Super-tenderi skandaloz i Manastirliut, 20 milionë euro pa garë për 4 “fituesit e përhershëm”

371
Sigal

Ministria e Shëndetësisë ka shpallur fituesit e një tenderi gjigand, me vlerë 20 milionë euro, nëpërmjet një procedure të zhvilluar me konkurencë fiktive dhe në mungesë të garës, duke shtuar gjithnjë e më shumë dyshimet se pjesa më e madhe e buxhetit të Shëndetësisë shkon në vetëm pak duar.

Dy bashkime operatorësh, në njërën anë “Montal” dhe “Biometrik” dhe në anën tjetër “OES Distrimed” dhe “Euromed”, kanë ndarë përkatësisht nga një lot në tenderin me vlerë totale 24 miliardë lekë (të vjetra) për “Blerje materiale për nevojat e spitaleve publike” për 24 muaj.

Tenderi është hapur në Shkurt 2020 dhe ka përfunduar vetëm pak ditë më parë dhe është publikuar së fundmi në Buletinin e Prokurimeve Publike.

20 mln euro me garë fiktive

Ministria e Shëndetësisë njofton se tenderi me fond limit 1.9 miliardë lekë të reja pa TVSH (rreth 20 milionë euro), është zhvilluar i ndarë në dy lote.

Në lotin e parë, me fond limit 9.5 miliardë lekë (të vjetra) pa TVSH kanë marrë pjesë 3 konkurentë;

Bashkimi i operatorëve “Montal” dhe “Biometrik”
“Medical Distribution”
‘Megapharm”
Pasi janë hapur ofertat, Autoriteti Kontraktor, pra Ministria e Shëndetësisë, ka skualifikuar dy nga tre konkurentët.

“Medical Distribution” dhe “Megapharm” janë skualifikuar, pasi nuk kanë paraqitur as ofertë ekonomike dhe as dokumentacion, sipas kërkesave të tenderit.

Praktikisht, pjesëmarrja e dy konkurentëve të skualifikuar është “fiktive”, dhe kanë qenë të pranishëm në tender, thjesht për të krijuar “konkurencën.

Në përfundim, fitues i lotit të parë u shpall bashkimi i operatorëve “Montal” dhe “Biometrik”, të cilët ishin të vetmit që kishin prezantuar ofertë ekonomike për këtë lot.


Në lotin e dytë, me fond limit 9.7 miliardë lekë (të vjetra) pa TVSH, kanë marrë pjesë 4 konkurentë:

Bashkimi i operatorëve “OES Distrimed” dhe “Euromed”
“Medical Distribution”
‘Megapharm”
Ë. Center
Pas hapjes së ofertave, Autoriteti Kontraktor ka vendosur të skualifikojë 3 nga 4 konkurentët.

“Medical Distribution” dhe “Megapharm”, njëlloj si në lotin e parë, ishin përfshirë edhe në këtë garë pa ofertë ekonomike dhe pa dorëzuar dokumentacion.

Njëlloj me to, edhe konkurenti i tretë i skualifikuar, ‘Ë. Center”, gjithashtu kishte hyrë në garë pa dorëzuar ofertë ekonomike dhe pa dorëzuar dokumentacion.

Konkurimi “fiktiv” i tre konkurentëve i siguroi bashkimit të operatorëve ‘OES Distrimed” dhe “Euromed” një fitore pa kokëçare në lotin e dytë të tenderit,

Fituesit, emra “të njohur” në tendera

Disa prej kompanive që janë shpallur fitues në “super-tenderin” 20 milionë euro nuk janë aspak emra të panjohur, sidomos për shpalljen fitues në tenderat urgjentë të zhvilluar së fundmi nga Ministria e Shëndetësisë dhe strukturat vartëse të saj.

Dy operatorët që janë shpallur fitues në lotin e dytë të tenderit prej 20 milionë euro, ‘OES Distrimed” dhe “Euromed”, janë kompani që kanë firmosur kontrata urgjente me Ministrinë e Shëndetësisë, për blerjen e pajisjeve mbrojtëse dhe aparatura, për përballimin e pandemisë COVID-19.

“Euromed” shpk, së bashku me një tjetër kompani, “Farma Net Albania”, kanë nënshkruar kontratën “sekrete” 3.5 milionë euro me Ministrinë e Shëndetësisë për “furnizimin me pajisje mbrojtëse për Covid-19”, të miratuar nga Qeveria Shqiptare në 21 Mars 2020.

“OES Distrimed”, sipas burime të “Boldnews.al” është fituese e një tjetër tenderi sekret, me vlerë rreth 1.5 milionë euro, për blerjen e rreth 240 monitorëve për aparaturat që do të përdoren për pacientët e prekur nga korona-virusi.

Gjithashtu, të dhëna ende të pakonfirmuara zyrtarisht, flasin se “Biometrik”, një nga kompanitë fituese të lotit të parë të tenderit 20 milionë euro, pritet të shpallet fituese edhe në një tender, me vlerë mbi 500 mijë euro, për blerjen e tamponëve për kryerjen e testeve për COVID-19./Boldnews.al/