90 minutat e fundit e fazës së dytë

534
Sigal

Luftë për zonën europiane dhe për mbijetesë. Gjashtë sfida të nxehta, spikat Teuta-Partizani

Sot do të luhen gjashtë ndeshjet e fundit të fazës së dytë, në përfundim të të cilave do të përcaktohet edhe shorti i fazës së tretë dhe përmbyllëse të Kampionatit të 75-të Kombëtar të Futbollit, apo të njohur ndryshe si Kategoria Superiore. Kështu, në Durrës do të luhet Teuta-Partizani; në Laç, derbi Laçi-Kastrioti; në Korçë, Skënderbeu-Bylis; në Shkodër, Vllaznia-Besa; në Lushnjë, Lushnja-Flamurtari dhe në kryeqytet, Tirana-Kukësi.

LAÇI-KASTRIOTI

Për krutanët ndeshja është vendimtare, pasi Kastrioti mbyll renditjen dhe nuk dëshiron kurrsesi të humbasë terren në raport me rivalët e tjerë në luftën për mbijetesë. Laçi i vendit të katërt lufton për një vend në Europë, por marrëdhëniet midis dy klubeve janë shumë të mira, kështu që nuk mund të konsiderohet surprizë dhe një fitore e Kastriotit.

TEUTA-PARTIZANI

Është ndeshja më e shumëpritur e javës së 22-të, për vetë vlerat që kanë dy skaudrat. Partizani fitoi 3-0 në fazën e parë, kështu që durrsakët synojnë të marrin revanshin. Teuta ka në gjirin e saj një dyshe shumë të mirë sulmuese, si Samb dhe Zhoel, të cilët mund ta rrezikojnë jo pak mbrojtjen e kuqe. Partizani nuk fiton një ndeshje në transfertë, nga 2 tetori i vitit të kaluar.

SKËNDERBEU-BYLIS

Lideri i kampionatit e pret me qetësi përballjen me Bylisin, me të cilin e ndajnë 18 pikë. Kampionët në fuqi nuk humbasin prej dhjetë ndeshjesh, dhe janë pikërisht ballshiotët ata që i kanë mposhtur 1-0 në “Adush Muça” në ndeshjen e javës së 11-të. Skënderbeu ka fituar tetë nga dhjetë ndeshjet në shtëpi, ndërkohë që Bylisi nuk ka fituar asnjë nga dhjetë ndeshjet në transfertë.

VLLAZNIA-BESA

Shkodranëve u duhen patjetër tri pikët ndaj Besës, jo vetëm si një autokritikë për sezonin e dobët, por edhe për luftën për mbijetesë. Vllaznia rrezikom seriozisht kampionatin – aktualisht ndodhet në vendin e 8-të me 24 pikë, po aq sa Bylisi i “zonës së kuqe”. Vllaznia nuk fiton një ndeshje prej gjashtë javësh – e fundit ndaj Lushnjës (2-0), ndërkohë që ka humbur edhe përballjen direkte me kavajasit në fazën e parë me rezultatin 1-0.

LUSHNJA-FLAMURTARI

Për lushnjarët duket si një ndeshje për “jetë a vdekje”, pasi të humbasësh pikë në shtëpi, përfshirë dhe një barazim me Flamurtarin, do të thotë shumë për ekipin e Artan Banos. Në ndeshjen e fundit të luajtur në “Roza Haxhiu”, Lushnja fitoi 2-0 ndaj Besës, ndërkohë që Flamurtari ka bërë një vit 2014 për t’u harruar, pasi nuk ka fituar asnjë nga pesë ndeshjet e zhvilluara – tre barazim dhe dy humbje. Lushnja shihet si favorite.

TIRANA-KUKËSI

Tirana është ekipi më i mirë i vitit 2014 – me 11 pikë nga 15 të mundshmet (3 fitore dhe 2 barazime). Sfida ndaj Kukësit është shumë e vështirë për bardheblutë, pasi verilindorët nuk dëshirojnë kurrsesi ta humbasin vendin e dytë, çka do t’i përballte me Skënderbeun në finalen e madhe të javës së 33-të. Gjithsesi, merkatoja dimërore e 24 herë kampionëve rezultoi shumë efikase, me brazilianin Roberto dhe sulmuesin e Kombëtares së Burundit, Selemani Ndikumana. Pritet një superndeshje në “Qemal Stafa”.

  KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XXII

 Sot, 8 mars 2014

 Laçi-Kastrioti 14:00

Teuta-Partizani 14:00

Skënderbeu-Bylis 14:00

Vllaznia-Besa 14:00

Lushnja-Flamurtari 14:00

Tirana-Kukësi 14:00

RENDITJA

 1      Skënderbeu             21    +15  42

2      Kukësi             21    +1    33

3      Partizani          21    +4    32

4      Laçi                 21    +3    31

5      Teuta                       21    +3    30

6      Besa                        21    +1    29

7      Flamurtari               21    +0    27

8      Vllaznia          21    -1     24

9      Bylis                        21    -1     24

10    Tirana             21    -8     23

11    Lushnja           21    -10   23

12    Kastrioti          21    -7     22

NGA TITULLI, TEK EUROPA

 Nëse Skënderbeu, me nëntë pikët avantazh ndaj vendit të dytë, Kukësit, duket se do ta këtë të lehtë ta administrojë titullin  – i katërti rresht për korçarët, lufta e vërtetë është për ekipet që do të luftojnë për një vend në zonën Europiane. Duke parë renditjen e 21 javëve, janë të paktën pesë skuadrat që do të luftojnë për vendet 2-3, që të çojnë automatikisht në Ligën e Europës, duke përjashtuar këtë fituesin e Kupës së Europës. Këto ekipe janë Kukësi (33 pikë), Partizani (32), Laçi (31), Teuta (30) dhe Besa (29). Në program janë edhe 12 ndeshje, kështu që pozicionet e ekipeve mund të lëvizin dhe të krijojnë kombinacione të shumta. Në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë janë Skënderbeu, Teuta, Kukësi dhe Flamurtari, kështu që në rast se Skëndërbeu fiton edhe titullin edhe Kupën, atëherë në Europë do të shkojë finalisti humbës.

LUFTA PËR MBIJETËSE

Me diferencat që kanë skuadrat dhe me skemën kur bien katër ekipe direkt, atëherë të rrezikuara janë gjashtë skuadrat, duke filluar me Flamurtarin (27 pikë), Vllazninë (24), Bylisin (24), Tiranën (23), Lushnjën (23) dhe Kastriotin (23). Në lojë deri në fund të kampionatit janë dhe 36 pikë, kështu që gjithçka është e mundur të lëvizë në katër pozicionet e fundit.

Skema e kalendarit të fazës së tretë

 Me ndeshjet e sotme, ato të javës së 22-të, të cilat përkojnë edhe takimet e fundit të fazës së dytë, do të përcaktohet edhe renditja që do të përcaktojë edhe pozicionet e skuadrave për takimet e fazës së tretë. Sipas skemës së miratuar nga Federata Shqiptare të Futbollit, ekipet që renditen në vendet 1-6 do të luajnë nga gjashtë ndeshje në shtëpi, ndërkohë që ato që do të renditen në vendet 7-12 do të luajnë nga pesë ndeshje në shtëpi. Formula e këtij kampionati u rezervon në fazën e tretë një kalendar shumë më të favorshëm gjashtë skuadrave të para. Kështu, nga 11 ndeshjet e mbetura të fazës së tretë, në bazë të skemës së përcaktuar nga FSHF-ja, korçarët do të luajnë gjashtë ndeshje në fushën e tyre dhe pesë në transfertë. Pas takimit të sotëm në shtëpi ndaj Bylisit, kampionët në fuqi do të luajnë sërish javën e ardhshme në stadiumin e tyre, pikërisht ndaj vendit të fundit në renditje. Duke parë renditjen aktuale, por dhe kombinacionet që do të ofrojnë ndeshjet e fundit të javës së tretë, është e vështirë që ta përcaktosh apriori ekipi që do të zërë vendin e fundit. Sektori i garave në FSHF ka planifikuar që të zhvillohen të gjitha takimet në të njëjtën orë, për të shmangur në këtë mënyrë ndonjë aleancë mes klubeve, pasi është java që përcakton renditjen dhe kalendarin e një faze, që pritet të jetë shumë e egër, për vetë faktin se bien katër skuadra direkt nga Superiorja. Në rregulloren e FSHF-së përcaktohen qartë edhe kriteret që duhen ndjekur, nëse dy ose më shumë skuadra kanë pikë të barabarta. Së pari, do të merren parasysh pikët që ato kanë grumbulluar në ndeshjet mes tyre. Për momentin, ekipe me pikë të barabarta janë Bylisi me Vllazninë (nga 24 secila) dhe Tirana me Lushnjën (nga 23 secila). Gjithçka mbetet për t’u parë. Formati me tri faza është i njohur, pasi me këtë skemë është luajtur në disa sezone: 2007-2008, 2008-2009, 2009-2010 dhe 2010-2011, teksa në total zhvilloheshin 33 ndeshje, me një skemë shumë tërheqëse, pasi në javën e fundit përballeshin midis tyre dy vendet e para. Çka e rriste shumë adrenalinën e fundkampionatit, pasi titulli të paktën në dy raste, ato të sezonit 2007-2008 dhe 2008-2009, është përcaktuar nga rezultati i ndeshjes direkt midis tyre.

Katër skuadra

bien direkt nga Kategoria Superiore në Kategorinë e Parë, pikërisht ekipet që do të renditen në vendet 9-12.

 10 ekipe

do të ketë kampionati i ardhshëm i Superligës, në edicionin 2014-2015, sezon që do të zhvillohet me katër faza.

Skema e ndeshjeve

të fazës së tretë

JAVA E 23-të (12 MARS)

1-12

2-11

3-10

4-9

5-8

6-7

JAVA E 24-t (15 MARS)

11-1

10-2

9-3

8-4

7-5

6-12

JAVA E 25-të (22-MARS)

1-10

2-9

3-8

4-7

5-6

12-11

JAVA E 26-të (29 MARS)

9-1

8-2

7-3

6-4

5-12

10-11

JAVA E 27-të (5 PRILL)

1-8

2-7

3-6

4-5

11-9

12-10

JAVA E 28-të (12 PRILL)

7-1

6-2

5-3

4-12

8-11

9-10

JAVA E 29-të (19 PRILL)

1-6

2-5

3-4

11-7

10-8

12-9

JAVA E 30-të (26 PRILL)

5-1

4-2

3-12

6-11

7-10

8-9

JAVA E 31-të (30 PRILL)

1-4

2-3

11-5

10-6

9-7

12-8

JAVA E 32-të (3 MAJ)

3-1

2-12

4-11

5-10

6-9

7-8

JAVA E 33-të (10 MAJ)

1-2

11-3

10-4

9-5

8-6

12-7