Tryeza për reformën zgjedhore

457
Sigal

Opozita e bashkuar: Nuk e njohim Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore

Nuk hartohet reformë zgjedhore nga persona të përfshirë në krime elektorale

Partia Demokratike, LSI dhe opozita e bashkuar nuk e njeh Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore, për sa kohë në të ka individë që duhet të ishin dënuar për krime elektorale. Ky është qëndrimi zyrtar i opozitës, bërë i publik dje nga përfaqësuesi Ivi Kaso, gjatë tryezës së bisedimeve, organizuar nga OSBE dhe komisioni parlamentar:

Opozita: Duam një reformë të vërtetë zgjedhore

“Opozita e bashkuar mbështet një reformë të vërtetë zgjedhore. Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore. Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare.”

Kaso: Damian Gjiknuri është subjekt i dosjes “184”

Duke iu drejtuar ish-ministrit Damian Gjiknuri, kryetari i komisionit parlamentar për reformën, Zoti Kaso tha se ‘personat që janë subjekt i dosjes “339” dhe “184” janë në kushtet e konfliktit të interesit me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me reformën e vërtetë zgjedhore që ka nevojë vendi’, ndaj nuk mund të jenë pjesë e bisedimeve.

Kush do ta hartojë reformën zgjedhore…

Opozita propozoi që draft reforma të hartohet nga një grup i posaçëm që përfaqëson drejt qytetarët shqiptarë dhe që ka në përbërje dhe përfaqësues të partnerëve kryesorë ndërkombëtarë:

“Opozita e Bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar. Produkti i dakordësuar nga kjo strukturë, pasi i nënshtrohet konsultimit me publikun, nëpërmjet formave dhe metodave që mundësojnë marrjen e mendimit të qytetarëve, miratohet pa ndryshime.”

Ofrimi i garancive shtetërore për barazi të subjekteve zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve demokratike që garantojnë ushtrimin efektiv të së drejtës kushtetuese për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur. Në këtë kuadër, konstatohet se: Qeveria aktuale nuk ofron asnjë garanci për ndarjen e shtetit nga partia apo politikës nga krimi. KQZ nën kontrollin politik të partisë në pushtet nuk garanton paanshmërinë dhe pavarësinë e administratës zgjedhore, duke anuluar të gjitha garancitë që ofron ligji për subjektet zgjedhore. Organet e zbatimit të ligjit (Prokuroria, Policia e Shtetit dhe Shërbimi Informativ i Shtetit) nuk kryejnë dot funksionet e tyre sipas ligjit, për shkak të kontrollit nga partia në pushtet dhe Qeveria. Gjykatat janë jofunksionale dhe nën presionin politik të Qeverisë, siç evidentoi OSBE/ODIHR, duke pamundësuar ushtrimin e garancive që Kushtetuta dhe ligji ofrojnë në rast shkeljesh nga Qeveria apo administrata zgjedhore.