Takimi i PS në Shkodër/ Rama porosi strukturave për më shumë angazhim digjital: Reklamoni në online sa më shumë arritje të partisë

23
Sigal

 

Shkodra deri tani është qarku me numrin më të lartë dhe duhet që të vijojë me këtë ritëm. PS duhet që të jetë një parti gjithëpërfshirëse, të hapë dyert për të gjithë.

Qëndrimi dy ditor i kryetarit të PSSH në Shkodër pati në agjendë edhe një takim me dy organizata partie. Të dielën Rama u takua me dy organizata të Partisë Socialiste në lagjen “Xhabiej” në Shkodër ku dha disa mesazhe për antarësimet në PS duke kërkuar që Shkodra të vijojë me këto ritme dhe PS të ketë dyert e hapura edhe për demokratët për t’u bërë një parti gjithëpërfshirëse. “Duhet që të vazhdojë fuqishëm puna për antarësimet në PS. Shkodra deri tani është qarku me numrin më të lartë dhe duhet që të vijojë me këtë ritëm. PS duhet që të jetë një parti gjithpërfshirëse, të hapë dyert për të gjithë, të majtë e të djathtë, të mos jetë një parti hermetike dhe e ngurtësuar. Duhet të afrojmë edhe demokratët. Beneti i përfaqëson të djathtët kështu që demokratët e kanë derën e hapur”, deklaroi kryeministri. Kreu i qeverisë në këtë takim foli edhe për investimet në Shkodër duke thënë se ky qytet i lënë pas dore nga kryebashkiakët e mëparshëm të PD tashmë është prioritet i qeverisë. “Shkodrën duhet që ta kapim në dorë Benet, kemi shumë punë. Ashtu si kanë lënë uzinën e telave të shkatërruar ashtu kanë lënë edhe Shkodrën. Edhe tek stadiumi ‘Loro Boriçi’ kemi bërë një investim të madh, por e kanë lënë pas dore si çdo gjë në Shkodër. Duhet ta kthejmë në një turizëm sportiv stadiumin, të rikonceptohet ndryshe dhe të mirëmbahet si duhet. Shkodra është prioriteti ynë dhe të jeni të sigurtë se qeveria do të ketë një vëmendje të veçantë për investime të mëdha në Shkodër”,- tha kreu i qeverisë. Rama la edhe një porosi tjetër që PS të jetë një parti më digjitale dhe të përdoren më shumë rrjetet sociale për reklamime, sepse kanë efekt pozitiv tek qytetarët dhe krijojnë interes. “Partia duhet që të jetë më digjitale. Reklamoni gjërat në Instagram, sepse ka shumë efekt”,- u shpreh Rama.