PD-Tabaku: Akti normativ dëshmi e dështimit të politikave ekonomike të Ramës

431
Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se me miratimin e Aktit Normativ për uljen e buxhetit, tregon qartë se politikat fiskale dhe ekonomike të nisura nga qeveria janë dështim i plotë dhe e vetmja zgjidhje është alternativa e Partisë Demokratike. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, doli sot në një deklaratë për mediat, ku theksoi se politikat e mbrapshta fiskale dhe ekonomike, të nisura këtu e dy vjet më parë, sollën si pasojë dështimin e plotë të parashikimit qeveritar. Rritja e taksave, një administratë e korruptuar, keqmenaxhimi, i kanë sjellë arkës së shtetit 13.4 miliardë lekë më pak të ardhura, ndërsa qeveria propagandon rritje të ekonomisë, kur pak kohë më parë në fshehtësi të plotë kishte miratuar Aktin Normativ të radhës përmes të cilit kishte shkurtuar buxhetin me 3.92%”, tha Tabaku
Deputetja e PD-së u shpreh se “Akti i Normativ, i miratuar në fshehtësi të plotë, ka vulosur uljen me rreth 25 mld lekë shpenzimet qeveritare. Buxheti i ri do të zvogëlojë me 2.67 miliardë lekë (18%) investimet në ujësjellësa dhe kanalizime, sikundër do të shkurtojë me 1.79 miliardë lekë (8.7%) investimet në infrastrukturën rrugore. Sektori prioritar i bujqësisë, që këtë vit duhet të pësonte një rritje, do të ketë 520 milionë lekë, 26% më pak investime për një nga sektorët që aq shumë përzemër e kishin si mazhorancë”. Sipas Tabakut, e gjithë kjo situatë vjen si pasojë e një politike fiskale abuzive, që do të sjellë si përfundim kolapsin e plotë ekonomik dhe fiskal të një shteti që vuan nga paaftësia dhe nga abuzimi administrativ.
Sigal