Koncesionet e HEC-eve, kosto në kurriz të konsumatorëve

547
Sigal

Një raport i ri i ekspertëve ndërkombëtarë argumenton, se pjesa dërrmuese e hidrocentraleve të vegjël në rajonin e Ballkanit dhe, në mënyrë të veçantë, në Shqipëri po ndërtohen me kosto të lartë mjedisore dhe me kosto financiare për konsumatorët, por pa përfitime të dukshme në prodhimin e energjisë elektrike dhe në mungesë të theksuar transparence.

Hidrocentralet e vegjël janë kthyer në një skemë pushteti në dëm të xhepave të konsumatorëve dhe në dëm të mjedisit si dhe në përfitim të pak bizneseve të lidhura politikisht, vlerëson një grup ekspertësh ndërkombëtarë në një raport shumë kritik të publikuar të mërkurën.

Sipas raportit, hidrocentralet e vegjël në Ballkanin Perëndimor po ushqehen nga subvencionime disporporcionale nga fondet publike në përfitim të biznesmenëve pranë qeverive ose drejtpërsëdrejti pjesë e zyrtarëve të qeverive. E gjitha kjo, vëren raporti, nuk ka sjellë ndonjë përfitim të madh publik në formën e gjenerimit të energjisë elektrike.

Raporti u hartua nga ekspertët e CEE Bankwatch Network një rrjet organizatash mjedisore në rajon.

Raporti vëren mes të tjerash, se zëvendëskryeministri aktual i Maqedonisë së Veriut Kocho Angjushev është aksioner i së paku 27 hidrocentraleve të vegjël dhe, po kështu, presidenti i partisë kryesore opozitare në vend Hristijan Mickoski ka së paku 5 koncesione.

Në Serbi një pronar i madh koncesionesh hidrocentralesh rezulton Nikola Petrović, mik i presidentit të vendit Aleksandar Vuçiç.

Në Malin e Zi sistemi i incentivave është më së shumti në përfitim të njerëzve pranë presidentit të vendit Milo Gjukanoviç.

Shqipëria rezulton vendi me koston më të lartë dhe me transparencën më të ulët, sa i përket incentivave për hidrocentralet private.

Raporti llogarit se shqiptarëve u ka kushtuar prodhimi privat i energjisë elektrike së paku 200 milionë euro, se çmimet e prodhimit privat të energjisë janë shumëfish më të larta se sa çmimet e prodhimit publik dhe se paratë e taksapaguesve po përdoren në mënyrë jotransparente për të paguar faturat e koncesioneve private në përfitim të dyshimtë për publikun.

“Sistemi nuk ishte shumë transparent, qoftë në termat e koncesioneve të dhëna, qoftë në termat e qarkullimit të parave për skemat e mbështetjes. Ndryshe nga shumë vende të rajonit, në Shqipëri nuk është vendosur tarifë në faturën e konsumatorit për mbështetjen e energjisë së rinovueshme kështu që është e paqartë se sa po paguajnë konsumatorët familjarë për këtë industri,” vijon më tej raporti.

“Duke marrë parasysh çmimin artificialisht të ulët të energjisë për shkak të rregullimit, ka gjasa që tarifat të jenë mbuluar nga buxheti i shtetit apo nga burime të tjera të KESH, por kjo e gjitha është e paqartë. Ajo që ne dimë është, që në vitin 2018, kostoja totale e subvencionimeve është rritur në 93.5 milionë euro, shifra më e lartë në rajon,” vijon më tej raporti.

Hidrocentralet e vegjël në Shqipëri kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme mjedisore si dhe përplasje për ujë me komunitete të vogla e shpesh të varfra të Shqipërisë, ndërkohë që prodhimi i energjisë elektrike prej tyre paguhet nga konsumatorët me çmime shumëfish më të larta se sa kostoja me të cilën paguhet prodhimi publik i energjisë elektrike i menaxhuar nga KESH.