Lutfi Mema: Prof.Bardhosh Gaçe, ikona vlonjate që rrezaton dije

617
Sigal

Ai me talentin dhe përkushtimin e tij lundron në detin e dashurisë, miqësisë e përzemërsisë

Bardhosh Gaçe flaku lodhjen dhe iu përkushtua kulturës dhe shkencës shqiptare

(Me rastin e 65-vjetorit të lindjes së Prof. dr. Bardhosh Gaçe)

Nga Lutfi Mema

Me penë në dorë dhe mendje të kthjellët prof. dr. Bardhosh Gaçe shkeli hapësirave të pashkelura nga veriu në jug, duke lagur buzët me shokë të tjerë në ujin e burimeve, duke gjurmuar, gërmuar, hulumtuar, argumentuar e krijuar dhe duke u ngritur monumente plot dritë atyre për të cilët shkroi që na magjepsin, kur i lexojmë… Krahina të tëra profesori nuk i la në verbëri… Një punë e madhe voluminoze e cilësore! Janë gjurmë jete, ndodhi e detaje që autori nuk i lë të dremitin. Ai akumulon kudo në jetë, është bërë djep i këngëve legjendare, djep i këngëve të lashta e të reja, sepse kënga dhe vallja ka qetësuar në shekuj shpirtrat njerëzorë.

Gëzimit të autorit për këto vepra shkencore, folklorike, historike dhe etnologjike, për këto prurje të reja i bashkëngjitet edhe gëzimi i lexuesit… Personalitete të shkencës, folkloristikës, letërsisë, kulturës, artit dhe muzikës i kanë ngritur prof. dr. Bardhosh Gaçes për këtë punë të madhe e të palodhur me thellësi mendimi një monument madhështor plot diell e dritë që ai e meriton… Për vullnetin e pazakontë, lartësinë shkencore, bujarinë shpirtërore të tij flasin të gjithë.

“Nuk ka dhuratë më të madhe sesa të shohësh veten me sytë që të shohin të tjerët”, – shkruan Bërns.

Më vjen keq që unë, si mësues i letërsisë, në shkollën e mesme “Hajredin Beqari” në Selenicë nuk vura dot një gur në këtë monument për ish-nxënësin tim të urtë, të dashur e të qeshur, me sy që lëshonin dritë, një i ri i etur për dije e virtuoz, që bënte në këmbë një rrugë të largët, Lubonjë-Selenicë, përballonte diell, shi e furtunë për të përvetësuar çdo lëndë. Kthehej prapë në shtëpi i ngarkuar me dije, i lodhur dhe në fragmente gjumi përgatitej për të nesërmen…

“Dhe jeta hodhi shtat dhe shpresa ngriti velat dhe gjumi oshtiu nga përrenjtë e ëndrrave”, – shkruan Pal Eluar.

Shkolla u bë promotori i së ardhmes dhe ai nuk do të ndalej në këtë rrugë të gjatë e të vështirë… Përpjekjet e këtij nxënësi për t’i mposhtur vështirësitë më kujtojnë thënien e Bethovenit: “Rruga e mençurisë kalon përmes vuajtjeve”.

Ai shtegtoi në viset e Atdheut, në ekspedita folklorike e etnologjike, ku mblodhi trashëgiminë kulturore së bashke me Qemal Haxhihasanin, Beniamin Krutën, Rrok Zojzin, Ismet Elezin, Afërdita Onuzin, Agron Xhagollin, Ramazan Bogdanin, tek arbëreshët e Italisë me Antonio Bellushin e Nino Minishin, tek arvanitasit e Greqisë me Aristidh Kolen e Jorgo Marugën, por edhe në Kosovë me Anton Çetën e Sadri Fetiun, te shqiptarët e Maqedonisë e të Malit të Zi. Ligjëroi në konferencat shkencore në Romë, Bolonjë e Kozencë, në Zagreb, Lubjanë e Bukuresht, në Selanik e Athinë, në Paris e San Peterburg, në Prishtinë, Tetovë e Shkup, duke ndriçuar aspekte të etnokulturës shqiptare.

Një varg botimesh për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, Ismail Qemalin, monografinë për Osman Haxhiun, Hamza Isain, Ibrahim Shytin, Ali Asllanin, Ibrahim Abdullain, Fatos Arapin dhe personalitete të tjerë të kulturës, letërsisë dhe artit dëshmojnë për talentin dhe punën e tij kërkimore e shkencore.

Botimet e tij për polifoninë shqiptare dhe vlerat e saj madhështore, letërsinë bashkëkohore arbëreshe, etnologjinë dhe folklorin, letërsinë shqipe dhe folklorin, letërsinë shqipe për fëmijë gjatë shekullit XX, letërsinë bashkëkohore shqipe, marrëdhëniet e kulturës shqiptare me turizmin, Ciklin e Kreshnikëve në Nikaj Mertur, Rugovë, Gostivar e gjetkë, Këngën Popullore qytetare të Vlorës, kanë përcjellë te lexuesit këtë trashëgimi të pasur kulturore e letrare, duke e gjurmuar atë gjatë shekujve.

Kështu plot zell, i thjeshtë dhe i papërkulur, prof. dr. Bardhosh Gaçe do t’i ngjiste shkallët e shkencës për të arritur të pamundurën, duke u buzëqeshur më vonë arritjeve të tij, titujve më të lartë në shkencë, që e rrethojnë si një aureolë, duke buzëqeshur në maratonën e librave që krijoi dhe ndoqën njëra-tjetrën, pasuruan tërë prodhimtarinë e tij. Ai u gëzohet arritjeve dhe krenohet për ato që lë pas. Shpirti i tij është ngarkuar me thesare. Një figurë me dimensione të gjera që rrezaton kudo. Me dijet që u jep studentëve në Universitetin “Ismail Qemali”, mbetet në mendjen e tyre, me librat që krijoi, mbetet në mendjen dhe duart e lexuesve. Me shpirtin e tij të madh prof. dr. Bardhosh Gaçe mbetet në shpirtin e popullit, me zemrën e tij të bardhë mbetet në zemrën e njerëzve.

Prof. dr. Bardhosh Gaçe lundron në detin e dashurisë, miqësisë e përzemërsisë. Shpirti i tij është mbushur me diell, jetë dhe dashuri njerëzore. Ai mbetet në kujtesën shqiptare për potencialin e madh, subjektet e reja, vlerat e paarritshme…

Personalitet i shquar i Qarkut të Vlorës