Diplomati, Agim Nesho: Thelbi i gjërave është se Shqipëria është larg standardeve

203
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Vetoja  bullgare: Shqipëria nuk ka plotësuar kushtet për negociata me BE-në

Ish- ambasadori Agim Nesho, dje pohoi se, mos hapja e negociatave, është më shumë e lidhur me mosplotësimin e detyrimeve të vendit tonë dhe Maqedonisë së Veriut, sesa me veton bullgare ndaj kësaj të fundit. Dr. Agim Nesho: “Bashkimi me BE-në duket i pamundur  dhe problemet nuk duhet t’i gjejmë në cilësitë e vendeve të tjera apo se çfarë shikojnë ata te ne, por duhet ti shikojmë me Shqipërinë dhe qeverisjen e saj. Problematika më e madhe e evidentuar deri tani, ka qenë mosplotësimi i kushteve. Janë 15 kushte nga të cilat vetëm 2 janë realizuar si Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata  e Lartë. Sigurisht që ka, nuk dalin të njëjtat vende ose për të njëjtat probleme. Ka një politikë të karrotës dhe shkopit, në disa raste përpiqen të tregojnë se rajoni i përket perspektivës evropiane, por nga ana tjetër, indirekt me një gjuhë diplomatike, tregojnë se ju nuk plotësoni kriteret. Ajo që është më e rëndësishme për BE-në dhe në gjithë procesin e integrimit të vendeve të tjera në familjen europiane, tashmë është shprehur qartë, sidomos për rajonin tonë, që është meritokracia. Në rastet kur ne na bashkojnë me të tjerë ose kur thonë ju keni plotësuar kriteret dhe kushtet, por ne ju kemi bashkuar me Maqedoninë e Veriut, mendoj se ky është një justifikim i çastit, por thelbi dhe esenca e gjërave është se Shqipëria, është larg atyre standardeve. Mendojmë për një rast si Shqipëria me probleme shumë të mprehta si të korrupsionit, të krimit të lidhur me politikën, të kapjes së shtetit, të mosfunksionimit të institucioneve, mospasjen e një balance, bashkohet në një familje evropiane me të tjera vlera dhe principe. Nëse ata nuk thonë një jo, siç e kanë thënë gjatë gjithë këtyre kohëve, ka një perceptim tjetër për rrezikun që mund të paraqesin këto rajone, nga vetë kushtet e zhvillimit të sistemeve jodemokratike autokrate, të cilët janë të prirur që të bashkëpunojnë me fuqi të tjera joevropiane, ose jashtë kuadrit të bashkëpunimit evropian. Në këtë kuptim edhe gjuha diplomatike është më pozitive, më afruese, por në thelb është çështje parimore që BE nuk të pranon, për arsye të problematikës së gjerë që ka krijuar vetë vendi ynë. Ne kemi një fatkeqësi, pavarësësisht se kjo është një nga çështjet kryesore që duhet të sensibizilonte opinionin publik në Shqipëri, ashtu si shumë çështje të tjera si procesi i zgjedhjeve, funksionimi i institucioneve që bëjnë të mundur atë kontratë që populli ka bërë me qeverinë e tij, duket se populli shqiptar akoma është inert, nuk kërkon llogari deri në fund për një perspektivë që jo vetëm po vonohet, por në shumë raste mund të përfundojë dhe një rrugë që mund të mos konkludohet kurrë. Deri tani po shikojmë vullnetin e e vendeve të përëndimit të cilat kërkojnë që këto vende dhe ky rajon të jetë pjesë e plotë e hapësirës evropiane dhe të mos ketë tentativa për të krijuar të ashtuquajturat “vrima të zeza” të influencave të huaja, por edhe me prishjen e arkitekturës së mbrojtjes evropiane ose të influencave të tjera të ndryshme.”