Turqit dhe çekët fusin qeverinë mes dy zjarreve

511
Sigal

Çekët kërkojnë Mjekësin, Çekinin e Gramshit dhe Poliçanin në këmbim të ikjes së CEZ-it pa marr gjobën, turqit paradhënie 3 mln euro për ushtrinë dhe policinë

Tashmë, tri Uzinat Ushtarake shqiptare, ajo e Mjekësit në Elbasan (prodhon kryesisht lëndë plasëse), ajo e Çekinit në Gramsh (prodhon kallashët e famshëm 7.62 mm dhe armët speciale) dhe ajo e Poliçanit (prodhon municione) do të ndërrojnë pronësi, do të merren në administrim prodhues nga të huajt. Por qeveria shqiptare ndodhet në mes të dy zjarreve, mes Çekisë dhe Turqisë që i lakmojnë këto objekte, pasi nuk di kujt t’ia prishë dhe kujt t’ia ndreqë…  Që të dy të interesuarit dhe pala shqiptare kanë konsumuar bisedat dhe vizitat e ndërsjella të ‘shkuesisë’, përfshi dhe ministra e kryeministra, e tashmë, ndërrimi i pronësisë është në prag. Po problemi qëndron se kush do të jetë pronari i ri, çeku apo turku. Burime për “Telegraf”, pranë qeverisë e konfirmojnë këtë fakt dhe vështirësinë e ndodhjes mes ‘dy zjarreve’ për të firmosur vendimin. “Nuk është e lehtë dhe pa pasoja cilido vendim. Kjo, pasi kërkesa e çekëve lidhet me largimin e CEZ-it nga Shqipëria, duke mos marrë dhe gjobën e majme në miliona euro pas një vendimi të pritshëm nga drejtësia ndërkombëtare. Kurse turqit, që kanë konsumuar biseda e takime të shumta me funksionarët më të lartë të Shqipërisë, ku ndër më të rëndësishmet mendohet vizita e ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli në Turqi, e dhënia e 3 milionë eurove për ushtrinë dhe policinë shqiptare”,- shton burimi për “Telegraf”. Po çfarë fshihet në prapaskenë dhe përse qeverisë shqiptare i ka ngelur ‘patatja e nxehtë’ në dorë e nuk di se kujt t’ia japë Uzinat Ushtarake?

ÇEKËT

Çekët, ashtu sikundër dhe turqit, nëpërmjet ekspertëve të tyre, me vizitat të shumta e burime të tjera, e njohin në detaje situatën në uzinat ushtarake të Shqipërisë dhe kanë plane konkrete për riaktivizimin e tyre. “Prej kohësh, specialistët çekë, funksionarë e diplomatë të tyre në Tiranë, kanë qenë e kanë parë çdo gjë nga afër në Mjekës, në Çekin të Gramshit dhe në Kombinatin e Poliçanit dhe duket se, kanë një premtim nga qeveria shqiptare, falë dhe një ‘lëshimi’ që çekët mendohet tu kenë bërë e që lidhet me interesin ekonomik të vendit tonë”,-shtojnë burimet për “Telegraf”. Mësohet nga katoi burime se, ‘lëshimi’ ka të bëj me CEZ-in, i larguar nga Shqipëria me vendim të qeverisë, por që ka hapur proces gjyqësor ndërkombëtar dhe ka gjasa t’i marrë Shqipërisë miliona euro për largimin që mendohet nga ata si i pa drejtë. Burimet shtojnë se në këmbim të largimit pa zhurmë të çekëve duke hequr dorë dhe nga gjyqi e shpërblimi ekonomik, kërkohen prej tyre uzinat ushtarake. Parë në këtë kuadër, qeveria ka interes që tua japë çekëve….

TURQIT

Por konkurrentë e këmbëngulës për tri Uzinat Ushtarake të Shqipërisë, janë dhe turqit. Kjo, jo vetëm falë marrëdhënieve të mira mes dy vendeve, të afishuara publikisht e jo një herë nga Kryeministri Rama e homologu turk, por dhe nga ndihma konkrete në të holla që Turqia i ka dhënë Shqipërisë. Veçanërisht, vizita e takimet e Mimi Kodhelit me turqit, përtej suksesit mediatik e deklaratave të ndërsjella, me sa duket është kryesisht ‘vizitë shkuesie’ për uzinat luftarake. Konkretisht, turqit premtuan 3 milionë euro ndihmë për ushtrinë e policinë shqiptare, e menjëherë i dhanë. “Para dy-tre ditësh, një pjesë e kësaj ndihmë në pajisje ushtarake erdhi në Shqipëri. Kështu, në Gardën e Republikës, sapo kanë ardhur xhipa modernë, logjistikë e pajisje të tjera. Flitet se ndihma të tilla e pajisje moderne kanë ardhur (ndoshta pritet të vijnë) dhe për Ministrinë e Mbrojtjes”,- shtojnë burimet e mësipërme. Po kush do të marrë në administrim 3 uzinat ushtarake? Si do të veprojë qeveria shqiptare që ndodhet aktualisht mes dy zjarreve!? Cilat do të jenë pasojat nëse do i marrin çekët dhe cilat mund të jenë nëse ato do i marrin turqit? Kjo pritet të shikohet ditët e ardhshme…