Basha takon Sobotka-n: Udhërrëfyesi më i mirë për daljen nga kriza e thellë është zbatimi i 9 kushteve të Bundestagut

458
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike dhe lideri i Opozitës së Bashkuar Lulzim Basha zhvilloi një takim të veçantë me Presidentin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka gjatë vizitës së këtij të fundit në Tiranë.

Kryetari Basha duke shprehur perkrahjen e plotë të opozitës për forcimin e bashkëpunimit dypalësh e falenderoi Presidentin për kontributin e Austrisë në ndihmë të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Kryetari i Opozitës i shprehu Presidentit Sobotka besimin se Republika mike e Austrisë do të luajë një rol aktiv mbështetës për hapjen e negociatave me Shqipërinë gjatë presidencës Kroate.

Gjatë takimit, Presidenti Sobotka shprehu interes dhe u informua lidhur me qendrimet e Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar përsa i përket situatës së krizës politike e institucionale në Shqipëri, perspektivës europiane të vendit, reformës zgjedhore, reformës në drejtësi, gjendjes së shtypit të lirë, si dhe zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kryetari i Partisë Demokratike i prezantoi Presidentit Sobotka shqetësimet e opozitës lidhur me mungesën e demokracisë funksionale në vend, kapjen e shtetit, mosfuksionimin e institucioneve, mungesën e organizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme, rënien ekonomike, shpopullimin e Shqipërisë, si dhe bllokimin e procesit të integrimit europian të vendit.

Kryetari Basha dhe Kryeparlamentari Austriak patën dakortësi të plotë se udhërrëfyesi më i mirë për daljen nga kriza e thellë politike e institucionale që po kalon vendi, por edhe për të zhbllokuar rrugën e integrimit europian të Shqipërisë, është zbatimi i 9 kushteve të Bundestagut. Kryetari Basha e informoi Kryeparlamentarin Sobotka lidhur me angazhimin e plotë të Partisë Demokratike për të realizuar detyrimet e saj në raport me kushtet e mësipërme, me qëllim hapjen e negociatave për Shqipërinë.

Presidenti Sobotka shprehu bindjen se reforma zgjedhore dhe organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë themelore për gjendjen që po kalon vendi, si dhe për perspektivën e mëtejshme. Ai e siguroi Kryetarin Basha për vemëndjen e tij dhe të Austrisë ndaj rolit dhe qendrimeve të opozitës në Shqipëri. Ndër të tjera Kryeparlamentari austriak nënvizoi rolin e medias në shoqëritë demokratike duke theksuar gjatë takimit se në Shqipëri duhen bërë përpjekjet maksimale për fuqizimin e medias së lirë dhe lirisë së shtypit në përgjithësi dhe se çdo përkjekje në të kundërt do të ishte në dëm të interesit të vendit.

Ne mbyllje te takimit Basha dha edhe nje interviste per mediat:

Pyetje: Çfarë diskutuat me Kryetarin e Parlamentit të Austrisë?

Lulzim Basha: Dy janë problemet kryesore të Shqipërisë, dy janë çështjet kryesore të miqve tanë. Së pari, hapja e negociatave. Së dyti, zgjidhja e krizës politike në vend. Të dyja janë të lidhura me njëra-tjetrën. Austria ka mbështetur hapjen e negociatave, duke përqafuar kushtëzimin gjerman, që tashmë është kthyer në kushtëzim europian. Duke falenderuar Austrinë, i shpreha vendosmërinë e Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar për të bërë gjithçka për reformën zgjedhore dhe zbatimin e kësaj reforme përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Pyetje: Keni lançuar një platformë që tejkalon reformën zgjedhore dhe duket se prek thellësisht edhe kushtetutën. A mendoni se kjo mund të aplikohet në zgjedhjet më të afërta politike?

Lulzim Basha: Objektivi kryesor i PD, i opozitës dhe qytetarëve shqiptarë është t’i japim fund kësaj krize politike. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe zgjedhjet legjitime vendore janë rruga për ta bërë këtë dhe ne duam që kjo të ndodhë një orë e më parë, por, sigurisht, me standarte, për t’u siguruar shqiptarëve votën e lirë. Propozimet e tjera që unë kam parashtruar janë propozime, të cilat kanë të bëjnë me forcimin e kontrollit dhe balancave dhe rikthimin tek qytetarët të pushtetit që sot u është vjedhur nga ky pushtet dhe nga bashkëpunimi i krimit të organizuar me politikën.

Pyetje: Zoti Basha, ka një perceptim se duke u perqendruar tek çështje teknike, duket se po lihet mënjanë nga ana e PD objektivi politik për largimin e Ramës dhe i zgjedhjeve pa Edi Ramën.

Lulzim Basha: Ruajtja e vullnetit të qytetarëve, dhënia fund e shitblerjes së votave nuk është objektiv teknik është objektiv politik. Zbatimi i rregullave zgjedhore ekzistuese apo të reformuara, përmes një qeverie kujdestare pa Edi Ramën kryeministër, nuk është objektiv teknik, është objektiv politik. Nuk është objektiv thjesht i një partie. Është rruga për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo krizë dhe për t’u rikthyer shqiptarëve atë që u ka vjedhur ky pushtet i dalë nga bashkëpunimi i PS me krimin e organizuar.

Pyetje: Propozimi juaj mund të diskutohet përtej 15 Marsit, si një datë e vendosur për miratimin e reformës zgjedhore?

Lulzim Basha: Fokusimi tek shtyrja e datës 15 mars, tregon mungesën e vullnetit nga ana e PS. Këtu nuk kam gjë tjetër për të shtuar veç t’ju them se çdo ditë që kalon është me kosto të madhe për qytetarët shqiptarë. Çdo makinacion është i papranueshëm për opozitën dhe për Partinë Demokratike.