Telefonata e ambasadorëve/ “Paqja” mes mazhorancës dhe opozitës u arrit nga ndërkombëtarët, Bardhi zbardh diskutimet mes palëve

19
Sigal

Në një dalje televizive kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike Gazment Bardhi tha se ishin ndërkombëtarët ata që ndikuan në kthimin në normalitet të parlamentit, pas muajve të tërë kaosi e tensionesh mes tymit, bilbilave e flakadanëve. Sipas Gazment Bardhit përpara ftesës që ai mori nga kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla ai kishte marrë më parë disa telefonata nga ata që ai i quajti në studion e A2 ku ishte i ftuar si partnerë strategjikë ndërkombëtarë, të cilët kishin bërë thirrje për t’u ulur në tryezë. “Në mënyrë të vijueshme nga faktori ndërkombëtar të dyjave palëve iu është bërë thirrje apo nxitur zhvillimin e dialogut politik dhe unë e kam parë këtë reflektim të mazhorancës të lidhur me nxitjen që partnerët strategjikë u kanë bërë thirrje grupeve parlamentare për rikthimin në normalitet dhe për të patur një dialog politik institucional mes mazhorancës e opozitës në kuvend. Personalisht kam shprehur gatishmërinë që ditën e parë kur kjo thirrje erdhi nga partnerët, mazhoranca e mori kthesën më vonë, në mars kur u ulëm në tryezën e konferencës së kryetarëve. Kjo tryezë ka ardhur pas në takimi informal që kryetarët e grupeve kanë bërë me kryetaren e kuvendit, takim që para se të më ftonte kryetarja e kuvendet jam telefonuar nga disa nga  partnerët tanë nëse ne i përgjigjeshim pozitivisht thirrjes së kryetares së kuvendit nëse ndodhte. Dhe kanë marrë përgjigjen prej meje që; po jam i hapur për dialog brenda institucioneve të kuvendit”.- tha kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike Gazment Bardhi.