çdo parimi kushtetues për një proces të rregullt ligjor, madje në mungesë të etikës, edhe në dijeni të plotë se po ndërmerrte një veprim në kundërshtim me çdo rregull moral, etik dhe ligjor, vijoi me realizimin e një procesi fiktiv e të paracaktuar, duke mos përmbushur detyrimet që Kushtetuta, Ligji dhe Rregullorja e Kuvendit i përcaktojnë. Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i urdhëruar politikisht, pa asnjë shkak dhe pa objekt, në kundërshtim me Kushtetutën dhe parimet themelore të mbrojtura prej saj, jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, ligjin, dhe Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë (neni 112 e në vijim), nxitimthi hartoi një raport të datës 6 maj 2021, duke i rekomanduar seancës plenare të datës 7 maj 2021, vendimmarrjen për miratimin e këtij raporti dhe ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar ndaj Presidentit të Republikës. Ndërkohë që ishte në dijeni të plotë se, ky organ që propozohej të ngrihej, nuk kishte asnjë mundësi jo vetëm që të ngrihej e funksiononte, por as të realizonte një proces hetimor ndaj Presidentit të Republikës, qoftë sa i takon mungesës së faktit dhe objektit, pra lëndës për të hetuar, ashtu dhe mungesës së kohës së mjaftueshme për të realizuar këtë aktivitet, në formën e një kontrolli të veçantë parlamentar, çka çon detyrimisht dhe në mungesën e legjitimitetit të tij.  Duke mos marrë në konsideratë kërkesën e Presidentit të Republikës, i cili kërkoi kohë të mjaftueshme edhe për t’i dhënë mundësinë që të reflektonin, deputetët e Komisionit të Çështjeve Ligjore e për rrjedhojë dhe Kuvendi i Shqipërisë, humbën mundësinë për të kryer një vlerësim objektiv dhe jashtë urdhrave politikë, për të mos propozuar dhe për të rrëzuar kërkesën për krijimin e një strukture fiktive, që nuk do kishte as kohën, e as legjitimitetin përfaqësues të popullit për të realizuar detyrën që po i kërkohej politikisht të realizonte.

“Nuk është arritur të artikulohet një dispozitë e vetme e Kushtetutës, qoftë dhe tërthorazi, e cila është shkelur apo dhe mund të justifikojë iniciativën konkrete partiake të ndërmarrë në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit”

E gjithë kjo veprimtari u krye, dhe po vazhdon të konsumohet nga Kuvendi për të vetmin qëllim – atë të shmangies së vëmendjes nga parregullsitë dhe krimet zgjedhore që partia në pushtet ka nxitur apo ka urdhëruar në procesin zgjedhor të 25 prillit 2021, dhe me tendencën për të paralizuar veprimtarinë kushtetuese të Institucionit të Presidentit të Republikës, ashtu sikundër nga ana tjetër duke synuar intimidimin e institucioneve të tjera ligjzbatuese dhe ushtrimin e presionit publik ndaj tyre, për të moszbardhur e hetuar krimet zgjedhore që janë konsumuar me tepri dhe pa asnjë kufizim nga kjo shumicë qeverisëse gjatë këtij procesi zgjedhor.

Nisur nga kërkesat që sanksionojnë dispozitat e sipërcituara, ky Komision Hetimor, është ngritur në shkelje të Kushtetutës, ligjit, dhe Rregullores së Kuvendit, si produkt i një veprimtarie të tërë parlamentare fiktive, duke krijuar një strukturë hetimore që nuk ka tashmë as legjitimitet për të vepruar. Për më tepër:

  1. Në asnjë paragraf të kërkesës së deputetëve iniciues; në asnjë paragraf të diskutimeve të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut; në asnjë paragraf të secilit prej diskutimeve të Raportit të këtij komisioni në seancën plenare; në asnjë prej fjalëve të deputetëve të partisë së vetme që gjen përfaqësim në Kuvendin pa opozitë; nuk është arritur të artikulohet një dispozitë e vetme e Kushtetutës, qoftë dhe tërthorazi, e cila është shkelur apo dhe mund të justifikojë iniciativën konkrete partiake të ndërmarrë në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit.
  2. Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në shkelje të nenit 112, pika 2, të Rregullores së Kuvendit, nuk e ka përmbushur detyrimin që të dëgjojë Presidentin e Republikës, sipas kërkesës së tij, e duke vijuar kështu me zhvillimin e mbledhjes, dhe miratimin e Raportit të njëanshëm të datës 6.5.2021, në Seancën Plenare të datës 7.5.2021, që po në mënyrë të njëanshme, partiake, subjektive, ka miratuar Raportin dhe ka ngritur Komisionin Hetimor.

Kuvendi i Shqipërisë, nuk mund të pretendojë se po ngre një komision një ditë përpara skadimit të afatit, apo në të njëjtën ditë me mbarimin e tij, dhe të bëjë sikur ka respektuar parimet e parashikimet Kushtetuese e ligjore, ndërkohë që veprimtaria hetimore, do të kryhet nga një strukturë që nuk duhet të ekzistojë, dhe nuk duhet të veprojë përgjatë periudhës post zgjedhore tranzitore, midis dy organeve legjislative një i zgjedhur për legjislaturën e “X”, dhe tjetri në detyrë legjislatura e “IX”, legjitimiteti i të cilit, ka rënë në dukje, dhe sipas Kushtetutës, do të pakësohet  dita- ditës, deri në shuarje. Këto ndalime janë vendosur, pikërisht për të shmangur çdo mundësi, të çdo ish-shumice apo pakice parlamentare, që në një situatë politike me legjitimitet të rënë si produkt i zgjedhjeve të zhvilluara, apo/dhe drejt fundit të mandatit përfaqësues, të ndërmarrë nisma hetimore, me karakter ndëshkues apo hakmarrës, përkundrejt funksionarëve të lartë të shtetit, apo kundërshtarët, që kanë denoncuar/kundërshtuar veprimet e tyre abuzuese me pushtetin, në dëm të interesave të shtetit apo të shtetasve. Duke i shtuar kësaj situate, veprimtarinë e Komisionit të Ligjeve, i cili shkeli në mënyrë flagrante, rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë, duke mos dëgjuar Presidentin e Republikës, atëherë rezulton e provuar se çdo veprim i Kuvendit dhe i deputetëve të tij, ka qenë i diktuar dhe urdhëruar politikisht, dhe ka prodhuar këtë nivel të lartë shkeljesh, antikushtetutshmërie në funksionimin e tij.

“Bëjnë çmos që të mos hetohet qeveria dhe krimi zgjedhor, por me kënaqësi i bashkohen veprimtarisë fiktive dhe antikushtetuese të shumicës, për të “hetuar” Presidentin e Republikës”

Mungesa e Opozitës në Kuvend

“Një arsye tjetër e mungesës së legjitimitetit të këtij Kuvendi, është dhe mungesa e opozitës. Roli i opozitës së mirëfilltë dhe reale brenda veprimtarisë së Kuvendit, është thelbësor

Pyetjet e parashtruara nga Presidenti, ngelen ende për t`u zbardhur, janë aty, vijojnë të mbeten pa përgjigje dhe shtohen përditë:

  • Kush punonte me krimin dhe shoqërohej e mbështetej hapur prej tij?
  • Kush u ofronte mbrojtje kriminelëve?
  • Kush ka shpërdoruar pushtetin publik dhe administratën shtetërore për favorizim politik në zgjedhje?
  • Kush dhe si i ka intimiduar qyetarët?
  • Kush shfrytëzoi çdo burim e fond publik për qëllime të favorizimit të partisë së tij?
  • Kush e krijoi rrjetin e patronazhistëve dhe si u keqpërdorën në mënyrë kriminale dhe u ekspozuan të dhënat personale të 910.000 qytetarëve shqiptarë?
  • Kush ka nxitur dhunën, pasigurinë dhe terrorin përgjatë këtij procesi zgjedhor?
  • Kush e keqpërdori të drejtën legjitime të qytetarëve për t`u vaksinuar, për përfitime elektorale?
  • Si shpërndaheshin leje legalizimi me urdhra ministrorë?
  • Kush shkeli ligjin përmes keqpërdorimit me materialet propagandistike?
  • Kush shpërndante fonde të rindërtimit deri 2 ditë para zgjedhjeve?
  • Kush miratoi Kontrata Koncesionare skandaloze gjatë periudhës zgjedhore?
  • Kush i pengoi emigrantët nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut të vinin në Shqipëri për të votuar?
  • Kush tjetërsoi vullnetin e shqiptarëve?
  • Kush e keqpërdori Policinë e Shtetit në këtë proces zgjedhor në funksion të mbajtjes së pushtetit, dhe intimidimit/dëmtimit të kundërshtarëve politikë dhe mbështetësve të tyre?
  • Kush institucion nuk veproi në kohën e duhur për të hetuar krimin zgjedhor? Mosveprimi erdhi si pasojë e neglizhencës, paaftësisë, apo me urdhër të dikujt?
  • Është ky Kuvend që në dy vite, ka iniciuar hetimin parlamentar për Presidentin e Republikës për të tretën herë, ndërkohë që nuk ka kërkuar dhe as nuk ka kryer ndonjë proces hetimor parlamentar ndaj veprimtarisë së qeverisë (shumicës) apo organeve/institucioneve në varësi të saj, që nuk ka ditë, që nuk prodhon çështje, me skandalet publike korruptive, që janë denoncuar nga opozita reale jashtë parlamentit dhe nga media e lirë.

Kuvendi ka shkelur procedurën kushtetuese dhe ligjore në kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor, në shqyrtimin e saj dhe në finalizimin e këtij procesi antikushtetues me një vendim konkret për ngritjen e tij; por dhe për t`ju sjellë në vëmendje se nëse ju si Kuvend njëpartiak nën diktatin e Kreut të Partisë Socialiste, dëshironi të vazhdoni “sa për sy e faqe” farsën e nisur me urdhër të tij për mbulimin e masakrës zgjedhore, Kreu i Shtetit, si përfaqësues i unitetit të popullit dhe garant i Kushtetutës, ka detyrimin të vazhdojë ushtrimin e qetë të funksionit të tij kushtetues, duke injoruar çdo kërkesë që vjen nga një organ antikushtetues dhe i paligjshëm, që e keni emërtuar Komisioni Hetimor “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë”.  Në këtë mënyrë Kuvendit njëpartiak, kërkon njëkohësisht të ndikojë tek organet e drejtësisë, për të mos hetuar krimet zgjedhore, për të cilat përfaqësuesit e shumicës qeverisëse janë kallëzuar. Ndërkohë që, është pikërisht Kuvendi aktual dhe forca politike e vetme përbërëse e tij, Partia Socialiste, një nga aktorët pjesëmarrës në procesin zgjedhor të 25 prillit 2021, ajo që ushtron pushtetin ekzekutiv (qeverisjen) dhe që ka përgjegjësinë për gjithë shkeljet e ligjit dhe shpërdorimin e pushtetit dhe aseteve publike në këtë proces zgjedhor.