Dialogu i nivelit të lartë, Stefan Fyle: Besoj fuqimisht se, e ardhmja e Shqipërisë është në BE

515
Sigal

Shqipëria i ka kapacitetet për të trajtuar sfidat në rrugën drejt BE-së. Forcimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër krimit, mbeten kriteret bazë

Komisioneri për Zgjerim dhe Politikën e Fqinjësisë Evropiane, Stefan Fyle mbërriti dje në Tiranë, në kuadër të takimit të dytë, të dialogut të nivelit të lartë, mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Axhenda e takimeve të Komisionerit Fyle nisi me takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe më pas, u zhvillua mbledhja. Takimi i dytë i dialogut të nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe BE-së, ka nisur me dyer të mbyllura në hotel “Sheraton”. Pas takimit me Ramën, Komisioneri Fyle, bëri të ditur, në faqen zyrtare në Tvvitter se, në takimin me Kryeministrin shqiptar u diskutuar mbi rëndësinë e gjithëpërfshirjes në procesin e reformave të duhura për integrimin në Bashkimin Europian. Në fillim të mbledhjes, Qeveria shqiptare i prezantoi Komisionerit Fyle Roadmap-in për 5 prioritetet. Ky plan masash, është një instrument dinamik për realizimin e reformave me afate dhe masa konkrete. Në përfundim të takimit, Kryeministri Rama, shprehu vendosmërinë e qeverisë, për plotësimin e pesë prioriteteve kyçe në procesin e integrimit. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Komisionerin Stefan Fule, z.Rama, fillimisht falënderoi kryetaren e komisionit parlamentar të Integrimit, znj. Majlinda Bregu, për qasjen konstruktive dhe vullnetin e shprehur, për të dhënë një kontribut të çmuar në këtë proces. “Shpresojmë se, e njëjta qasje dhe i njëjti vullnet, do të mund të mishërojnë në tërësi nga ana e opozitës edhe debatin tonë publik në parlament ose jo”,-u shpreh Rama. Duke cituar europianistin italian, Altiero Spinelli, ai tha se: ”Europa nuk është një dhuratë qiellore”. Gjithashtu, theksoi se, në luftën për në BE, duhet një përbashkim, dëshirë dhe vullnet, për të kapur shansin që vjen, për t’i përballuar disfatat, kur ato shfaqen dhe për të vazhduar përpara me gjithë vendosmërinë, kur ajo duhet. “Sot, sfida kryesore është bashkëpunimi politik, ndërinstitucional dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, me të gjithë aktorët tanë shoqërorë dhe bashkëpunimin në rajonin tonë, jo si fjalë e fundit, por si kryefjalë e qasjes së aspiratës sonë europiane”,-tha z.Rama. Ai nënvizoi se: ”pakënaqësia që ne nuk e fshehëm për mosmarrjen e statusit në dhjetor, nuk ndikoi negativisht, përkundrazi ndikoi pozitivisht që, ne të vazhdojmë përpara për ta konsoliduar atë rezultat impresionues, që qeveria arriti në vetëm shumë pak muaj në dhjetor dhe për të bërë të mundur që, pesë prioritetet e vendosura të plotësohen, ashtu sikurse ne i kemi vënë bashkërisht qëllim vetes”. Nga ana e tij, Komisoneri për Zgjerimin Stefan Fyle, u shpreh në konferencën e përbashkët për shtyp se: “ardhja në Tiranë për dialogun e nivelit të lartë, konfirmon përkushtimin tonë për të punuar së bashku në procesin e integrimit të Shqipërisë, në rrugën drejt BE-së, duke rritur shanset e Shqipërisë për të marrë statusin në qershor”. “Kam theksuar se, konfrontimi nuk ndihmon në integrimin e vendit. Kam theksuar edhe kulturën e bashkëpunimit dhe gjithpërfshirjes, jo vetëm në Kuvend, pasi kjo do të ndihmojë në ecjen përpara të procesit të integrimit”,-tha Fyle. “Gjithëpërfshirja është thelbësore në këtë proces”,- u shpreh ai, duke shtuar se: “pas takimit të sotëm jam ende më i bindur se, qeveria dhe opozita mbeten të përkushtuar për këtë objektiv kombëtar të Shqipërisë dhe kërkoj që të tregojnë frymë mirëkuptimi dhe kompromisi për t’i bërë ballë këtyre sfidave të Shqipërisë për procesin e integrimit”. Vjet, theksoi Komisioneri Fyle, “shtetet anëtare të BE-së i njohën arritjet e Shqipërisë dhe i dhanë një perspektivë të qartë në rrugën drejt BE. Tashmë i takon Shqipërisë të vazhdojë në këtë rrugë”. “Tashmë Shqipëria e ka në dorë të ruajë dhe të shtojë përpjekjet për reforma dhe të përmbushë një sërë reformash në pika kyçe si, forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reforma në gjyqësor”,-tha Fyle. Gjithashtu, vijoi ai, “brenda këtyre prioriteteve kemi diskutuar edhe ato që kanë të bëjnë me reformën në administratën publike, të drejtat e njeriut duke përfshirë romët apo edhe të drejtën e pronës”. “Besoj fuqimisht se e ardhmja e Shqipërisë është në BE. Mbetem i bindur plotësisht për kapacitetet e Shqipërisë për të trajtuar sfidat në rrugën drejt BE. Do të vijojmë ta ndihmojmë Shqipërinë në këtë rrugë”,-theksoi Komisoneri Fyle. Për takimin e ardhshëm, Fyle u shpreh se: “Kemi rënë dakord që në atë takim të kemi një raport që do të prezantohet aty. Jam i bindur që, do të biem dakord për një datë në muajin qershor”. Nga tryeza e parë e DNL-së, të mbajtur në muajin nëntor, ku mori pjesë Kryeministri Edi Rama dhe Komisioneri Stefan Fyle, u arritën  disa përfundime të përbashkëta lidhur me 5 rekomandimet që BE i ka bërë Shqipërisë, para se ajo të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Sipas zyrës së shtypit të BE-së, “Komisioni Europian dhe Komisioneri personalisht, mbeten shumë të angazhuar për të vazhduar punën me Shqipërinë në rrugën e saj për në BE, duke përfshirë edhe dialogun e nivelit të lartë, i cili ishte nisur me sukses vitin e kaluar, për të ndihmuar Shqipërinë në procesin e integrimit evropian”.

Pjesëmarrësit

Në takim morën pjesë; Kryeministri Edi Rama, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço. Ndërsa opozita, u përfaqësua në takim nga Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, deputetët Eduard Halimi dhe Arben Ristani. Në takimin Shqipëri-BE ishte i pranishëm edhe Prokurori i Përgjithshëm, Adritiak Llalla dhe nënkryetari i KLD, Elvis Çefa.

Fyle: Nuk jam në listën e miqve të Berishës, por mik i Shqipërisë

 Pas konferencës së përbashkët, z.Fyle, i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, lidhur me akuzat e ish-Kryeministrit Berisha, i cili e quajti serbofil. Komsioneri Fyle, e quajti postimin e Berishës false dhe të pabazë. Ai u shpreh se: “Nuk jam në listën e miqve të Facebook-ut të z.Berisha, por ju siguroj se, jam mik i Shqipërisë dhe mik i shqiptarëve. Kaq mund të them lidhur me këtë artikull që ishte false dhe i pabazuar”. Lidhur me deklaratat e Kryeministrit Rama, për qarqet nacionaliste brenda BE-së, që penguan dhënien e statusit për Shqipërinë, Komisioneri Fyle u shpreh se: “Nuk e di për çfarë e keni fjalën. Kur fola më parë, ju thashë që, vendimin e kanë shtetet anëtare të BE. Të njëjtat shtete anëtare që kanë vlerësuar ecurinë e Shqipërisë në muajin dhjetor”.

5 arritjet më të rëndësishmet të takimit

 Së pari, mundësia e përkufizimit të mbështetjes në procesin e Integrimit për Shqipërinë, me synim strukturimin e bashkëpunimit, duke mbajtur fokusin te integrimi.

Së dyti, u konfirmua se, gjithpërfshirja dhe transparenca është element kyç dhe ky element do të fuqizohet  në dialogun e nivelit të lartë.

Së treti, u ra dakord për një plan veprimi, për të parë mënyrën si Shqipëria do të japë rezultate për 5 prioritetet kyçe.

Së katërti, u vlerësua qëllimi i qeverisë për platformën e dialogut kombëtar për integrimin, ku do përfshihen qeveria, opozita dhe shoqëria civile.

Së pesti, u ra dakord vitin që vjen, të jetë takimi i radhës dhe u arrit në përfundimin që, nga sot e deri në publikimin e progres-raportit të ardhshëm, të kemi edhe 4 takime të tilla.