Sulmet e Bashës ndaj Metës, ironia e Vasilit: Do e ketë patur për atë Ilir Metën që është deputet në Kuvend

246
Sigal

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili ka ironizuar sulmet e kryetarit aktual të PD, Lulzim Basha sot nga foltorja e Kuvendit, në adresë të presidentit të Republikës, Ilir Meta. 

I ftuar në një studio televizive, Vasili komentoi replikat Rama-Basha sot në Kuvend, të cilat ai i quan ‘flirte’ dhe ‘tango politike’ mes të dyve.

Sa i takon akuzave të Bashës ndaj presidentit, Vasili u shpreh se kryetari i PD do ketë patur në mendje deputetin e PS të Vlorës, që ka të njëjtin emër me kreun e shtetit.

Vasili shtoi se Basha po të kishte dëgjuar këshillat e Metës president, sot do të ishte kryeministër.

“Unë besoj se e ka patur për atë Ilir Metën deputet, që ndodhet në parlament dhe jo për Ilir Metën president. Ilir Meta president në ato që ka kërkuar nga opozita dhe ato që ka sugjeruar që t’i bëntë opozita, normalisht që Lulzim Basha do të ishte në karrgen e kryeministrit dhe jo Edi Rama“, u shpreh Vasili.

Pjesë nga intervista 

Pas debatit Rama-Basha, jeni ngritur dhe keni kërkuar që të ndalet tangoja mes të dyve. Mendoni që ka një lloj flirtimi mes Ramës dhe Bashës? Batutat ishin disi delikate…

Petrit Vasili: Ishin delikate, ishin të karakterit konfidencial dhe shumë të ngrohta në disa momente. Ishin edhe intim. Salla e Parlamentit e 140 deputetëve dhe jo e dy njerëzve. Është salla ku zgjidhen hallet e mbi 2 mln e 800 shqiptarëve, se të tjerët kanë marrë rrugët dhe kanë ikur. Unë e kam quajtur rrumpallë atë Parlament që nuk respekton as një rregull dhe procedurë. Procedura e interpelancës u shndërrua në një logore hallesh qeveritare dhe hallesh partiake, në të njëjtën ditë ku merreshin 700 mln euro, të cilat shkojnë në 2.3 miliardë euro borxh. Insistimi im në sallën e Parlamentit që bëhen 2.3 miilardë euro në vetëm 6 vjet dhe sot shtoheshin edhe 700 mln të tjera. Dhe këta sot në Kuvend luanin tango. Një tango shumë pa kripë, shumë e bezdisur, e pavlerë, një tango politike. Përdora jo rastësisht këtë krahasim, sepse tangoja realizohet kur palët kanë një lloj afeksioni.

Po aludoni për marrëveshje Rama-Basha?

Petrit Vasili: Shqipëria është në udhëkryqin më të rrezikshëm të saj politik dhe ekonomik. Vihet me qetësinë më të madhe për 700 mln euro të tjera ngarkesë dhe kjo bie mbi shpatullat e çdo shqiptarie, çmimet rriten që nga produktet bazë të shportës e deri te karburantet, ne të dëgjojmë historira të tilla, të cilat Edi Rama mund t’i bëjë por kurrë opozita. Opozita duhet ta vendosë Ramën në bankën e të akuzuarit politik, ndërsa në atë penal duhet ta vendosë drejtësia por që nuk ekziston sepse është e kapur. Ka marrë 2.3 mld euro borxh dhe nuk kemi asnjë rrugë të ndërtuar, asnjë shkollë, asnjë ndërhyrje të shtetit për të mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve, por dëgjojmë dhe shohim një tango përtej objektivit madhor që ka opozita dhe shqiptarët.

Shqetësimi i Bashës duket sikur është Vettingu i politikanëve. Berisha të martën i ka kërkuar grupit parlamentar të PD që të mos votojë asnjë marrëveshje për ndryshimet Kushtetuese me Edi Ramën. Ku qëndron LSI në këtë çështje?

Petrit Vasili: Qëndrimi ynë është shumë i qartë. 5 qershori, një marrëveshje që ka shumë kuptime brenda, jo vetëm ndryshime në Kodin Zgjedhor. Ndryshime që u bënë gjoja edhe në garanci të madhe ndërkombëtare, aq sa u nënshkrua edhe në kompjuterat e një selie të një ambasade të huaj dhe që u rrënua totalisht pas pak javësh duke ndryshuar Kushtetutën. Është e qartë se të shpresosh se do të bësh marrëveshje me Edi Ramën pas kësaj historie që ishte paradhoma e shkatërrimit të zgjedhjeve në Shqipëri, është as më shumë dhe as më pak se t’i japësh Edi Ramës mundësi të reja për të bërë mashtrime të reja që të vazhdojë qëndrimin në pushtet, që do të thotë rrënimi i qytetarëve ekonomik dhe shoqëror.