Terrorizmi dhe muxhahidinët, sjellin amerikanët në Tiranë

454
Sigal

Shqipëria është një ndër vendet e rajonit që vizitohet nga delegacioni, në kuadër të bashkëpunimit dhe konsultimit të ngushtë

Një delegacion i Departamentit Amerikan të Shtetit do të zhvillojë një vizitë dy ditore në Shqipëri. Delegacioni ndër-agjencish, përfshi përfaqësues të Departamenteve të Shtetit, Drejtësisë, Sigurisë së Brendshme dhe Qendrës Kombëtare të SHBA për Kundër-terrorizmin po viziton Shqipërinë më 27-28 janar, për takime me Presidentin e Republikës, Bujar  Nishani, Kryeministrin Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë shqiptarë për të diskutuar bashkëpunimin kundër terrorizmit, thuhet në njoftimin për shtyp të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Në njoftimin e Ambasadës Amerikane thuhet gjithashtu se,  “Shqipëria është një ndër disa vende të rajonit që po vizitohen nga delegacioni. Vizita zhvillohet në kuadrin e bashkëpunimit dhe konsultimit të ngushtë të vazhduar me Shqipërinë, aleaten tonë në NATO, mbi një gamë sfidash të përbashkëta të sigurisë, me të cilat përballen vendet tona”- përfundon njoftimi i Ambasadës së SHBA.  Vidiot e shumta të deklarimeve të xhihadistëve në Siri,  misteret e përgatitjes së vullnetarëve nga trevat shqiptare që shkojnë në këtë luftë, përgjumja e institucioneve të specializuara shqiptare për të identifikuar, njoftuar e parandaluar këtë fenomen, kanë shqetësuar seriozisht aleatët e vendit tonë kohët e fundit.  Disa deklarime jo zyrtare në media për zona të veçanta ku përgatiten këto kontingjente që nisen për në Siri dhe trafiku i klandestinëve arabë nëpërmjet Shqipërisë (shtuar dukshëm muajt e fundit), janë një shqetësim tjetër serioz për Europën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mendohet që këto shqetësime si dhe forcimi i bashkëpunimit të strukturave përkatëse të shtetit shqiptar me homologët e tyre europianë e amerikanë, të jenë objekt i ardhjes me nxitim të ekipit amerikan në Tiranë.