Turizmi i qeveritarëve tanë, ndërkohë kur priten fondet e shërbimit publik

456
Sigal

Ndërsa borxhi i Shqipërisë rritet frikshëm, politikanët tanë në garë për të bërë më shumë mijëra km nëpër botë 

Javën që shkoi,  ” rastësisht” ndodhi që në të njëjtën ditë, krerët e shtetit shqiptar, u ndodhën të gjithë për vizita nëpër botë. Madje, për të mos prishur siranë, edhe kryetari i opozitës, Edi Rama, kishte javën e vet të gjezdisjes në Europë. E parë në një aspektin ligjor, ndodhja njëkohësisht,  e krerëve të shtetit jashtë shtetit, pavarësisht nga qëllimi, përbën shkelje të protokollit, në bazë të nenit 1.11 të rregullores së përgjithshme të KLSH-së.  Dhe kjo shkelje e rregullores, domethënë që të tre krerët e shtetit të ndodhen njëkohësisht të gjithë jashtë shtetit, tashmë është një “çudi” që ndodh shpesh. Deputeti Erjon Braçe, ngre një pyetje publike: “Me çfarë parash shëtisin në për mbledhje partie nëpër Europë këta zyrtarë?”.  Brenda kësaj pyetje, deputeti Braçe, pavarësisht se nuk e prek, nënkupton edhe vetë Kryetarin e PS-së, Edi Rama, i cili mbushi javën që ishte në Bruksel e në shtete të tjera.  Edi Rama, sa herë në parlament janë diskutuar dhe votuar reformat më të rëndësishme, këtë vit, “rastësisht” është ndodhur për vizita pune në Selanik, Bruksel, Londër, SHBA-të, etj.. Të gjithë me të njëjtin qëllim. Lobimin e integrimit të Shqipërisë në Europë. Dhe nuk mund ta vëmë këtë në diskutim, derisa live i kemi ndjekur të gjitha vizitat, fjalimet nëpër mbledhje, takime, darka e dreka të shtruara.  Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, zonja Jozefina Topalli, nuk ka lënë shtet të botës, madje edhe në Japoni ka shkuar, edhe në të gjitha vendet e Lindjes së Mesme, thua se është ministrja e jashtme. Po të shikosh interarin e vizitave të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, nuk besoj se mund të gjesh sot një rast të dytë, ku ndonjë kryetar parlamenti i kujtdo shteti të ketë vizituar zyrtarisht shtetet e botës. Saqë shuma e kilometrave të vizitave të Kryetares së Kuvendit, ia kalon në tre herë perimetrit të Tokës. Ja një citim i deklaratave të vizitave të zonjës Topalli në Bruksel. “Në qendër të takimeve që Kryetarja Jozefina Topalli zhvilloi në KiE ishte kërkesa për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e integrimit europian duke theksuar se 96 për qind e shqiptarëve janë pro këtij integrimi.” E para, zonja Topalli, cilët janë 4 % e shqiptarëve që nuk duan integrimin? Keni bërë sondazhe të tilla? Apo jeni e autorizuar të publikoni këto shifra? Rastësisht, asnjë nga krerët e shtetit, përfshirë edhe Kryetarin e opozitës, nuk u ndodh në Shqipëri, ditën që u publikua raporti i OSBE-së për ecurinë e reformave të 12 prioriteteve të BE-së për statusin kandidat. E, askush nga krerët e shtetit nuk gjeti fjalë, kohë, kurajo që të thoshte një fjalë për ato kritika që përmend raporti, të cilat rrezikojnë për herë të tretë, mosmarrjes e statusit kandidat. E, megjithatë, të gjitha fjalimet dhe deklaratat e krerëve të shtetit janë të mbushura me zotime dhe përpjekje  për lobimin e integrimit të Shqipërisë, që ata bëjnë me udhëheqësit europianë, që takojnë e drekojë e darkojnë.  Zonja Topalli, mirë që u gjend në Bruksel dhe loboi, sikurse na deklaroi për integrimin e Shqipërisë, në  takimet me kryetarët e parlamenteve të vendeve të BE-së, po vallë, në Romë, përse u ndal?  Nuk mjaftonte vetëm prezenca e Kryeministrit? Duhej duet  përfaqësimi qeveritar? Thua se Roma ishte stacion pushimi? Apo qendër turizmi? Dhe kush i paguan këto shpenzime? Edi Rama, një javë të tërë ishte në Bruksel, ku loboi për integrimin e Shqipërisë për të marrë statusin kandidat. Mirë, po në përbërjen e delegacionit, a ishin deputetët që kanë detyra të ngarkuara për çështjen e integrimit? Erjon Veliaj, Taulant Balla, Niko Peleshi, a janë të ngarkuar me çështjet e integrimit, derisa ishin pjesëtarë të delegacionit?  Apo ishin autorë të ekspozitës që çelën në Bruksel? Përse Ditmir Bushati, si kryetari i Komisionit parlamentar të Integrimit, dhe një nga njohësit më të mirë të çështjes së integrimit, përse nuk u ftua në delegacionin e Ramës, meqë tema kryesore ishte lobimi i integrimit? Ditmir Bushati, ka edhe njohje personale dhe gëzon edhe reputacion në shumë udhëheqës të BE-së.  Damian Gjiknuri, negaciatori i PS-së në reformën zgjedhore, mbase do të kishte më shumë reputacion në delegacionin e  Ramës me udhëheqësit europianë për  lobimin e integrimit të Shqipërisë. Preferencat e Kryetarit që të zgjedhë ai kë të dojë si anëtar të delegacionit, ngre hamendje e dyshime.  Fatura e shpenzimeve? E thotë Erjon Braçja.  1. 000. 000 dollarë të shpenzuara në vetëm 1 ditë!! 1. 000. 000 dollarë në ditë!  Këto shuma vetëm për  turizëm qeveritar mund të justifikohen. Shto në këtë 1 milionë dollarë në ditë, edhe shpenzimet e javës së Europës të delegacionit Edi Rama. Ndërkohë, që qeveria, për shkak të rritjes së borxhit publik,  shkurton fondet e shpenzimeve në arsim, shëndetësi, kulturë.